1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Turqia detyron uljen e një avioni sirian

Incidenti pritet t'i rëndojë edhe më shumë marrëdhëniet e tensionuara mes Turqisë dhe Sirië. Flota ajrore turke detyroi një avion sirian pasagjerësh të ulej në Ankara, pasi në bord dyshohej se kishte armë ruse.

Ulja e detyruar në Ankara e një avioni sirian që udhëtonte nga Moska për Damask ka rënduar marrëdhëniet turko-ruse. Rusia kërkoi sqarime dhe e akuzoi Turqinë për pirateri në hapësirën ajrore. Shefi i Kremlinit Vladimir Putin anuloi një vizitë të planifikuar për ditën e hënë në Turqi.

Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutogllu deklaroi se kishte informacione sipas të cilave "ngarkesa e avionit nuk ishte në përputhje me rregullat e transportit ajror civil". Pas kësaj avionët e tipit F-16 u ngritën në ajër dhe e detyruan avionin e shoqërisë "Syrian Arab Airlines", të ulej në Ankara.

Në aeroportin e kryeqytetit turk një njësi speciale e kontrolloi avionin e tipit Airbus A320 dhe mesa duket me sukses: sipas të dhënave të ministrit Davutogllu një pjesë e ngarkesës u sekuestrua. Ministri nuk dha megjithatë hollësi të mëtejshme.

Armë në bordin e avionin?

Mediet turke njoftojnë se avioni që vinte nga Moska, kishte në bord pjesë për raketa, zhurmues dhe paisje komunikimi. Gazeta "Hürriyet" shkruan se kontrolli i ngarkesës ka shkaktuar një grindje mes përfaqësuesve të autoriteteve turke dhe diplomatëve rusë. Sipas gazetës përfaqësuesit e Rusisë protestuan kundër hapjes së kutive të deklaruara si bagazh diplomatik. Mallrat e dyshuara ushtarake ishin zbuluar në paketa të veçanta brenda këtyre kutive.

Moska është një aleate e ngushtë e pushtetmbajtësit sirian Bashar el-Asad dhe furnizuesi i tij kryesor i armëve. Vetë avioni u la sërish i lirë. Të enjten (11.10.'12) në mëngjes ai vazhdoi udhëtimin drejt Damaskut.

Frikë nga masa shpaguese

Autoritetet turke paralajmëruan shoqëritë ajrore të vendit të mos përshkojnë hapësirë ajrore siriane. Kështu synohet mesa duket të shmanget ndonjë aksion shpagues nga regjimi i Asadit.

Në konfliktin me Sirinë, Turqia është pozicinuar hapur në anën e kryengritësve dhe u ka dhënë strehë rreth 100.000 refugjatëve sirianë dhe opozitarëve të rëndësishëm. Prej gati një jave në kufirin turko-sirian goditet vazhdimisht me granata nga Siria, turqit i janë përgjigjur zjarrit. Nëse sulmet nuk do të marrin fund, "kundërpërgjigja do të jetë më e fortë", ka njoftuar ushtria turke.