1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Turqi: Lufta për pushtet me Lëvizjen Gülen dobëson Erdoganin

Dikur qeveria e Erdoganit dhe Lëvizja Gülen kishin bashkëpunuar, por sot kjo lëvizje është forcuar shumë më tepër se sa donte partia konservatore AKP e Erdoganit.

Lëvizja Gülen, e udhëhequr nga predikuesi Fethullah Gülen quhet në publik herë si OJQ, herë si një rrjet politik, e herë si një komunitet fetar apo një sekt islamik. Eksperti për Turqinë Günter Seufert, që punon pranë fondacionit SWP në Berlin thotë për DW se Lëvizja Gülen është "një bashkësi fetare, e cila është e përqendruar kryesisht tek vetë Gülen-i. Por ajo në të njëjtën kohë e konsideron edukimin e vet fetar si një mision qytetar dhe për më tepër ka një vullnet të fortë politik për të krijuar. Ky është një fenomen që ne nuk e njohim në shoqëritë tona në Evropë."

Lëvizja la lindur si rezultati i predikimeve të Fethullah Gylen i cili i riinterpreton kërkesat morale dhe etike të fesë islame ndaj besimtarëve. Pra që nuk është fjala vetëm që të jetohet thjesht sipas traditave, por edhe që përmes eksplorimit të natyrës, të gjesh në ligjet e natyrës dhe të fizikës Perëndinë.

"Lufta për pushtet mes qeverisë së Erdoganit dhe Lëvizjes Gülen manifestohet sot në atë që pasuesit e Lëvizjes Gülen bëjnë sot politikën e tyre - në aparatin shtetëror, polici, por edhe në gjyqësor, ushtri dhe në Ministrinë e Brendshme. Politika e tyre synon kryesisht të dobësojë qeverinë dhe për t'i dhënë asaj të shtëna paralajmëruese, sepse Lëvizja Gülen e ndjen veten të kërcënuar. Dikur qeveria e Erdoganit dhe Lëvizja Gülen kishin bashkëpunuar për të dobësuar ndikimin e ushtrisë ndaj politikës dhe për të dobësuar elitën sekullare të vendit. Por tani kjo lëvizje është forcuar shumë më tepër se sa donte partia konservatore AKP e Erdoganit dhe ajo nuk ka vetëm ndikim në aparatin shtetëror, por ka në përbërje edhe shumë sipërmarrës që përfitojnë prej shtetit. Një ndër shkaqet e mosmarrëveshjeve është edhe pasuria." - thotë Dr. Günter Seufert.

Thuajse asnjë dallim ideologjik

Si Lëvizja Gülen edhe partia AKP e Erdoganit janë islamiste dhe konservative dhe në nivel ideologjik kanë pak ndryshime. Të dy kanë një identitet të fortë mysliman, nga pikëpamjet shoqërore dhe morale janë konservatore, theksojnë shumë rolet tradicionale gjinore dhe kanë një identitet të fortë kombëtar turk. Përveç kësaj, ata himnizojnë të kaluarën osmane të Turqisë.

Dallime ka në qëndrimin ndaj kurdëve apo ndaj SHBA-së. Lëvizja Gülen nuk është dakord me qëndrimin kritik të qeverisë turke ndaj Izraelit dhe pjesërisht edhe SHBA.

Emër të mirë në SHBA

Në botë Lëvizja Gülen shihet si një lëvizje qytetare. Në SHBA ajo ka një emër relativisht të mirë, sepse konsiderohet si rrymë reformuese e fesë islame dhe angazhohet për ndarjen e fesë nga shkolla dhe për dialogun mes feve. Por ajo nuk ka fuqi politike jashtë vendit. Në Turqi ka shumë që mendojnë se hetimet që po bëhen për korrupsion kundër djemve të tre ministrave kryesorë të qeverisë së Erdoganit, lidhen me veprimtarinë e kësaj lëvizjeje.

Dobësim i Erdoganit dhe i partisë së tij

Zbulimi i rasteve të korrupsionit nga radhët e familjeve të ministrave e ka dëmtuar reputacionin e qeverisë së AKP në radhët e votuesve. Erdogan prezantonte AKP si parti që nuk do të korruptohej kurrë - ky imazh ka kontribuar shumë në suksesin e kësaj partie, sqaron Günter Seufert. Tani pritet që partia AKP e Erdoganit të marrë më pak pika në zgjedhjet e vitit 2014. Për shkak të reagimeve të ashpra ndaj demonstratave në verë Erdogan i ka bërë kundër vetes turqit liberalë - dhe skandali i korrupsioni tani po rëndon dhe raportet mes qeverisë dhe popullsisë myslimane konservatore.