1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Turqi: Erdogan-Gul, gati për të 'përplasur brirët'

Protestat antiqeveritare në Turqi treguan se opinoni publik atje është i ndarë, por gjithashtu nxorën në pah edhe ndryshimet mes kryeministrit Erdogan dhe presidentit Gul.

Dy politikanët më të fuqishëm të Turqisë, kryeministri Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti Abdullah Gul, kanë gjykuar në mënyra të ndryshme protestat në Turqi. Një sondazh i fundit tregoi se popullariteti i Erdoganit ka rënë në 53.5%, 7 % më pak në krahasim me dy muaj më parë. Sipas pyetësorit të kryer nga kompania turke e sondazheve MetroPOLL, 72.5 % e të pyeturve thanë se nga figurat politike aktuale pëlqenin më shumë presidentin Abdullah Gul .

Taksim Platz Gezi Park Istanbul Türkei

Gjatë protestave në parkun Gezi

"Në përgjithësi popullariteti i presidentëve ka qenë gjithmonë më i mirë se ai i kryeministrave, duke qenë se vendimet e Presidentit nuk prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën e qytetarëve, ndërsa vendimet e kryeministrave mund të jenë shumë të ndjeshëm për qytetarët. Një faktor tjetër i rëndësishëm, që ka sjellë këtë rezultat, është edhe si pasojë e sjelljes së ashpër të Erdoganit. Në krahasim me Erdogan, Gul ka një qendrim retorik më të moderuar", thotë për DW Profesor Ozer Sencer, drejtor i MetroPOLL.

Sipas sondazhit, ndërkohë që Erdogan është duke humbur pikë në popullatën turke, ai sërish është një nga figurat më popullore të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), që ka 35 % të elektoratit. Në ndryshim nga Erdogan, Gul ka qenë i suksesshëm, sepse pëlqehet nga grupe të ndryshme të popullatës, duke përfshirë liberalët, nacionalistët dhe ata, që nuk votojnë AKP.

Stile të ndryshme politike

Sedat Bozkurt është gazetar i specializuar në politikat islame dhe AKP-në në Turqi. Ai beson se ndryshimet mes dy politikanëve janë theksuar pas protestave në parkun Gezi . "Edhe pse Erdogan dhe Gul janë aleatë politikë prej kohësh, kanë shumë ndryshim në stilin e tyre politik."

Tayyip Erdogan Ansprache vor Parlament 11.06.2013

Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan

Gul dhe Erdogan e kanë nisur karrierën politike në fillim të viteve 90' si ndjekës të "Lëvizjes Nacionale" të ish liderit islamik, Necmettin Erbakan. Të dy ishin të ndikuar nga figurat reformiste dhe ata themeluan partinë e moderuar për Drejtësi dhe Zhvillim në vitin 2001. Gul është parë si një diplomat i moderuar, sepse ai ka përfaqësuar partinë e tij në Europë në fillim të viteve 90' dhe nga viti 2003 deri në vitin 2007 ka qenë Ministër i Jashtëm. Por për shumë ekspertë Gul nuk ka ‘karizmën' e Erdoganit, gjë që e bën këtë të fundit të marrë besimin e anëtarëve të partisë së tij.

"Gul është i orientuar drejt Perëndimit. Ai ka përqafuar normat perëndimore dhe ka kthyer rrugën e Turqisë drejt BE në prioritet", thotë gazetari Bozkurt për DW. "Ajo, që ne kemi parë gjatë protestave në parkun Gezi, është se ndërkohë që Gul e shihte thjesht si një proces pjesëmarrës në demokraci, Erdogan e kufizon demokracinë vetëm tek kutitë e votimit.”

Abdullah Gül

Presidenti i Turqisë Abdullah Gül

Gjatë protestave anti-qeveri në të gjithë vendin, Erdogan foli ashpër kundër protestuesve, duke u thënë të linin menjëherë rrugët dhe t'u drejtoheshin kutive të votmit. Presidenti Gul nga ana tjetër, bëri thirrje për një protestë të moderuar dhe theksoi se "demokracia nuk është thjesht zgjedhje".

Deklaratat e tyre, që kundërshtonin njëra-tjetrin, shtuan spekulimet se mes dy liderëve ka nisur një çarje, duke parë zgjedhjet presidenciale në gusht të vitit 2014.

Planet e Erdogan për vitin 2014

"Dëshira e hershme e kryeministrit Erdogan është të ndryshojë sistemin politik në Turqi, ta kthejë atë në një sistem ekzekutiv presidencial dhe të bëhet presidenti i parë me fuqi të mëdha. Por protestuesit në parkun Gezi treguan se Erdogan duhet të heqë dorë nga këto plane", mendon gazetari Sedat Bozkurt.

Erdogan duket se ka humbur shanset e tij sipas Bozkurt. Sidoqoftë, ai do të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Për herë të parë Presidenti do të zgjidhet me votën e qytetarëve. Kjo duket si mundësia e vetme për të qëndruar në pushtet për Erdogan, pasi sipas ligjeve turke ai nuk mund të kandidojë për mandatin e tretë si kryeministër.

Partia e tij AKP e ka të ndaluar në statut që një anëtar i saj të mbajë një post politik për më shumë se tre mandate dhe Erdogani ka qenë mbështetës i kësaj pike në statut. Ai tani ka dy mundësi: ose të ndryshojë statutin e partisë, ose të deklarojë kandidaturën e tij për president vitin e ardhshëm. Por me ligjet aktuale presidenti ka vetëm një rol ceremonial.

Do të përplasen të dy për postin e Presidentit?

"Unë shoh mundësinë e një konfrontimi mes Gul dhe Erdogan për zgjedhjet presidenciale", thotë Sedat Bozkurt. Sipas tij, Turqia duhet të ndjekë shembullin e Rusisë, ku modeli Putin-Medvedev ka funksionuar për të mbajtur në pushtet të dy burrat. Kjo do të ishte edhe në të mirë të harmonisë së partisë, por protestuesit në Turqi janë të shqetësuar për këto zhvillime.

"Një skenar shumë i mundshëm është që Erdogan të kandidojë për postin e presidentit për vitin 2014 dhe Gul të bëhet lideri dhe kryeministri i Turqisë në vitin 2015. Kjo zgjidhje mund të zvogëlojë tensionet mes dy liderëve në një afat të shkurtër kohor, por se çfarë do të ndodhë pas vitit 2015, kjo mbetet për tu parë", thekson Bozkurt.