1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Turqi: deputetët kurdë i kërcënon arresti

Për këtë ligj, në Parlamentin turk ka pasur disa rrahje. Por Parlamenti turk pritet të vendosë pro ndryshimit të kushtetutës. Pas kësaj, do të jetë më e lehtë heqja e imunitetit të deputetëve.

Ligji i ri për ndryshimin e kushtetutës, që pritet të kalojë të martën (17.05) në parlament do të godasë në radhë të parë deputetët e partisë kurde HDP, sepse është kërkuar që 50 prej 59 deputetëve të HDP t'u hiqet imuniteti. Shpjegim për këto hapa është konflikti që ka shpërthyer sërish në juglindje të Turqisë. Sipas të dhënave të qeverisë turke në dhjetë muajt e kaluar janë vrarë 4600 "terroristë"; veç kësaj janë vrarë 450 ushtarë dhe forca të sigurisë. Në lagjet kurde në juglindje të Turqisë, nëpër lagje banimi kalojnë tanke, rrugë të tëra janë bërë shkrumb e hi. A është kjo lufta e nevojshme kundër terroristëve të PKK, siç thekson qeveria?

Apo kemi të bëjmë më tepër me një luftë kundër popullit tënd, siç kritikon herë pas here partia opozitare prokurde HDP? Selahattin Demirtas, kryetari i HDP-së e shpjegoi pak javë më parë rezistencën e kurdëve. "Po të futesh me 10000 ushtarë dhe gjashtë gjeneralë në një qark, atëherë qytetarët atje bëjnë rezistencë. Kur qeveria sulmon atje shtëpi më shtëpi dhe bën kontrolle, atëherë ajo i ka shpallur luftë popullit. Dhe atëherë populli do të bëjë natyrisht rezistencë."

Po të jetë për Presidentin Erdogan, kryetari i Partisë Demirtas do të përfundojë së shpejti në burg për deklarata të tilla. Vërtet që edhe organizata të të drejtave të njeriut si Human Rights Watch kritikojnë që veprimet e ushtrisë turke nuk janë në proporcion me ngjarjet dhe se ushtria nuk e ruan popullsinë civile në aksionet ushtarake. Por kritika të tilla kalojnë pa i bërë asnjë përshtypje Erdoganit.

Për më tepër, Erdogani i akuzon deputetët e HDP-së prokurde se ata e shpërdorojnë imunitetin e tyre. "Deputetët nuk e gëzojnë imunitetin, në mënyrë që të mbrojnë organizata terroriste", u shpreh Erdogan që para disa muajsh. Dhe më tej ai i kërkoi Parlamentit të marrë masa. "Parlamenti nuk duhet ta lejojë më këtë shpërdorim të imunitetit. Parlamenti dhe drejtësia duhet të veprojnë kundër deputetëve që sillen si anëtarë të një organizate terroriste.

Türkei Schlägerei im türkischen Parlament

Skena nga përplasjet fizikisht dhe rrahjet në parlamentin turk, 28.04.2016

"Demokracisë turke po i mbarohet fryma"

Tri herë pati në diskutimin për këtë ligj grindje të madhe në Parlament: me rrahje dhe goditje me grushta. Shumica për ndryshimin e kushtetutës megjithatë duket e sigurtë - Parlamenti pritet të marrë vendimin.

Pas kësaj, gjithçka ecën shumë shpejt: brenda dy javësh, prokurorët mund ta padisin kryetarin e partisë Demirtas për shkak të "mbështetjes së një organizate terroriste" dhe ta arrestojnë. E njëjta gjë i pret disa deputetë të HDP-së. Kryetari i HDP-së, Demirtas thotë se synimi është që ata të mbyllin gojën. "Po të ndodhë kjo, atëherë qytetarët do ta humbasin krejtësisht besimin e tyre në një të ardhme demokratike dhe në paqe. Njerëzit do të kërkojnë mjete dhe metoda të tjera."

Demirtas druhet se dhuna në juglindje të Turqisë do të shtohet edhe më tej, kur partia e tij të spostohet si të thuash jashtë Parlamentit me ligjin e imunitetit, duke bërë që zëri kurd në Parlament në këtë mënyrë të heshtë. Përfundimi në të cilin arrin Demirtasi është pesimist.

"Demokracisë turke po i mbarohet fryma. Për fat të keq nuk ka shenja që të të bëjnë të shpresosh në një përmirësim të afërt, të shpejtë."