1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Turqia, Hungaria, Polonia: Si bëhet politikë me librat shkollorë

Më shumë patriotizëm dhe fe, më pak pluralizëm mendimi: jo vetëm në Turqi planet mësimore po shkojnë në këtë drejtim. Edhe në vendet e BE-së studiuesit e arsimit dhe mësuesit tërheqin vëmendjen për indoktrinim shtetëror.

Fëmijë që marshojnë dhe stërviten për qitje bëhen pjesë e mësimit. Ajo që shumë europiano-lindorëve u sjell kujtimin e zymtë të diktaturës komuniste para 1989, shpejt mund të bëhet pjesë e së përditshmes në shkollë në vendet e BE-së. Në Hungari kryeministri Viktor Orban i ka kërkuar ministrive të Mbrojtjes dhe të Burimeve Njerëzore, që deri në fund të vitit të përpilojnë një "program edukativ për patriotizmin dhe mbrojtjen e atdheut". Ky program duhet të përfshihet në "planet kombëtare të mësimit bazë" nëpër shkolla.

"Indoktrinim fetar dhe nacionalist"

"Shkollat tona politikisht dhe në aspketin administrativ përcaktohen tërësisht nga qeveria", komenton studiuesi hungarez në fushën e arsimit kritik ndaj qeverisë Peter Rado. Që nga viti 2011 qeveria nacional-konservatore në Budapest e ka reformuar rrënjësisht sistemin arsimor dhe ndër të tjera e ka shmangur tregun e lirë për librat shkollorë. "kjo është shqetësuese", thotë Rado. mësuesit lejohen për lëndë dhe vit shkollor që të përdorin vetëm dy libra mësimor të miratuar. 

Në Rumania ministri i Arsimit ka propozuar përdorimin e vetëm një libri mësimor në vit për çdo lëndë për të gjtihë vendin. Kritikët paralajëmrojnë, që librat e njësuar mësimor të kujtojnë kohën para viti 1989 nën diktatorin Çaushesku.

Në përgjithësi ndryshimet e librave shkollorë dhe planeve mësimore janë problematike, "nëse mësimi në shkollës është i orientuar qartë në përçimin e një botëkuptimi të caktuar si i vlefshëm në përgjithësi", thotë Christiane Brandau, nga Instituti Georg-Eckert për Studimet Ndërkombëtare mbi Librat Shkollorë në Braunschweig.

Nga perspektiva e Peter Rado-s kjo vlen për Hungarinë: "Indoktrinimi nacionalist dhe fetar del edhe përtej librave shkollorë", thotë ai në bisedë për DW. Studiuesi tërheq vëmendjen, se në shkollat hungareze edukimi fetar është i paalternativë: "Teorikisht mund ta zëvendësosh lëndën e fesë me atë të etikës, por në përmbajtje ato nuk ndryshojnë."

Teoria e evolucionit e Darvinit "shumë e ndërlikuar"

Shembullin më të spikatur në këtë drejtim e sjell Turqia. Që nga vitet 1980 në librat shkollor në Turqi përfshihet edhe kreacionizmi. Tani teoria e evolucionit e Charles Darvinit do të mësohet vetëm në formë të thjeshtuar nëpër shkolla. "Shumë e ndërlikuar", "shumë kontroverse" është kjo lëndë për mësimin në shkolla, kështu është formuluar deklarata zyrtare nga Ministria e Arsimit në Ankara. Në vend të teorisë së evolucionit tani do të futet një lëndë e re me emrin "Qeniet e gjalla dhe mjedisi".

Hatice Karahan është një ndër drejtueset e konsulenteve të presidentit turk Erdogan. Në intervistë për DW ajo e mbron këtë kurikulum turke. Heqjen e teorisë së evolucionit nga plani mësimor ajo nuk e sheh në kundërshtim me përparimin e shkollave turke. "vendet kanë plane të ndryshme mësimore dhe tek ne shumë shkolla fokusohen në lëndët teknike", shpjegon Karahan. Nga qarqet akademike dhe opozita në të kundërt vjen kritikë e ashpër. "Të hiqet nga planet mësimore një teori e dëshmuar, do të thotë, të nënçmosh dijen dhe shkencën. Qeveria e AKP-së e zëvendëson atë me një program, që përmban parimet e sheriatit", thotë Baris Yarkadas, deputet nga Stambolli i partisë më të madhe opozitare, CHP.

Kritikët druajnë, se kjo është një përpjekje e partisë islamiste-konservatore AKP për t'i zbehur parimet sekulariste të Turqisë. Ata tërheqin vëmendjen edhe, se në planet e reja mësimore ka më pak mësime se deri më sot lidhur me themeluesin e shteti laik Mustafa Kemal Atatürk.

Politikanët në librat e historisë 

Rusia është një shembull lapidar për trajtimin dhe interpretimin e personaliteteve. Edukimi patriotik ka kohë që është pjesë e politikës së arsimit. Kështu p.sh. një libër mësimor i historianit Andrej Suslov për represionet e Stalinit është klasifikuar si "i dëmshëm për shëndetin e fëmijëve". Diktatura e tij në shkollat ruse shpjegohet si e domosdoshme për raportet e atëhershme dhe kësisoj ajo legjitimohet. Kampet e internimit dhe vrasjet e kritikëve të regjimit nuk i përshtaten imazhit të heroit. Suslov lufton në gjykata, në mënyrë që vepra e tij të hiqet nga lista e zezë.

Një metodë e vjetër është edhe glorifikimi jo vetëm i heronjve të vjetër kombëtar, por edhe i politikanëve që jetojnë duke u dhënë atyre vend në librat e historisë. Kryeministri hungarez Orban p.sh. në një libër të ri historie citohet disa herë si babai i paparti i atdheut. Nxënësit mësojnë nga një fjalim i tij lidhur me krizën e refugjatëve. Sipas tij Hungaria është kulturalisht një vend homogjen dhe në dallim nga ish-fuqitë koloniale ai nuk do ta viktimizojë këtë homogjenitet. 

Edhe në Poloni gjatë vitit 2016 mijëra vetë protestuan kundër planeve të qeverisë për reformën arsimore të ndërmarrë nga qeveria nacional-konservatore "Ligj dhe drejtësi" (PiS). Në Poloni fokusi ndaj historisë kombëtare ngre mjaft pikëpyetje: Që nga ky vit shkollor mësimi i historisë nuk fillon më me antikitetin, por me shekullin e 10-të, kur princi Mieszko I. themeloi shtetin polak dhe e drejtoi atë nga kristianizmi. "Me këtë nxënësit për një vit rresht njihen me një galeri të gjatë të heronjve kombëtarë", shpjegon Jacek Staniszewski.

Ai si mësues historie pavarësisht ndryshimeve në planin mësimor nuk do ta ndryshojë orën e tij të mësimit. "Nxënësit e mi meritojnë të njohin më shumë se vetëm një perspketivë", thotë ai. Ndryshe nga Hungaria, në Poloni mësuesit kanë mundësi të përzgjedhin ndër një numër të madh veprash mësimore dhe nuk janë të detyruar që të përdorin një libër të caktuar. Staniszewski ka besim: "është naive nga ana e qeverisë, që përpiqet të indoktrinojë njerëzit. Sepse kësaj nuk ia dolën as komunistët për një çerek shekulli."