1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Turqia nuk e përjashton reagimin ndaj sulmeve në kufirin turko-sirian

Turqia i rezervon vetes të drejtën të reagojë sipas mënyrës së saj ndaj sulmit me pasoja të rënda në kufirin me Sirinë. Ministri i Jashtëm Davutoglu nuk e sheh të nevojshëm një takim krize të NATO-s.

Ministri i Jashtëm turk gjatë një vizite në Berlin deklaroi, se ai do të diskutojë për këtë çështje me kryeministrin Taip Erdogan. Sidoqoftë ai nuk e sheh të dosmoshdomë organiizmin e një takimi krize të NATO-s. Turqia ka të drejtë „të marrë çdo lloj mase“, theksoi Ahmet Davutoglu. Ai shtoi, se nuk është rastësi, që pas sulmit në qytetin kufitar Reyhanli pikërisht në kohën që ndodhi sulmi, janë intensifikuar përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit në Siri.

A qëndrojnë në një linjë Rusia dhe SHBA-ja?

Faktikisht Rusia dhe SHBA-ja së fundi kanë shpallur një iniciativë të përbashkët për një konferencë paqeje. Por një përfaqësues i qeverisë ruse, që konsiderohet si aleate tradicionale e Sirisë, pak më vonë tërhoqi vëmendjen, se nuk ka unanimitet lidhur me atë se kush duhet t‘i përfaqësojë opozitën dhe kryengritësit sirianë në konferencë. E sipas tij, është e diskutueshme, nëse një takim i tillë mund të realizohet brenda këtij muaji. Diplomatët e OKB-së në Nju Jork thonë, se konferenca mund të shtyhet për në qershor.

Në konfrontimet mes qeverisë dhe opozitës në Siri qysh prej vitit 2011, që janë përshkallëzuar në një luftë civile, deri tani kanë gjetur vdekjen mbi 70.000 vetë. Luftimet në mënyrë të përsëritur janë shtrirë edhe në territorin shtetëror turk.

Të paktën 43 të vdekur nga sulmi

Dy automjete të ngarkuara me lëndë eksplosive shpërthyen (11.05.2013) para bashkisë dhe godinës së postës në qytetin Reyhanli. Si pasojë gjetën vdekjen mbi 43 vetë dhe mëse 100 të tjerë janë plagosur. Bashkia e qytetit me 60.000 banorë është dëmtuar rëndë për shkak të shpërthimit të fuqishëm. Reyhanli ndodhet në pikën kufitare turke Cilvegozu dhe përballë ndodhet pikëkalimi kufitar i Sirisë Bab al-Hava.

Sulmi ngjall shqetësimin, se lufta civile në Siri po shtrihet në përmasa edhe më të mëdha se deri më sot në teritorin shtetëror turk. Zëvendës-kryeministri turk Bylent Arinc tha, se hetimet e parat të çojnë në pistën e dyshimit për lidhje mes atentatorëve dhe shërbimit sekret të Sirisë.

Rajoni kufitar midis dy vendeve në valën e luftës civile në Siri herë pas here ka qenë në shënjestër të sulmeve. Në shkurt si pasojë e shpërthimit të një autobombe në pikën kufitare Cilvegozu gjetën vdekjen 17 vetë dhe 30 të tjerë u plagosën. Ankaraja bëri përgjegjës shërbimin sekret sirian për këtë atentat.

Turqia, anëtare e NATO-s, është kundërshtarja e shpallur e presidentit të Sirisë Bashar al-Assad. Në Turqi ndërkohë janë strehuar 300.000 refugjatë të luftës, por edhe luftëtarë rebelë.

Erdogan: "Vija e kuqe është kaluar prej kohësh"

Së fundi Ankaraja e ashpërsoi sërish kursin ndaj Assadit. Kryeministri Erdogan i tha elevizionit të SHBA-së, NBC, se linja e kuqe e vendosur prej SHBA-së, përdorimi i armëve kimike, është kaluar prej kohësh nga regjimi i Sirisë. Ai i bëri thirrje presidentit Barack Obama që të veprojë.