1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Turqia: 25 vjet pritje për të hyrë në BE

Shumica e turqve e kanë humbur besimin në procesin e anëtarësimit në BE. Për qeverinë ky është ende një synim i vlefshëm, por jo patjetër

***ACHTUNG: This material Nënshkrimi i protokollit mes Turqisë dhe Komunitetit ekonomik Evropian

Nënshkrimi i protokollit mes Turqisë dhe Komunitetit Ekonomik Evropian

Pritja 25 vjeçare e Turqisë për të hyrë në BE nuk e ka ndryshuar qëllimin e Turqisë për t'u anëtarësuar. Por vendi me gjithnjë e më shumë vetëbesim në vetvete ka tani një tjetër këndvështrim për BE dhe po ndjek një strategji të re për të arritur qëllimin e vet.

“Anëtarësimi në BE është një qëllim strategjik dhe një politikë shtetërore e vendit tonë për më shumë se një gjysëm shekulli,” tha për DW ministri turk i BE-së dhe kryenegociatori Egemen Bagis. “Ne nuk heqim dorë nga qëllimi ynë strategjik për shkak të disa politikave të papërgjegjshme të disa politikanëve dritëshkurtër në Europë,” tha ai, duke nënkuptuar kundërshtarët e fortë të Turqisë në BE, si presidentin francez Nicolas Sarkozy, i cili ka arritur të ngrijë një pjesë të bisedimeve për anëtarësimin.

Turqia është vendi, që pret më së shumti në listën e pranimit të BE-së. 25 vjet më parë me 14 prill 1987 Ankara aplikoi zyrtarisht për anëtarësim të plotë. Rruga e Turqisë për në BE i ka fillimet në vitin 1959, kur Turqia aplikoi për anëtarësim të asociuar në organizatën pararendëse, European Economic Community (EEC). Që prej aplikimit zyrtar të Turqisë për anëtarësim në BE 15 vende janë pranuar në këtë klub. Ndërsa Turqia vetëm ka filluar negociatat për pranim në vitin 2005. Për shkak të problemeve të pazgjidhura ky proces thuajse është ndalur gjatë viteve të fundit. Sipas ministrit Bagis pengesat me të cilat përballet Turqia sot janë të padrejta dhe të motivuara politikisht.

Turqit kritikojnë BE për standart të dyfishtë

Egemen Bagis, ministri turk i Europës

Egemen Bagis, ministri turk për Europën

Dr. Cengiz Aktar i universitetit Bahcesehir është mbështetës i fortë i procesit të reformave në Turqi dhe i anëtarësimit në BE. Ai thotë se ka disa shkallë përgjegjësie në të dyja anët, për vonesën e gjatë në proces dhe për bllokimin aktual. Aktar është më kritik në lidhje me qëndrimin e BE-së ndaj Turqisë. “Që nga fillimi i këtij procesi BE nuk e trajton Turqinë në pozitë të barabartë me vendet e tjera kandidate. Për fat të keq standartet e dyfishta janë bërë karakteristikat kryesore të këtij procesi", tha ai për DW.

Mbështetja për anëtarësimin në BE në Turqi ka rënë në 38% në vitin 2010, ndërsa në vitin 2004 73% e opinionit turk mendonte se anëtarësimi është "gjë e mirë", konstaton një sondazh i German Marshall Fund.

BE si mbështetje ekonomike dhe politike

Procesi i anëtarësimit në BE për një kohë të gjatë është parë në Turqi si një bazë e rëndësishme ekonomike dhe politike. Procesi çoi në reforma kyçe demokratike në Turqi nga viti 2000 deri 2005. Investimet e huaja direkte janë rritur ndjeshëm, duke lehtësuar bumin ekonomik të Turqisë. Sot anëtarësimi në BE nuk është me sa duket një prioritet kryesor për partinë qeverisëse të Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP).

"Qeveria turke po vazhdon procesin e reformave, por në një mënyrë selektive. Unë e përshkruaj këtë si një proces reformash "a la carte". Qeveria nuk është duke pranuar normat dhe standartet e BE në tërësi, por bën seleksionimin ndërmjet tyre në përputhje me prioritetet politike të vendit", thotë dr. Aktar.

Ministri turk për BE nuk pajtohet me kritikat. “Megjithë pengesat e motivuara politikisht, të ngritura kundër bisedimeve për anëtarësimin tonë, ne jemi duke ndjekur agjendën e reformave dhe duke kryer reforma për të përmbushur standartet e BE", thotë Egemen Bagis. “Në cilin vend evropian sot mund të shohësh një rrugë kaq të shpejtë reformash, një dëshirë kaq të madhe politike për ndryshime, siç kemi ne aktualisht në Turqi", theksoi Bagis.

Vetëbesimi i turqve dhe “euro-sarkazma”

Sipas ekspertit të BE-së, Cengiz Aktar, që kur Turqia hyri në një erë të re nën qeverisjen e AKP-së, pikëpamjet e elitës politike dhe të njerëzve të zakonshëm lidhur me procesin e BE-së kanë ndryshuar shumë shpejt. Shumica e turqve me sa duket kanë humbur besimin në anëtarësimin në BE. Për qeverinë ky është ende një synim për të cilin ia vlen, por jo patjetër.

“Qeveria turke ka fituar shumë vetëbesim. Biles mund të flasim për mbivetëbesim", i tha dr. Aktar DW. “Dhjetë vjet më parë procesi i BE ishte një lloj mjeti për reforma. Por kohët e fundit BE ka humbur të gjithë ndikimin e vet në Turqi. Tani faktori determinues është dinamika e brendshme, kështu që reformat janë të ngadalta dhe rezultati i limituar", thotë ai.

Dr. Aktar vë në dukje një prirje të re në opinionin publik turk. Një perceptim të ri të BE-së. “Në të kaluarën ka patur shembuj të ndryshëm të euro-skepticizmit në opinionin publik turk. Tani me rritjen e vetëbesimit të Turqisë ne jemi duke vënë re një prirje të re, që unë e quaj euro-sarkazëm. thotë dr. Aktar. “Ky është një qëndrim i çuditshëm, por gjithnjë e më i përhapur. Ne gjithnjë e më shumë dëgjojmë opinone si….Europa është në një kohë të vështirë …Le ta shpëtojmë ne Europën nga kriza e kështu me rradhë…Për fat të keq herë pas here qeveria po e inkurajon këtë qëndrim me deklaratat e saj populiste."

“BE duhet të japë një datë të arsyeshme për pranim'

Edhe pse negociatat e Turqisë dhe BE-së kanë ngelur në vend, 25 vjet pas aplikimit zyrtar për anëtarësim dr. Aktar nuk është pesimist për të ardhmen. “Disa të përpjeta e të tatëpjeta janë të zakonshme në procesin e gjatë dekadësh Turqi BE. Ringjallja e këtij procesi është e mundshme", tha ai për DW. “Për këtë ne duhet të presim së pari rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në France dhe vitin e ardhshëm zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani. Pas kësaj të dyja palët do të ulen në tavolinë dhe të vendosin për të ardhmen e këtij procesi."

Ai theksoi se pa një perspektivë konkrete do të ishte e pamundur të rifitohet besimi i Turqisë “Për mua viti 2023, 100 vjetori i republikës moderne turke, është data e arsyeshme për anëtarësimin eventual të Turqisë", tha Aktar.

Autor: Ayhan Simsek/Angjelina Verbica
Redaktoi: Elert Ajazaj