1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Turqia në Ballkan: mitet, iluzionet realiteti

Çfarë qëndron prapa politikës aktive turke në Ballkanin Perëndimor? Kemi të bëjmë me ëndrra për një perandori të re osmane, interesa ekonomike apo synime strategjike?

Pamje nga takimi më 6 Maj 2012 mes presidentit serb, Tadiq, presidentit turk Gyl, president i radhës i presidencës boshnjake, Nebojsha Radmanoviç

Pamje nga takimi më 6 Maj 2012 mes presidentit serb, Tadiq, presidentit turk Gyl, president i radhës i presidencës boshnjake, Nebojsha Radmanoviç

Vetëbesimi i ri i Turqisë në Ballkanin Perëndimor dhe ndikimi në rritje politik, ekonomik dhe kulturor i vendit kanë shkaktuar këndvështrime të ndryshme rreth objektivave të qeverisë turke, të partisë konservatore dhe islamiste AKP (Partia për Drejtësi dhe Zhvillim).

Nën qeverisjen e AKP-së Turqia aplikon një politike të huaj gjithnjë e më përcaktuese në Ballkan. Ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutogllu është përpjekur të zgjidhë ngërçin politik në Bosnje, ka ofruar ndërmjetësim mes Kosovës dhe Serbisë dhe ka ndërmarrë inisiativa të ndryshme për të zgjidhur problemet mes fqinjëve të vështirë në rajon.

Influenca në rritje e Turqisë nuk kufizohet në aspektin politik. Me një ekonomi në rritje të fortë, Turqia është kthyer në një magnet për njerëzit në Ballkan. Tregtia dhe turizmi lulëzojnë, telenovelat turke janë bërë serialet më popullore në Ballkan dhe universitetet turke janë kthyer në alternativa për të rinjtë duke ofruar qindra bursa.

Eksperti Erhan Türbedar

Eksperti Erhan Türbedar

Optimizëm dhe dyshime

Megjithë interesin në rritje dhe afrimitetin e vendeve të Ballkanit me Turqinë, shumëkush i sheh me dyshim politikat e qeverisë turke, për shkak të asaj që preceptohet nga këto vende si skeme "neo-osmane". Sipas Erhan Türbedar, ekspert për Ballkanin në Fondacionin turk për Kërkime në Politikat Ekonomike (TEPAV), debati aktual rreth Ballkanit dhe Turqisë është i mbushur me mite dhe iluzione në të dyja anët.

"Shumë njerëz në Ballkanin Perëndimor besojnë se objektivi kryesor i qeverisë turke është të përmirësojë lidhjet e tij me botën islame. Ata besojnë se politikat e saj bazohen më shumë në synime ideologjike se sa në interesa kombëtare", thotë Türbedar për Deutsche Welle-n. "Shpesh dëgjojmë kritika se Turqia po kërkon ekspansion në Ballkan ose po përpiqet të arrijë objektivin e saj përmes instrumenteve kulturorë, politikë dhe ekonomikë. Kjo histori është kthyer gati në një legjendë urbane në vendet e Ballkanit."

Türbedar thotë se pjesa më e madhe e dyshimeve ndaj Turqisë i kanë rrënjët në histori por mungesa e informacioneve në mediet në Ballkan rreth zhvillimeve në Turqi, forcojnë stereotipet duke i ndezur edhe me tej dyshimet.

Mosbesim në Serbi

Ndërkohë që vetëbesimi i ri i Turqisë shihet pozitivisht në vendet me popullsi myslimane si Shqipëria, Bosnja dhe Kosova, në Serbi dyshimet janë më të forta. Sipas një sondazhi nga Gallup, më pak se 15% e serbëve e konsiderojnë Turqinë një fuqi mike.

Türbedar thekson se politika aktive e Turqisë në Ballkan është në të vërtetë një reflektim i pozitës së saj më të fortë në plan ndërkombëtar dhe ekonomisë së saj në rritje të fortë dhjetëvjeçarin e kaluar. Turqia është tashmë ekonomia e 16-të më e madhe në botë dhe po përpiqet të vendosë raporte të qendrueshme dhe paqësore me fqinjët e saj për të lehtësuar edhe më tej ekonominë e saj të bazuar në eksporte. Ballkani është rruga kryesore për eksportet turke drejt BE-së, partnerit më të rëndësishëm tregtar të Turqisë.

Pamje nga samiti i Stambollit, Prill 2010

Pamje nga samiti i Stambollit, Prill 2010

Për ekspertin Türbedar, rol të rëndësishëm në politikën e re aktive të Ankarasë në Ballkan luajnë interesat ekonomikë dhe politika kombëtare dhe jo edhe aq motivet e ashtuquajtura islamiste të qeverisë së AKP-së. Sipas tij, lobi i fuqishëm ballkanik në politikën turke është një nga faktorët më të rëndësishëm prapa qendrimit të ri të Turqisë.

Turqit në Ballkan dhe anasjelltas

Statistikat zyrtare tregojnë se në Ballkan jetojnë një milion turq dhe ata janë një urë mes vendeve të Ballkanit dhe Turqisë. Ndërkohë mendohet se rreth 10 deri 15 milionë turq kanë rrënjë ballkanike. Sipas ekspertit Türbedar këta formojnë një "lob të natyrshëm" shumë të fuqishëm, të përbërë nga shoqata, fondacione, gazetarë, akademikë, parlamentarë, ministra dhe diplomatë.

Ndërkohë që Ballkani luan një rol të rëndësishëm në politikën turke, sipas Türbedar, oponioni publik në Turqi rreth Ballkanit është plot mite dhe iluzione. "Nëse i ndjek ngjarjet vetëm në mediet turke të krijohet përshtypja se të gjitha vendet e Ballkanit kanë një simpati të madhe për Turqinë. Fillon të mendosh se diplomacia turke është tejet e suksesshme në Ballkan, duke zgjidhur thuajse të gjitha problemet", thotë Türbedar. "Në politikën e brendshme krijimi i një përshtypje të tillë është sukses. Pjesa më e madhe e turqve e besojnë këtë histori. Por kur shkon në vendet e Ballkanit realiteti është mjaft ndryshe."

Neo-osmanizmi

Megjithë kritikat e opozitës turke për synime neo-osmane të AKP-së në Ballkan, zyrtarët turq shfrytëzojnë çdo mundësi për të theksuar se Turqia nuk ka synime të tjera veç sigurimit të paqes dhe stabilitetit në rajon. Turqia thotë se politika e saj aktive ndaj Ballkanit mbështetet në katër shtylla të rëndësishme. Këtu bëjnë pjesë dialogu politik në nivel të lartë, siguria për të gjithë, fokusimi i ndërvarësive ekonomike dhe mbrojtja e larmisë etnike, kulturore dhe fetare në rajon.

Sipas Hasan Gogus nga Ministra e Jashtme e Turqisë, paqja e përheshme në rajon mund të arrihet vetëm përmes stabilitetit të qendrueshëm dhe kjo realizohet përmes lidhjeve edhe më të ngushta mes vendeve të rajonit. Ai beson se Turqia dhe vendet në rajon kanë një të ardhme të përbashkët në organizma të tilla si NATO dhe BE.

"Një nga synimet kryesore të politikës sonë të jashtme në rajon është integrimi i të gjitha vendeve në institucione transatlantike", thotë Gogus. "Ne mbështesim anëtarësimin e të gjithë rajonit në NATO dhe BE. Kur në fund të gjitha vendet të jenë bërë anëtarë të BE-së do të kemi paqe dhe stabilitet të përhershëm. Kufijtë aktualë do të humbasin kuptimin e tyre", shprehet diplomati turk Hasan Gogus.

Autor: Ayhan Simsek / E. Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi