1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ušackas: Samiti BE-Rusi do të vendosë sërish besimin

Situata në Ukrainë i rëndon sot marrëdhëniet mes BE-së dhe Rusisë, por përfaqësuesi i BE-së në Moskë, Vygaudas Ušackas shpreson për një dialog të hapur.

Deutsche Welle: Zoti Ušackas, samiti BE-Rusi është reduktuar nga dy në vetëm një ditë. A është kjo një shenjë e përkeqësimit të marrëdhënieve ndërmjet Rusisë dhe Bashkimit Evropian?

Vygaudas Ušackas: Ndryshimi në formatin e samitit është shenjë e maturimit të marrëdhënies sonë dhe dëshira për të pasur një dialog të hapur. BE-ja dhe Rusia kanë rënë dakord për këtë ndryshim të takimit. U vendos për të diskutuar në një rreth të ngushtë të gjithë listën e problemeve të hapura që janë akumuluar, duke filluar me ato ku kemi dallime në mendime, deri tek marrëdhëniet tregtare dhe çështjet e energjisë. Rusia dhe BE-ja janë partnerë strategjikë mes të cilëve aktualisht ka një sërë kontradiktash që duhet të diskutohen në një rreth të ngushtë. Prandaj, formati do të jetë më i mbyllur, por ne shpresojmë se diskutimi do të ketë karakter strategjik dhe do të mundësojë specifikimin e drejtimit për bashkëpunimin në të ardhmen. Kjo përfshin dhe përpilimin e një marrëveshje të re bazë.

Cilat janë aktualisht dallimet më të mëdha dhe cilat janë interesat e përbashkëta të Rusisë dhe BE-së?

Interesat e përbashkëta ka shumë. Ne kemi marrëdhënie të gjera tregtare: qarkullimi i mallrave midis Rusisë dhe BE-së është më shumë se 340 miliardë euro në vit. BE-ja është partneri më i madh tregtar i Moskës, ndërsa Rusia është partneri i tretë më i madh për ne. Ne punojmë shumë ngushtë së bashku për çështje të politikës së jashtme - për shembull, kur është fjala për Iranin, Sirinë apo Afganistan. Ne jemi partnerë strategjikë në sektorin e energjisë.

Nga ana tjetër ne kemi pikëpamje të ndryshme sa u përket raporteve mes qeverisë ruse dhe shoqërisë civile. Ka gjithashtu disa probleme në sektorin e tregtisë që vazhdojnë të ekzistojnë që prej anëtarësimit të Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë. Ne keni pikëpamje të ndryshme mbi "Partneritet Lindor" të BE-së, veçanërisht në lidhje me Ukrainë. Këto janë çështje mjaft të rëndësishme që dëshirojmë t'i diskutojmë në takim. Ne shpresojmë që takimi do të ndihmojë për të rivendosur një ndjenjë besimi dhe mirëkuptimi midis Rusisë dhe BE-së.

Si mund të kontribuojnë BE-ja dhe Rusia së bashku për zgjidhjen e krizës politike në Ukrainë?

Lajmet për vdekjen e protestuesve na kanë tronditur. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve ukrainase për të bërë çdo gjë të mundshme për t'i dhënë fund këtij konflikti. Ne besojmë se autoritetet ukrainase kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe i dëgjojnë ata që të ruhet stabiliteti dhe rendi në vend.

Në të njëjtën kohë këmbëngulim që Ukraina të mos vihet nën presion në vendimet se me kë do të ndërtojë marrëdhënie. Ne kemi parë se ka pasur presioni të tillë gjatë negociatave të fundit midis BE dhe Kievit. Projekti i iniciuar nga programi i BE "Partneriteti Lindor" për fat të keq perceptohet negativisht nga partnerët tanë në Rusi. Ne mendojmë se presioni që synonte që Kievi të ndryshonte qëndrimin e tij për të nënshkruar një marrëveshje me BE-në, ka një ndikim negativ në marrëdhëniet midis Ukrainës dhe BE-së dhe çoi në problemet e brendshme që jemi duke përjetuar sot.

Për Moskën dhe Brukselin është e rëndësishme që të bien dakord se të bashkëpunojmë me fqinjët tanë të përbashkët, përfshi dhe Ukrainën. Është e rëndësishme që fqinjët tanë të përbashkët të kenë të drejtë të vendosin pa ndërhyrje të panevojshme dhe presion se ku duan të integrohen. Por tani e rëndësishme është që autoritetet ukrainase të dëgjojnë mendimin e qytetarëve dhe që të stabilizohet situata.

Vygaudas Ušackas është shef i Përfaqësisë së BE-së në Rusi. Ai është diplomat lituanez, politikan, dhe ish-ministri i Jashtëm i Lituanisë.