1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tusk: Itinerari i Ballkanit i mbyllur për migracionin ilegal

Gardhe kufitare, burgime, dëbime: Vendet përgjatë itinerarit të Ballkanit ka kohë që ndjekin politikën e izolimit ndaj refugjatëve. Tani krerët e qeverive takohen në Vjenë për ta konfirmuar edhe një herë atë.

Wien Angela Merkel Donald Tusk EU Gipfel Balkan Route (picture-alliance/dpa/C.Bruna)

Angela Merkel e krerë të qeverive të vendeve të itinerarit ballkanik

Merkel shprehet në përfundim të samitit të Vjenës për refugjatët se ka progres në drejtim të luftimit të migracionit ilegal. “Qëllimi ynë është të ndalojmë sa të mundemi migracionin ilegal”, tha ajo. Merkel siguroi Italinë dhe Greqinë se Gjermania do të japë ndihmë në krizën e refugjatëve. Gjermania do të marrë në muaj disa qindra migrantë që kanë të drejtë qëndrimi, tha Merkel. Agjencia europiane e mbrojtjes së kufijve, Frontex pritet të zgjerojë kompetencat e saj.

Edhe sipas vullnetit të Kryetarit të Këshillit të BE-së Donald Tusk nga samiti i dytë i refugjatëve në Vjenë duhet të dalë një sinjal i fortë.  Tusk shpreh në samitin për refugjatët në Vjenë, se prioritet duhet të jetë sigurimi i kufijve të jashtëm të BE-së. Qëllimi duhet të jetë "rivendosja e kontrolleve efektive brenda BE-së." Tusk e shikon samitin e Vjenës si një mundësi që "praktikisht dhe politikisht të sigurojmë që itinerari i Ballkanit është mbyllur përgjithmonë për migracionin ilegal."Kryetari i Këshillit të BE-së Donald Tusk u shpreh në samitin për refugjatët në Vjenë, se prioritet duhet të jetë sigurimi i kufijve të jashtëm të BE-së. Qëllimi duhet të jetë "rivendosja e kontrolleve efektive brenda BE-së." Tusk e shikon samitin e Vjenës si një mundësi për të "theksuar se itinerari i Ballkanit është mbyllur përgjithmonë për migracionin ilegal."

Si do ta zgjidhë Europa krizën e refugjatëve? Kjo çështje u vu në qendër të samitit të Vjenës të shtunën (24.09) në Vjenë, me pjesëmarrjen e krerëve të qeverive të vendeve përgjatë itinerarit të Ballkanit. Ftesa ka ardhur nga kancelari austriak, Christian Kern (SPÖ). Në konferencën e Vjenës marrin pjesë kryeministrat e Sllovenisë, Kroacisë, Serbisë, Shqipërisë, Hungarisë, Bullgarisë, Rumanisë, Maqedonisë dhe Greqisë.

E ftuar në Vjenë është edhe kancelarja gjermane Angela Merkel si edhe presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk dhe eurokomisioneri për refugjatët, Dimitris Avramopoulos. Në samitin për refugjatët pikërëndesa është vënë tek mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së, dhe koncepteve të përbashkëta për sigurimin e tyre. Kancelari austriak, Christian Kern kërkon edhe rritjen e ndihmave për vendet nga vijnë refugjatët. "Me këtë ritëm si deri më tani nuk mund të jesh i kënaqur", është shprehur Kern.

Në konferencën e fundit të zhvilluar në Vjenë, në shkurt 2016, u vendos mbyllja e itinerarit të Ballkanit. Në samitin e Vjenës të shtunën (24.09) nuk priten vendime kaq të rëndësishme, por edhe njëherë konfirmimi i politikës aktuale të këtyre vendeve, që në thelb është edhe fundi i një kulture të mirëseardhjes.

Serbien Vlasina Patrouille an Grenze zu Bulgarien

Ushtrarë serbë patrullojnë në kufi me Bullgarinë

Cilat janë pozicionet e vendeve pjesëmarrëse në samitin e Vjenës?

Austria: Kultura e mirëseardhjes nuk praktikohet më për refugjatët. Vendi planifikon ashpërsimin e ligjeve të azilit. Për kthimin e refugjatëve direkt në kufi ndihmon vendosja e kufirit maksimal prej 37.500 vetëve. Deri në fund të gushtit ky vend regjistroi 26.400 refugjatë.

Gjermania: Kancelarja gjermane, Angela Merkel po ashtu e ka ndërruar kursin. Ligje më të ashpra, dëbim më i shpejtë, marrëveshja me Turqinë, - të gjitha këto synojnë frenimin e fluksit të refugjatëve. E vetmja gjë që ajo nuk formulon qartë është vendosja e "kufirit maksimal", siç e kërkon partia kristiansociale, CSU. Ndërsa në plan europian, Merkel është e vetëdijshme se plani për kuotën e shpërndarjes së refugjatëve brenda BE ka dështuar.

Greqia: Nga hyrja në fuqi e marrëveshjes me refugjatët, në Greqi hyjnë më pak refugjatë ilegalë. Por frika se pakti me Turqinë nuk qëndron është e madhe. Qeveria e Athinës i kritikon vendet e BE-së se nuk e kanë bërë realitet ujdinë për zhvendosjen e 30.000 refugjatëve nga Greqia. Vetëm disa mijëra prej tyre janë shpërndarë.

Hungaria: Kryeministri konservator i djathtë, Viktor Orban praktikon që nga vjeshta e vitit të kaluar politikën e izolimit. Në kufirin me Serbinë e Kroacinë janë vendosur gardhe ndarës. Budapesti refuzon edhe planin e BE-së për kuotat e shpërndarjes. Më 2 tetor këtë politikë ai kërkon ta vulosë përmes një referendumi.

Rumania: Edhe ky vend ka një qëndrim pak a shumë të njëjtë me Hungarinë, por me një ton më të zbutur. Rumania refuzon kuotat, megjithëse vetë nuk është e prekur nga kriza e refugjatëve.

Sllovenia: Qeveria ka paralajmëruar nga një valë e re refugjatësh dhe ka theksuar se nuk do të lejojë tranzitimin drejt Austrisë. Ky vend ka ngritur një gardh me Kroacinë.

Serbia: Më kritike paraqitet gjendja në këtë vend, ku qëndrojnë të ngujuar gati 5.000 refugjatë në pritje të një shansi për të hyrë në Europë. Megjithë patrullimet e përbashkëta ushtarake, refugjatët vijnë rregullisht.

Maqedonia: Për shkak të krizës së thellë prej dy vjetësh në vend dhe zgjedhjeve të parakohshme në dhjetor, tema e refugjatëve nuk luan ndonjë rol. Gardhi kufitar me Greqinë mban larg masën e madhe të refugjatëve që duan të kalojnë.

Kroacia: Ky vend ka mbajtur qëndrimin e një vendi tranzit, prandaj problematika e refugjatëve nuk qëndron në rend të ditës.

Shqipëria: Deri më tani është e prekur shumë pak nga kriza e refugjatëve, prandaj ajo nuk është një temë debati në vend.

Bullgaria: Qendrat e pranimit në këtë vend janë mbushur, sipas të dhënave nga qeveria. Që nga fillimi i vitit janë regjistruar 13.000 refugjatë, më shumë se gjysma e tyre kanë vazhduar më tej rrugën drejt Europës veriore.