1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

U arrit marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë

Në Bruksel u bë parafimi i marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës. Dokumentin e kanë nënshkruar kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, ndërsa vendimi përfunditar i palës serbe pritet të hënën.

„Negociatat kanë përfundur dhe teksti i marrëveshjes është parafuar nga të dy kryeministrat“, konstatoi në Bruksel e ngarkuara e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Chaterine Ashton, pas raundit të dhjetë të dialogut mes delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit. Baronesha Ashton theksoi se parafimi i marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës paraqet „një hap më larg nga e kaluara dhe një hap më afër Evropës“.

Marrëveshja përfunditare prej 15 pikash është nënshkruar nga kryeministrat Hashim Thaci dhe Ivica Daciq. Ndërsa përgjigja përfundimtare e palëve do të jepet me shkrim më së largu deri të hënën. „Kjo është marrëveshja e parë dhe historike mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë me garancinë e baroneshës Ashton. Arritja e kësaj marrëveshjeje paraqet njohje të Kosovës, njohje të subjektivitetit dhe sovranitetit territorial të Kosovës“, theksoi kryeministri Thaci duke shtuar se me këtë „marrëveshje do të fillojë normalizimi i raporteve mes dy shteteve dhe popujve të Serbisë dhe Kosovës“.

Kryeministri kosovar u shpreh se procesi deri në arritjen e marrëveshjes nuk ka qenë fare i lehtë. „Ne si popuj dhe shtete kemi pasur një të kaluar të vështirë. Por ka ardhur koha e marrëveshjeve, bashkëpunimi dhe pajtimit“, nënvizoi Thaci duhet shtuar se hapi më i rëndësishëm tani do të jetë implementimi i marrëveshjes.

Baronesha Ashton e kënaqur me arritjen e marrëveshjes

Baronesha Ashton e kënaqur me arritjen e marrëveshjes

Ai bëri të ditur se deri 26 prill do të hartohet edhe drafti përfundimtar për implementimin e marrëveshjes, ku rolin vendimtar do ta kenë institucionet e Kosovës, NATO dhe Eulexi. Ndërsa, sipas tij, Serbia do të ketë një rol lehtësues.

Thaci pohon se ka ardhur koha e një epoke të re

Ka ardhur koha e epokës së pajtimit dhe bashkëpunimit ndërshtetëror, si dhe „shërimit të plagëve nga e kaluara“, pohoi Thaci: „Të dy shtetet tona do të jenë anëtare të NATO-s, Bashkimit Evropian, e Kosova do të jetë edhe pjesë e OSBE-së dhe OKB-së“, konstatoi Thaci. Sipas tij, marrëveshja e nënshkruar është „plotësisht në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, e cila do të ketë një sistem unik juridik“.

Kryeministri i Kosovës tha se Serbia me këtë marrëveshje „de jure e njeh subjektivitetin e Kosvës dhe i hap rrugën njohjeve të reja të saj. Njëherit i hap rrugën edhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe anëtarësimin në OKB“, tha ai.

Sa i përket pikës më kontestuese, pikas 14 të marrëveshjes, Thaci tha se Serbia gjithmonë e ka deklaruar si fitore nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovvës në vitin 1999, si dhe marrëveshjen e arritur në Vjenë. „Me rëndësi është që Serbia ka reflektuar dhe e ka nënshkruar këtë marrëveshje“, tha ai.

Daciq: Dokumenti më i mirë i propozuar deri tani për palën serbe

Ndërsa homologu i tij serb Ivica Daciq tha se „ky është dokumenti më i mirë, që është propozuar deri tani për palën serbe“. „Por kjo nuk do të thotë se ne e kemi pranuar këtë marrëveshje. Unë e kam nënshkruar se ky është dokumeti final dhe përfunditar. Ndërsa përgjigja përfundimtare e institucioneve të Serbisë do të jepet me shkrim deri ditën e hënë“, qartësoi Daciq.

Ai foli më shumë edhe për detajet e marrëveshjes së parafuar sot. „Ne kemi kërkuar më shumë kompetenca për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në polici, gjykata, arsim, shëndetësi, planifikimin hapësinore, kulturë etj. Kemi kërkuar po ashtu që ushtria e ardhshme e Kosovës të mos jetë e pranishme në veri të Kosovës. Dhe këto janë futur në dokument“, tha Daciq.

Ai theksoi se edhe pika 14 është ndryshuar. Në këtë pikë më parë thuhej se palët nuk duhet të pengojnë njëra tjetrën në raport me organizatat ndërkombëtare, që do të thotë se Serbia nuk do të duhej të pengonte as anëtarësimin e Kosovës në OKB.

„Pika 14 ka ndryshuar dhe tani thuhet se ne duhet të kemi rrugën e hapur evropiane“, tha ai. Sa i përket kompetencave në polici, Daciq shtoi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të propozojë komandantin e policisë rajonale. „Asociacaioni do të ketë edhe gjykatën e qarkut me seli në Mitrovicë, kuvendin, kryetarin dhe nënkryetarët e kuvendit, do të ketë edhe një këshill si organ ekzekutiv“, sakstësoi ai,

Daciq u shpreh se deri ditën e hënë do të kthehet përgjigja definitive e organeve të shtetit serb. „Këto gjëra nuk janë fare të lehta për ne, por janë vendime, që kanë të bëjnë me ardhmërinë tonë“, konstatoi ai.

Garancionet për implementimin e kësaj marrëveshje kanë dhënë edhe autoritetet e NATO-s dhe Eulexit. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Ander Fogh Rassmusen deklaroi pas takimeve me delegacionet se „NATO dhe në vecanti KFOR-i do të ndihmojnë implementimin e kësaj marrëveshje, sipas mundësive dhe mandatit të tyre“. Ai përshëndeti qëndrimet konstruktive të palëve për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme në raportet mes Serbisë dhe Kosovës. „Marrëveshja paraqet një hap të madh për sigurinë jo vetëm në Kosovë por në tërë rajonin. Ajo do t'i japë një shtytje edhe integrimeve euroatlantike të rajonit, që është edhe vizioni jonë“, theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s.