1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Turqia po distancohet gjithnjë e më shumë nga partneri i dikurshëm, Siria

Sipas njoftimeve në shtyp kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan e akuzoi presidentin sirian Bashar al Assad, se ka "gënjyer vazhdimisht" kur ka premtuar për reformat në vendin e tij.

default

Një fotografi në të cilën shihen dy burra. Njëri, kryeministri buzëqeshur turk, Rexhep Taip Erdogan, dhe tjetri presidenti sirian që shkëlqen, Baschar al-Assad. Të dy i shtrëngojnë përzemërsisht duart njëri-tjetrit siç bëjnë miqtë e ngushtë. Nuk kanë kaluar ende nëntë muaj që prej kohës, kur është bërë kjo fotografi në Damask. Ndërkohë miqësia mes Erdganit dhe Al-Assadit është prishur. Qeveria turke ka kërkuar vazhdimisht gjatë muajve të kaluar nga presidenti Assad që t'i japë fund dhunës në vendin e tij dhe të fillojë reformat e vërteta - por pa sukses.

Në fundjavë (24./25.9.) kryeministri turk kaloi në sulm frontal verbal ndaj presidentit sirian. Gjatë kthimit nga  Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në Nju-Jork, Erdogan u tha gazetarëve që po udhëtonin me të: "Ai më ka gënjyer vazhdimisht. Unë e kam pyetur se sa të burgosur politikë ka në Siri. Ai mu përgjigj: 83. Nga burime të tjera, Erdogan do të mësonte më vonë se në Siri ka mijëra të burgosur politikë. Al-Asad i kishte thënë atij se ai e kishte hequr gjendjen e jashtëzakonshme. Por edhe kjo nuk ishte e saktë. "Ai donte të lejonte veprimin e partive politike, por as kjo nuk ndodhi. Edhe pse ai ma ka premtuar këtë para shumë muajsh, madje edhe një vit më parë", ka nënvizuar kryeministri turk.

Të hënën (26.9.) deklaratat e kryeministrit Erdogan u botuan gjerësisht në shtypin turk. Ato supozojnë se kryeministri turk jo vetëm që është i nervozuar për shkak të kësaj çështjeje, por edhe e ndjen veten të fyer personalisht.

Sapo mbërriti në Turqi Erdogan siguroi se qeveria e tij do të bëjë gjithçka është e mundur për të parandaluar kontrabandën e armëve në Siri. Që nga fillimi i vitit autoritetet turke kanë ndaluar disa dërgesa me armë, të cilat duhet të ketë qenë nisur në adresë të ushtrisë siriane. Vetëm pak ditë më parë, rojet bregdetare turke ndaluan një anije që transportonte armë në Siri. "Unë ju siguroj: pavarësisht se nga, përmes detit, nga ajri apo nga toka, Turqia do të ndalojë furnizimet me armë në drejtim të Sirisë dhe do t'i konfiskojë ato." - tha Erdogan.

Para disa javësh qeveria në Ankara theksoi për herë të parë se revoltën në Sirinë fqinje nuk e konsideron më thjesht si një çështje të brendshme të vendit arab, nga ajo është e prekur në fund të fundit edhe vetë Turqia. Siria dhe Turqia janë të lidhura me njëra-tjetrën me një vijë kufitare prej rreth 850 kilometrash, asnjë vend tjetër fqinj nuk ka një kufi kaq të gjatë me Turqinë. Së dyti, në krahinën jugore turke të Hatayt janë ngritur disa kampe në të cilat kanë gjetur strehim me  mijëra refugjatë të ikur nga Siria.

Taip Erdogan ka paralajmëruar se gjatë ditëve të ardhshme do të vizitojë kampet e refugjatëve. Një sinjal i qartë ky që ai do të shtojë presionin ndaj mikut të tij të dikurshëm al-Assad.

Autor: Steffen Wurzel / Esat Ahmeti
Redaktor: Pandeli Pani