1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Turqia - Një aleat i vështirë

Pse Turqia heziton të sulmojë IS-in. Por ushtria nuk mund të bëjë sehir, se si luftëtarët e IS-it po shfarosin popullsinë civile kurde para syve të tyre.

Milicët e "Shtetit Islamik" gjenden direkt në kufi me Turqinë në qytetin sirian Kobani. Nga territori turk mund të shihen flamujtë e tyre të zi. Kobani kërcënohet prej një gjakderdhjeje në radhët e civilëve kurdë direkt para syve të ushtrisë turke. Por Turqia deri tani nuk po përzihet. Vendimi parlamentar ekziston dhe Rexhep Tajip Erdogani mund ta dërgojë në çdo kohë ushtrinë turke në Siri për të luftuar luftëtarët e "Shtetit Islamik". Por ai heziton. Ndërkohë që Turqia ka, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, forcat më të mëdha tokësore ndër anëtarët e NATO-s. Këto mund t'i plotësonin sulmet ajrore të SHBA-së në mënyrë ideale. Ekspertët tashmë janë të një më ndjeje se pa trupa tokësore lufta kundër "Shtetit Islamik" është në fund të fundit pa shpresë. Kështu Turqia ka të ngjarë të ketë rëndësi vendimtare për t'u dhënë fund me forca ushtarake vrasjeve fanatike të milicëve të IS-it.

Deri tani jo rast për NATO-n

Deri tani situata nuk është një rast për NATO-n. Përveç goditjeve sporadike me granata nuk ka asnjë sulm të trupave të IS-it në territorin turk. Enklava turke në Siri me mauzoleun e Sulejman Shahut, të cilin turqit e konsiderojnë si gjyshin e sulltanit të parë osman, deri tani ka mbetur e padëmtuar, edhe pse IS-i kontrollon zonën përreth. Nëse partnerët e NATO-s do ta konsiderojë një sulm ndaj enklavës si një rastin e goditjes së një shteti aleat, është e paqartë. Në rast sulmi ndaj vetë Turqisë, Turqia mund të pretendojë pa asnjë dyshim për një rast të tillë . Sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka thënë shprehimisht se aleanca "mbron integritetin, kufijtë e Turqisë".

Simpati të heshtura për IS-in?

Por në këtë moment nuk është ky problemi. Aleatët perëndimorë të NATO-s dyshojnë për motivet e Erdoganit. Zëvendëspresidenti i SHBA-së Joseph Biden e ka kritikuar Turqinë, se për të hequr qafe presidentin sirian Bashar al-Assad, mbështet edhe xhihadistët. Biden kërkoi ndjesë më pas, dhe Turqia e ka deklaruar çështjen të mbyllur. Por zëvendësi i Barack Obamës tha vetëm atë, që mendojnë shumë në Perëndim, pra se Turqia, të paktën deri në një farë mase, simpatizon me IS-in, apo ka simpatizuar deri kohët e fundit. Për këtë po shtohen treguesit se shtetasit turq, që ishin marrë peng nga IS-i u lanë të lirë në këmbim të lirimit nga burgjet turke të xhihadistëve përfshirë edhe ata nga vendet e BE-së. E gjithë kjo minon marrëdhëniet tashmë të tensionuara ndërmjet Perëndimit dhe qeverisë turke.

Ankaraja pret shumë

Cila është strategjia e Erdoganit? Në fakt, ai është në dilemë. Në rast se bashkohet me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër IS, duhet të ketë frikë prej sulmeve islamike në vendin e vet. Por ai nuk dëshiron që t'i lerë as Asadin dhe as kurdët që të bëhen më të fortë. Duhet të mbahet parasysh se kurdët militantë kanö qenë për Turqinë armiku i brendshëm numër një. Turqia mund ta ndalojë një masakër të re. Argumenti i dikurshëm i Erdoganit, se për aq kohë sa pengjet turke ishin në duart e islamistëve, ai kishte duart të lidhura, nuk vlen tani për tani më. Por Turqia vë kushte për pjesëmarrje në betejën kundër IS-it: largimi i Presidentit Asad, apo "djallit", si u shpreh kryeministri Ahmet Davutoglu duhet të mbetet si objektiv. Edhe koalicioni i udhëhequr nga SHBA duhet të krijojë një zonë mbrojtëse brenda Sirisë. Kjo zonë amortizuese duhet të ketë si qëllim si për të mbrojtur popullsinë civile kurde, e cila nuk ka më pse arratiset për në Turqi, edhe për t'i ofruar Turqisë siguri ushtarake. Me fjalë të tjera, Turqia pret një strategji të përgjithshme sigurie edhe për periudhën pas një fitore mbi IS-in. Por kjo është një gjë shumë e madhe për ta kërkuar nga një koalicioni i lirshëm, që duket i mbingarkuar me detyrën e vetëimponuar.

Turqia mund të ketë ndoshta arsye pjesërisht të kuptueshme për hezitimin e saj. Por koha për lojëra mendimesh strategjike duhet të ketë përfunduar tani. Ushtria turke nuk mund të bëjë sehir se si luftëtarët e IS-it po shfarosin popullsinë civile kurde para syve të tyre. Në rast se Turqia e lejon këtë opinioni publik në botë do ta bëjë atë bashkëpërgjegjëse.