1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Turqi: a pritet një eksod i kurdëve?

Qeveria turke po e shfrytëzon kohën pas puçit. Ajo vepron me të gjithë fuqinë kundër kundërshtarëve të saj politikë. Komuniteti kurd në Gjermani paralajmëron për rrezikun e një eksodi masiv nga Turqia.

Tani u ka ardhur radha fare të mëdhenjve. Prokuroria e Stambollit kërkon pesë vjet arrest për Selahattin Demirtas. Ish-avokati i të drejtave të njeriut është kryetar i partisë prokurde HDP. Autoritetet e akuzojnë Demirtasin 43 vjeçar për "propagandë terroriste". Atë e akuzojnë se është i afërt me udhëheqësin e arrestuar të PKK, Abdullah Öcalan. Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian e kategorizojnë PKK si organizatë terrroriste.

Ali Toprak është kryetar i bashkësisë kurde në Gjermani. Përballë DW ai tregohet i shqetësuar për gjendjen në Turqi: "Aktualisht po ashpërsohet edhe më tej konflikti midis forcave të sigurisë dhe PKK". PKK, thotë Toprak ka kërcënuar sërish me atentate, "po të mos lirohet Abdullah Öcalani". Ky shkallëzim i ri ka pasoja edhe për Gjermaninë, mendon funksionari: "Nëse gjendja nuk do të përmirësohet në një të ardhme të afërt, po të shpërthejë një luftë eventuale civile, atëherë mund të nisë një vërshim masiv refugjatësh nga Turqia për në Evropë."

Konflikti kurd si shkak për arratinë

Pas puçit të dështuar gjendja në zonat kurde fillimisht kaloi në plan të dytë. Por konflikti, i cili që prej shpërthimit të tij rreth 30 vjet më parë ka kërkuar jetën e më shumë se 40.000 vetëve, vazhdon pa ndërprerje. As PKK dhe as qeveria nuk janë pozicionuar për pajtim, pas ndërprerjes së armëpushimit vitin e kaluar. Situatën në Lindje të Turqisë, Ali Toprak e karakterizon si katastrofale. "Qytete të tëra dhe toka janë bërë rrafsh me tokën, dhe që tani ka rreth 500.000 vetë migrantë të brendshëm në Turqi". "Aksionet e spastrimit" të qeverisë turke pas dështimit të puçit e kanë ashpërsuar situatën edhe më tepër: "Ne tërhoqëm vëmendjen prej muajsh për faktin që Turqia do të shkaktojë shkaqe të reja për arratinë. Atëherë askush nuk deshi të na dëgjojë. Tani janë jo vetëm kurdët që janë të gatshëm të largohen nga vendi, por edhe shumë opozitarë dhe demokratë".

Masa të ashpra, jo vërshim masiv

Për një vërshim masiv, për të cilin ka frikë Toprak, deri tani nuk mund të bëhet fjalë. Në fund të gushtit, numri i kërkesave për azil nga Turqia ishte i krahasueshëm me atë të një viti më parë. Kështu, deri në fund të korrikut, mbrojtje në Gjermani kërkuan nga 308 deri 352 turq dhe shumica e azilkërkuesve janë nga zonat kurde. Në muajin e puçit korrik, sipas Zyrës Federale për Migrimin dhe Refugjatët BAMF qenë 275 vetë që kërkuan azil. Si do të zhvillohen më tej shifrat e refugjatëve nga Turqia, për këtë BAMF nuk donte të bënte parashikim.