1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia dhe Siria zihen për të drejtën e fluturimeve

Ole Kämper / Esat Ahmeti16 Tetor 2012

Marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet Sirisë dhe Turqisë janë përkeqësuar edhe më shumë. Pas Sirisë edhe Turqia ka mbyllur hapësirën e saj ajrore për fluturimet e vendit fqinj.

https://p.dw.com/p/16QKH
Fotografi: AP

Ajo që filloi si një konflikti kufitar, është kthyer ndërkohë në një mosmarrëveshje në lidhje me të drejtat e fluturimeve ajrore: Që nga e shtuna (13.10.) hapësira ajrore siriane është tabu për avionët turqë: avionët e Turqisë as nuk mund të fluturojnë mbi Siri e as të aterojnë në tokën siriane. Qeveria turke u përgjigj nga ana tjetër me mbylljen e hapësirës së saj ajrore për avionët sirianë.

Të mërkurën, qeveria turke detyroi të ulet në tokë një avion sirian pasagjerësh që ishte nisur nga Moska. Shërbimi i fshehtë turk kishte informata për një ngarkesë të dyshimtë, u tha në Ankara. Airbusi A-320 u përcoll më pas nga avionët luftarak turk F-16 dhe u detyrua të ulet në tokë. Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan në fund konfirmoi gjetjen e "mjeteve ushtarake" në avion por qeveria ruse i hodhi poshtë akuzat. Bëhej fjalë për një ngarkesë legale të pjesëve të radarëve, tha ministri i jashtëm rus Sergej Lawrow.

Avioni sirian u detyrua të ulet në tokë
Avioni sirian u detyrua të ulet në tokë (15.10.)Fotografi: AP

Gjatë një vizite në Ankara ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle shprehu mirëkuptim për veprimet turke. "Turqia nuk duhet të durojë që përmes hapësirës së saj ajrore të transportohen armë në Siri", tha ai. "Nëse ne gjermanët do të ishim në një situatë e tillë edhe ne do të kishim bërë të njëjtën gjë". Njëkohësisht Westerwelle u bëri thirrje palëve për maturi.

Marrëveshjet ndërkombëtare lejojnë fluturimet tranzit

"Hapësira ajrore mbi një territor shtetëror i përket atij shteti", sqaron në një intervistë me Deutsche Welle-n, Elmar Giemulla, ekspert i legjislacionit të aviacionit në Universitetin Teknik të Berlinit. Në bazë të të së drejtës ndërkombëtare vendi i prekur mund të përcaktojë vet se kush mund të fluturojë mbi territorin e tij dhe me çfarë ngarkesash në bord - civile apo ushtarake. Kjo rrjedh nga ideja e sovranitetit të shteteve. "Sigurisht, çdo shtet ka gjithashtu të drejtë të vendosë se sa heq dorë ai nga këto të drejta", thotë ai.

Në fakt, Siria dhe Turqia iu bashkuan në vitin 1944 një marrëveshjeje që i lejon nënshkruesit të kryejnë fluturime pa kërkuar lejen paraprake - por vetëm për qëllime civile, thekson Marcus Schladebach, ekspert për legjislacionin e aviacionit në Universitetin e Kiel-it. Në rastin e avionit sirian të detyruar të ulet në Turqi çështja kyçe është nëse pjesët e konfiskuara janë me të vërtetë ushtarake apo shërbejnë për qëllime civile. Në rast se ngarkesa në bord ka qenë ushtarake atëherë fluturimi nuk ka qenë në kuadër të marrëveshjes dhe për këtë arsye është dashur të kërkohet një autorizim paraprak.

Guido Westerwelle shpreh mirëkuptim për veprimet truke
Guido Westerwelle shpreh mirëkuptim për veprimet trukeFotografi: dapd

Jo dhunë me armë kundër avionëve të pasagjerëve

Kur një avion hyn pa leje në hapësirën ajrore të një shteti, ekzistojnë një numër kundërmasash që mund të ndërmarrë vendi i prekur: Fillimisht avioni kontaktohet me radiolidhje. Pastaj mund të dërgohen avionët interceptorë të cilët i bëjnë me dije pilotit ose të largohet nga hapësira ajrore ose të ndjekë avionët luftarakë. Vetëm në rast kur piloti nuk reagon atëherë një avion mund të detyrohet që të ulet në tokë, si në rastin e avionit sirian. "Në këtë pikë situata natyrisht që bëhet kritike", thotë Elmar Giemulla nga Universiteti Teknik i Berlinit. Varësisht nga sjelljet e ekupipazhit gjendja mund bëhet shumë e rrezikshme. Gjithashtu nuk dihet nëse Turqia ka ndërmarrë të gjitha masat e tjera para se të detyrojë Airbusin sirian që të ulet në tokë.

Por armët nuk mund të përdoren kundër avionëve të pasagjerëve, sqaron Marcus Schladebach i Universitetit të Kiel-it. Ndalimi ka hyrë në fuqi pas rastit të vitit 1983 kur forcat ajrore sovjetike qëlluan një avion korean pasagjerësh. Avioni kishte humbur drejtimin dhe ishte futur gabimisht në territorin sovjetik. Avionët luftarak sovjetik e kanë qëlluar atë mbi ishullin Sachalin. Gabimisht ishte menduar se ai ishte një avion spiunazhi. Të gjithë 269 pasagjerët në bord patën humbur jetën.

Për avionët turq hapësira ajrore siriane mbetet tabu
Për avionët turq hapësira ajrore siriane mbetet tabuFotografi: AP