1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Turqi: Turizmi me humbje për shkak të problemeve të sigurisë

Turqia është destinacion turistik i njohur. Por shumë vizitorë frikësohen nga përshkallëzimi i sulmeve terroriste, si në konsullatën e SHBA në Stamboll. Turizmi në Turqi mund të pësojë deri në 5 miliardë dollarë humbje.

Turqia ishte e gjashta nga destinacionet turistike tërheqëse në botë në vitin 2014, me 42 milion vizitorë. Të ardhurat e vendit nga turizmi janë 30 bilion dollarë. Megjithatë sulmet e fundit terroriste dhe trazirat pas bombardimeve në Suruc kanë rritur shqetësimet për sigurinë në Turqi. Së bashku me këto shqetësime operacionet e qeverisë kundër milicëve terroristë të "Shtetit Islamik" dhe PKK-së kurde kanë çuar në një rënie dramatike të të ardhurave të përgjithshme, që krijohen nga turizmi.

Instituti turk i Statistikave (TÜİK) tregon një rënie prej 13.8 për qind në gjashtë muajt e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2014.

Nëntë vende kanë nxjerrë paralajmërime për udhëtimet në Turqi

Rënia e turizmit turk ka filluar vitin e kaluar, kur BE-ja vendosi sanksione ndaj Rusisë për shkak të krizës në Ukrainë. Turqia, e cila pret rreth 4,5 milionë turistë rusë çdo vit, është përballur me një rënie 30 për qind të vizitorëve rusë për shkak të krizës ekonomike në Rusi.

Luftërat civile në vendet fqinje si Iraku dhe Siria kanë kontribuar gjithashtu në pakësimin e numrit të turistëve në Turqi. Operacionet e forcave të sigurisë turke kundër PKK dhe "Shtetit Islamik" shkaktojnë shqetësime në lidhje me sigurinë në Turqinë lindore, por edhe në qytetet turistike në brigjet e Mesdheut dhe të Egjeut.

Pas sulmit vdekjeprurës në Suruc nëntë vende, duke përfshirë Gjermaninë dhe Rusinë, kanë lëshuar paralajmërime për qytetarët e tyre, për të mos udhëtuar në rajonet kufitare të Turqisë. Shtatë vende të tjera, Zelanda e Re, Australia, Italia, Britania e Madhe, Polonia, Irlanda dhe Kanada, kanë inkurajuar qytetarët e tyre që të shmangin qytetet lindore turke. Disa kanë këshilluar qytetarët e tyre të jenë të kujdesshëm, nëse përdorin transportin publik në qytetet e mëdha.

Turqia heton sulmet në konsullatën amerikane në Stamboll dhe në një stacion policor

Turqia heton sulmet në konsullatën amerikane në Stamboll dhe në një stacion policor

"Ne përpiqemi për të provuar se Turqia është e sigurtë”'

Duke patur parasysh këto zhvillime, viti 2015 mund të jetë një "vit i humbur" për turizmin turk. Nga ana tjetër qeveria ka hezituar të komentojë këtë situatë negative. Zëvendësministri i Kulturës dhe i Turizmit, Abdurrahman Arici, i tha agjencisë Anadolu se ka pasur përpjekje për të krijuar imazhin e një "vendi të rrezikshëm" për Turqinë. Për të ndryshuar këtë ministria ka organizuar ekspozita në Evropë, shtoi ai. Sipas ministrit ata kanë tërhequr rreth 200.000 më shumë turistë gjermanë.

Megjithatë përfaqësuesit e turizmit janë ende të shqetësuar për situatën. Cem Polatoglu, kreu i Platformës Tour, i tha DW se turizmi turk ishte i përgatitur për t'u përballur me pasojat e krizës ekonomike ruse, por sulmet e papritura terroriste janë bërë problem serioz për sektorin. Shumë turistë e kanë shmangur Turqinë Lindore për shkak të sulmeve të PKK-së dhe operacioneve ushtarake të qeverisë. Sipas Polatoglu situata nuk pritet të përmirësohet së shpejti. Ai gjithashtu mendon se rritja e numrit të refugjatëve në vendpushimet si Bodrumi ndikon negativisht në turizmin turk.

Çmime më të ulëta për të tërhequr turistët

Një qytet, i cili po humbet vizitorët për shkak të krizës së refugjatëve, është Izmiri. Mehmet Isler, presidenti i Ndërmarrjeve Turistike të Egjeut dhe Unionit të Strehimit, tha: "Kjo tragjedi humanitare sjell qindra e mijëra njerëz në brigjet tona, të cilët po përpiqen për të ikur në Evropë. Të gjitha parqet dhe kopshtet në Izmir janë të mbushura me këto njerëz. Sipas Isler momentalisht në Izmir ndodhen rreth 130.000 refugjatë sirianë. "Na trishton të asistojmë në një tragjedi të tillë. Sidoqoftë kjo është shumë gjë e keqe për turizmin gjatë kulmit të sezonit dhe Panairit Ndërkombëtar të Izmirit", deklaroi ai.

Sipas mendimit të tij rritja e islamofobisë në të gjithë Evropën e prek edhe turizmin turk. "Destinacionet turistike rivale janë po përpiqen të tërheqin më shumë vizitorë, duke shfrytëzuar gjendjen tonë aktuale. Me qëllim që të mbajmë atë që kemi, ne kemi ulur çmimet 25 për qind. Sikur të mos e kishim bërë këtë, numri i turistëve, që vijnë në Turqi, do të kishte rënë edhe më shumë", thotë Isler. Ai vlerëson se të ardhurat nga turizmi në Turqi do të reduktohen më shumë se 5 miliardë dollarë në vitin 2015. Për të parandaluar humbjet e mëtejshme, Turqia ka nevojë për një plan qeveritar emergjence, thotë Isler, duke shtuar se 2016 do të jetë edhe më keq, në qoftë se imazhi i vendit të tij në Evropë nuk përmirësohet.