1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Turqi: Më shumë kontroll mbi gjyqësorin?

Parlamenti turk miraton reformën e diskutueshme për gjyqësorin. Reforma parashikon një varësi më të madhe të Këshillit të Lartë të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve nga Ministria e Drejtësisë.

Grindje, grushta, një hundë dhe një gisht i thyer. Ky ishte bilanci i seancës së parlamentit turk në të cilën u miratua më 16.02.2014 reforma e diskutueshme për gjyqësorin. Bëhet fjalë për Këshillin e Lartë të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, i cili është përgjegjës për mbikëqyrjen dhe kontrollin e pavarur të gjykatave. Ky këshill është gjithashtu përgjegjës për emërimin e gjykatësve dhe të prokurorëve. Reforma parashikon një varësi më të madhe të këtij këshilli nga Ministria e Drejtësisë.

Projektligji i partisë islamiko-konservatore AKP i Recep Tayyip Erdoganit i shpallur në janar u shoqërua me kritika jo vetëm në parlament, por edhe me demonstrata në rrugë. Edhe presidenti turk Abdullah Gyl dhe Bashkimi Evropian paralajmëruan se ky projektligj mund të shkelin parimin e ndarjes së pushteteve. Gjatë vizitës së tij të fundit në Bruksel Erdogani siguroi se do të respektojë sundimin e ligjit. Por edhe pse projektligji u përmirësua, kritikat nuk po pushojnë.

Skandali i korrupsionit

Qeveria e Erdoganit është e përfshirë që nga dhjetori i vitit të kaluar në një skandal të rëndë korrupsioni. Bëhet fjalë për ryshfet dhe mitmarrje, transaksione të paligjshme ari me Iranin dhe projekte të paligjshme ndërtimi. Ka pasur dhjetëra arrestime, ndër të cilët kanë qenë edhe politikanë të lartë dhe biznesmenë, si dhe djemtë e disa ministrave. Erdogan u përgjigj me një fushatë spastrimi në Gjykatat e Larta, Prokurorëve dhe Polici, ku u pushuan nga puna apo u transferuan me detyrim shumë gjyqtarë, prokurorë apo policë.

Sipas Erdoganit sfondi i hetimeve duhej kërkuar te një "shtet paralel", që do të kontrollohet nga predikuesi islamik Fethullah Gylen (Gülen) - një ish-aleat i Erdoganit, i cili jeton tani në SHBA.

Lami Bertan Tokuzlu

Lami Bertan Tokuzlu

Edhe profesori i drejtësisë Lami Bertan Tokuzlu mendon se reforma aktuale gjyqësore lidhet me pushtetin që ka lëvizja Gylen. "Lëvizja Gylen është me shumë ndikime si në Ministrinë e Drejtësisë dhe tek Këshilli i Lartë i Gjyqtarëve dhe i Prokurorëve. Falë këtij pozicioni qe e mundur të mblidheshin prova përmes përgjimit dhe regjistrimit të bisedave telefonike." - tha Tokuzlu për DW. Këto prova janë përdorur kundër qeverisë së Erdoganit, e cila e sheh këtë si revoltë dhe justifikon me këtë reformën e re gjyqësore, sqaron Tokuzlu. Por mbledhja e provave dhe ndjekja penale bëhen në bazë të vendimeve të gjykatës dhe janë brenda kuadrit ligjor, sqaron Tokuzlu. "Prandaj është e qartë se kjo është luftë për pushtet," thotë profesori i drejtësisë.

Rritet ndikimi i ministrit të Drejtësisë

Këshilli i Lartë i Gjyqtarëve dhe i Prokurorëve kishte pas reformës së vitit 2010 një pavarësi të gjerë nga Ministria e Drejtësisë. Por sipas Tokuzlu kjo pavarësi u mundësoi organeve të drejtësisë që të punonin pa përzjerjen e ministrit të Drejtësisë në punët e tyre. Por tani që hetimet prekën edhe sferat qeveritare dhe interesat e tyre, ato duan ta ndryshojnë këtë pavarësi, mendon Tokuzlu.

Sapo ligji i miratuar të hyjë në fuqi, lirimi nga detyra i anëtarëve aktualë të këshillit brenda dhjetë ditësh është i paraprogramuar. Edhe anëtarët e rinj do të emërohen nga ministri i Drejtësisë po brenda kësaj periudhe. Dhe me siguri do të emërohen njerëz me të cilët ministri mund të bashkëpunojë më mirë, mendon profesori i drejtësisë Lami Bertan Tokuzlu.

Pavarësia e gjyqësorit është një aspekt i rëndësishëm i demokracisë, thotë Tokuzlu. "Në Turqi ka pasur javët dhe muajt e fundit goditje sidomos të prokurorëve që kanë hetuar krimet e kohëve të fundit. Është e rëndësishme që prokurorët të jenë të pavarur. Simboli i kësaj pavarësie është Këshilli i Lartë i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Dhe në qoftë se Këshilli kalon në kompetencë të ministrit të Drejtësisë, atëherë nuk mund të flitet më për një gjyqësor të pavarur," - tha për Deutsche Wellen Tokuzlu.