1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Turqia demonstron forcën ushtarake - Goditen nga ajri caqet kurde

Në konfliktin mes ushtrisë turke dhe rebelëve kurdë në juglindje të Turqisë, të cilët kërkojnë më shumë autonomi, gjendja është përshkallëzuar në një konflikt të armatosur. Ushtria turke sulmoi nga ajri 60 caqe rebele.

Trupat turke patrullojnë në provincën Hakar, në juglindje të Turqisë

Trupat turke patrullojnë në provincën Hakar, në juglindje të Turqisë

Shtabi i Përgjithshëm turk i konfirmoi zyrtarisht sulmet ushtarake. Operacioni në zonën kufitare turko-irakiane është kryer me sukses, janë goditur nga ajri 60 caqe të organizatës terroriste si edhe janë sulmuar 168 syresh me artileri, informon shtabi turk. Që të mërkurën presidenti turk, Abudall Gyl dhe kryeministri Rexhep Taip Erdogan paralajmëruan se do të reagojnë ndaj sulmit, madje dhunshëm. Ajo që të bie në sy është se ushtria turke i kreu sulmet nga ajri gjatë natës dhe nuk e priti ditën e së enjtes.

Qeveria turke do të qetësojë popullin

Sipas strategut ushtarak dhe ish-oficerit Atilla Sandykly, qeveria synonte të qetësonte me këtë zemërimin në popull. "Opinionit publik turk i kanë ardhur në majë të hundës sulmet permanente ndaj ushtarëve, durimi ka marrë fund. Prandaj u kryen këto sulme. Qeveria me këtë demonstron superioritetin e ushtrisë turke. Sepse nuk ka shumë shtete në botë që të mund të kryejnë sulme nga ajri natën dhe me sisteme armatimesh, që janë jo vetëm moderne, por edhe precize."

Zemërimi brenda popullit turk pas sulmeve është i madh. Ushtarët e plagosur turq transportohen në spital

Zemërimi brenda popullit turk pas sulmeve është i madh. Ushtarët e plagosur turq, pas sulmit kurd transportohen në spital

Ushtarakisht sulmet në zonën kufitare mes Irakut dhe Turqisë drejtoheshin kundër rebelevë kurdë. Por ato përmbushin edhe një funksion politik. Opinionit turk qeveria konservatore-religjioze do t'i tregojë: Shikoni ne veprojmë, megjithëse jemi në muajin e Ramazanit. Kryetari i qeverisë, Erdogan: "Ne do të kishim dëshiruar që muaji i i shenjtë i Ramazanit të mos prishej nga një ngjarje e tillë. Donim të ishim të durueshëm. Por për fat të keq fenomeni i terrorizmit nuk bën asnjë dallim mes fesë, kombit, gjuhës dhe racës."

Sulmet turke do të intensifikohen

Në fillim të javës, Erdogani ishte shprehur se do të pritej fundi i muajit të Ramazanit për të reaguar ushtarakisht ndaj sulmeve të rebelëve. Kjo deklaratë hasi në shumë kritika të opozitës, sidomos tek krahu nacionalist i saj. Strategu ushtarak, Atila Sandykly parashikon intensifikimin e sulmeve turke kundër rebelëve kurdë në javët e ardhshme. Ai nuk ndan opinionin e disa analistëve sipas të cilëve ushtria turke do të futet edhe në veriun e Irakut për të ndjekur terroristët.

Kryeministri turk Erdogan me ushtarakë të lartë turql

Kryeministri turk Erdogan me ushtarakë të lartë turql

"Nuk mendoj se do të ketë një operacion ushtarak përtej kufijve kundër Partisë Punëtore Kurde. Edhe brenda Turqisë konflikti është i madh. Unë llogaris në ditët e javët e ardhshme me operacione të gjera brenda vendit, madje jo vetëm kundër terroristëve të armatosur, por edhe kundër përkrahësve të tyre në qytete."

Konflikti mes ushtrisë turke dhe kurdëve është ashpërsuar se tepërmi muajt e fundit. Që nga mesi i Qershorit kanë humbur jetën më shumë se 30 ushtarë. Organizata terroriste dhe grupet e saj ilegale i justifikojnë sulmet e tyre me kërkesën për më shumë autonomi për popullsinë kurde në juglindje të Turqisë.

Autor: Steffen Wurzel / Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti