1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të përmirësohen kurset për integrimin e migrantëve në Gjermani

Bernd Gräßler17 Prill 2007

Ndër masat e marra qysh prej dy vjetësh për integrimin më të mirë të emigrantëve në Gjermani janë kurset e integrimit. Cilat janë rezultatet e arritura?

https://p.dw.com/p/AqmW
Kurse integrimi për të huajt
Kurse integrimi për të huajtFotografi: dpa - Bildfunk

Grupi i punës paraqiti të hënën raportin mbi konkluzionet e arritura në drejtim të kurseve të integrimit. Ky grup propozon, që të vendosen kurse të detyrueshme të niveleve të ndryshme dhe me një provim përfundimtar për integrimin. Gjithashtu ky organizëm, nën drejtimin e ministrisë së brendshme federale, ka kërkuar të hapen më shumë kurse orientimi me më shumë orë mësimi.

Qeveria do të verë më shumë para në dispozicion për t´i përmirësuar kurset e integrimit që aplikohen për migrantët qysh prej dy vjetësh. Ndryshimet duhet të përfshihen në planin kombëtar për integrimin, që ka prezantuar kancelarja në mes të qershorit, thotë sekretari i shtetit pranë ministrisë së brendshme, Peter Altmajer (Peter Altmaier). Por kjo nuk duhet të dështojë për shkak të parave: "Për ne në plan të parë qëndron, që të kemi sukses me këto kurse dhe me pjesëmarrjen në to. Çdo vit japim 140 milionë euro për këto kurse dhe duam ta rrisim kuotën. Kjo do të thotë, se ne kemi detyrimin edhe kundrejt taksapaguesve, që të kujdesemi në mënyrë që këto para të mos jepen më kot."

Kurset deri më tani për të gjithë pjesëmarrësit parashikonin 600 orë mësimi për gjermanishten dhe 30 orë mësimi mbi njohuritë për rendin e drejtësisë, kulturën dhe historinë e Gjermanisë. Nga 250 mijë pjesëmarrës deri më sot pothuajse vetëm gjysma e tyre i kanë ndjekur kurset deri në fund. Një firmë konsulence dhe menaxhuese, e cila i ka verifikuar këto kurse me mandatin e qeverisë, ka rekomanduar, që kurset të organizohen në nivele të ndryshme për t´iu përshtatur nivelit të emigrantëve. Altmajer: "Ne do ta bëjmë këtë, duke hapur mundësi speciale financimi për gratë, të rinjtë, prindërit dhe për kudjestarinë për fëmijët. Gjithashtu këtë do ta mbështesim duke aplikuar provimet e klasifikimit dhe ato përfundimtare, sepse besojmë, që në këtë mënyrë mund t´i nxisim pjesëmarrësit të përpiqen dhe të angazhohen për mbylljen me sukses të kursit."

Për njerëzit, që nuk mund të lexojnë dhe të shkruajnë mjaftueshëm duhet të ketë kurse analfabetizmi me 300 orë mësimi. Edhe për të rinjtë dhe gratë kurset duhet të jenë më të gjata dhe të përfshijnë edhe praktika profesionale. Kurset e integrimit ofrohen për emigrantët që vijnë legalisht në Gjermani qysh nga viti 2005. Nisur nga fakti që numri i emigrantëve është në rënie, në këto kurse mund të marrë pjesë një numër më i madh të huajsh, që jetojnë në Gjermani prej një kohe të gjatë, thotë Altmajer: "Vendimtare është që këto kurse duhet të kontribuojnë për t´ua lehtësuar këtyre njerëzve integrimin në shoqëri, për t´i ndihmuar ata që të gjejnë punë dhe të shkëputen prej asistencës sociale. Synohet gjithashtu që edhe grave emigrante t´u ndihmohet që të kenë një jetë më të pavarur, ndaj ne u ofrojmë kurse të tilla jo vetëm të porsaardhurve, por edhe atyre që jetojnë prej 20 apo 30 vjetësh në Gjermani dhe fëmijët e të cilëve ende nuk flasin mirë gjermanisht."

Për të gjithë pjesëmarrësit në kurse duhet të aplikohet provimi përfundimtar. Kush nuk e kalon këtë provim s´ka për të pasur pasoja. Por masa ndëshkimi do të merren vetëm për ata që marrin asistencën sociale duke mos u paraqitur në kurset që janë të detyrueshme prej agjencisë së punës që paguan asistencën. Në këto raste parashikohet shkurtimi i ndihmës sociale.