1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Turqia: një problem tjetër për Europën

Bundestagu në një seancë të posaçme ditën e mërkurë ka dënuar dhunën në Turqi. Po në një debat të posaçëm në Strasburg, Parlamenti Europian kritikoi politikën e Erdoganit. Frenohet procesi i afrimit të Turqisë me BE.

Guido Westerwelle

Guido Westerwelle

Politika gjermane shprehet mjaft e tronditur për dhunën që ka shpërthyer në Turqi, por nuk është e një mendjeje për procedimin e mëtejshëm me këtë vend. Në një seancë të posaçme partitë parlamentare gjermane dënuan dhunën në Turqi dhe kërkuan fillimin e dialogut me lëvizjen e protestuesve. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle (FDP) u shpreh se qeveria turke "me këtë shkallëzim dërgon një sinjal të gabuar në vendin e saj dhe në Europë." Tani duhet të tregohet se modernizimi i Turqisë nuk kufizohet vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në çështjen e të drejtave të njeriut.

Ministri i Jashtëm gjerman e vuri theksin tek patundshmëria e të drejtave bazë në çdo demokraci dhe shtet të së drejtës, si shprehja e lirë e mendimit dhe e drejta e grumbullimit në çdo shtet modern. "Modernizimi i Turqisë duhet të përfshijë edhe pluralizmin në shoqëri dhe të drejtat qytetare. Kjo është prova më e madhe për qeverinë turke që nga ngjitja në pushtet e partisë së kryeministrit Erdogan. Qeveria turke duhet t'i tregojë Europës dhe botës se ajo udhëhiqet nga parimet, të cilat ajo i ka pranuar si anëtare e Këshillit të Europës: Demokraci, liria dhe të drejtat dhe sundimin e së drejtës."

Pamje nga protestat

Pamje nga protestat

Braktisje e Turqisë?

Westerwelle paralajmëroi nga një ndarje e shoqërisë turke. "Unë pres që qeveria e Erdoganit të përpiqet të çtensionojë situatën në frymën e vlerave europiane dhe të kërkojë dialogun. Dhuna duhet të marrë fund, konflikti nuk zgjidhet përmes retorikës kërcënuese, por me dialog." Edhe socialdemokratët dhe të Gjelbrit gjermanë dënuan dhunën në Turqi gjatë debatit në Bundestag.

Por partitë gjermane nuk janë të një mendimi kur shtrohet për diskutim procesi i integrimit europian të Turqisë. Ndërkohë që të Gjelbrit dhe socialdemokratët u shprehën pro perspektivës së integrimit të Turqisë në BE, partia kristiandemokrate, CDU dhe ajo liberale, FDP u shprehën të rezervuara. Partia kristiansociale, CSU kërkoi pezullimin e negociatave të anëtarësimit. Deputeti i kësaj partie, Thomas Silberhorn bëri fjalë për ndërprerjen e negociatave. Ndërsa e Majta gjermane kërkoi ndërprerjen e bashkëpunnimit me partinë qeverisëse turke, AKP. Deputetja e Majtë, Sevim Dagdelen kërkoi marrjen e masave të ashpra kundër "terrorit policor" të qeverisë turke. Edhe kryetari i grupit parlamentar liberal, Rainer Bruderle i vuri pikëpyetje anëtarësimit të Turqisë në BE. "Kryeministri Erdogan ndjek një rrugë, e cila e largon nga BE. Kjo nuk pajtohet me hapjen e kapitullit tjetër të negociatave të anëtarësimit."

Catherine Ashton

Catherine Ashton

Ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel kërkoi nga kryeministri turk të Mërkurën fillimin e dialogut me lëvizjen opozitare. Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert u shpreh se qeveria gjermane i ndjek me "shumë shqetësim" zhvillimet në Stamboll.

Kohë të vështira për negociatat e anëtarësimit të Turqisë

Dhuna policore në Turqi ka shkaktuar shqetësim edhe në Bruksel. Madje kishte ardhur koha për një fillim të ri të marrëdhënieve të Turqisë me BE-në, vëren agjencia gjermane e lajmeve, dpa. Negociatat e anëtarësimit të bllokuara që në vitin 2010 duhet të rifillonin që në qershor të këtij viti. Por aktualisht shanset nuk duken të mira. Turqia po kthehet në një problem për Europën. E ngarkuara e Bashkimit Europian për politikën e Jashtme, Catherine Ashton megjithatë paralajmëroi Europën në një debat të posaçëm për Turqinë në Parlamentin Europian në Strasburg të Mërkurën: "Ky nuk është momenti për t'u tërhequr, por për t'u angazhuar më shumë." BE mund të ushtrojë më shumë ndikim nëse i forcon dhe nuk i dobëson lidhjet me Turqinë, tha ajo.

Ndërsa kryetari i Komisionit të Jashtëm të PE-së, eurodeputeti gjerman i CDU-së, Elmar Brok u shpreh: "Po qe se do të hapnim një kapitull të ri të negociatave, kjo do të ishte fyerje për të gjithë ata që janë burgosur." Rihapja e negociatave të anëtarësimit me Turqinë pas këtij debati në Strasburg me shumë gjasë shtyhet për një kohë të pacaktuar.