1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Turizmi ballkanik drejt produkteve turistike të përbashkëta

Dhjetëra operatorë turistikë dhe subjekte nga Kosova po zhvillojnë një aktivitet prezantimi në Tiranë. Prezantimi ka në fokus zhvillimin e turizmit rajonal. BE mbështet bashkëpunimin ndërkufitar.

Interes për produktet e ndërsjella

Interes për produktet e ndërsjella

Rreth 25 operatorë dhe subjekte, që punojnë në fushën e turizmit në Kosovë janë instaluar në Muzeun Historik në qendër të Tiranës. Për organizatorët e prezantimit kjo veprimtari nuk është vlerësuar thjesht si një “kthim vizite” homologëve në Shqipëri. Motoja e prezantimit, që përbën dhe temën e diskutimit kryesor është “Zhvillimi i produktit në nivel rajonal”. Ndaj dhe ekspertët dhe sipërmarrësit nga të dyja vendet duken më të orientuar nga gjetja e rrugëve, që ajo që ka ndodhur në Prishtinë më herët dhe ndodh tashmë në Tiranë, të transferohet dhe në qytete të tjera të shteteve ballkanike. Synohen kontakte më intensive, që finalizojnë marrëveshje dy a më shumëpalëshe në industrinë turistike.

Katalogje prezantuese të përbashkëta

Kujtim Rrahmani drejton një shoqatë për mbështetjen e biznesit të vogël në Gjakovë.

Kujtim Rrahmani flet për DW

Kujtim Rrahmani flet për DW

Ai thotë se ka mjaft hapësira në gjallërimin e turizmit malor e kulturor në zonat kufitare. Kjo sipas tij është më e lehtë për t'u zbatuar. Ai thotë për DW-në se është përgatitur për herë të parë një katalog prezantues i përbashkët i Gjakovës në Kosovë dhe Luginës së Valbonës në territorin e Shqipërisë.

“Fillimisht mund të jenë projekte të vogla, që mund të realizohen në mes të komunave a zonave kufitare, për arsye se dhe programi i GTZ-së gjermane dhe USAID-i në perspektivë do t'i mbështesë këto programe. Në të njëjtën kohë janë dhe fondet e BE-së, të cilat mbështesin po programe të bashkëpunimit ndërkufitar”

Sokol Luto si përfaqësues i sektorit hotelerik në Kosovë mendon se pozicioni gjeografik i rajonit të Ballkanit dhe përmasat e territorit diktojnë kooperimin mes operatorëve turistikë.

Sokol Luta, përfaqësues i sektorit hotelerik në Kosovë

Sokol Luta, përfaqësues i sektorit hotelerik në Kosovë

Kjo dinamizon ofertën në treg gjatë gjithë muajve të vitit, për turizëm në bregdet, malor, të aventurës etj., thotë ai për DW-në.

“Se Kosova vetëm e ka një ofertë të caktuar, e cila mund të begatohet në të ardhmen, por vetëm si Kosovë nuk do të jetë aq e suksesshme, se sa me një paketë më të gjerë”.

Për ta ilustruar leverdinë e bashkëpunimit rajonal, Baki Hoti, nga Grupi për Turizmin në Kosovë, merr shembullin që për herë të parë gjatë këtij viti ka patur raste të koordinimit të lëvizjeve të turistëve në destinacionin ballkanik.

Baki Hoti, Grupi për Turizmin në Kosovë

Baki Hoti, Grupi për Turizmin në Kosovë

Janë afruar paketa mikse për ta duke e ndarë kohën e udhëtimit të tyre në disa vende, thotë Hoti për DW.

“Për arsye se kemi patur shumë turistë këtë vit që kanë kaluar nga Shqipëria, që kanë vizituar dy ose tri ditë Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe vazhdojnë më tutje ose anasjelltas”.

Bashkëpunim ekonomik larg politikës

Enver Bytyçi, drejtor i marrëdhënieve me jashtë dhe me publikun në Ministrinë e Turizmit në Tiranë thotë për DW-në se aktualisht nuk ka asnjë pengesë serioze që mund të nxjerrë probleme për zgjerimin e hartës së bashkëpunimit mes vendeve të rajonit në fushën e turizmit.

“Kjo do të thotë që shkëmbimi turistik duhet të mbahet larg pasioneve politike, larg kujtimeve historike, do të thoja, dhe duhet t'i shërbejë zhvillimit të vendeve tona të rajonit. Nëse nuk bashkëpunojnë vendet tona të rajonit në këtë fushë atëhere dhe zhvillimi do të jetë edhe më i ngadaltë, më i cunguar dhe më i kufizuar”.

Enver Bytyci, Ministria e Turizmit në Shqipëri

Enver Bytyci, Ministria e Turizmit në Shqipëri

Bytyçi mendon se është koha për ngritjen e një strukture ndërshtetërore në nivel rajonal që do të nxiste prioritetet, dhe ndërtonte strategji afatmesme e afatgjata në sektorin turistik. Ai përmend dhe një faktor, që ka penguar deri më tani kooperimin rajonal, që ka lidhje me konkurencën mes vetë vendeve të rajonit, për të thithur sa më shumë turistë në territoret e tyre.

“Kooperimi rrit kapacitetet dhe me një menaxhim të zhdërrvjellët i prezanton vizitorit larmi propozimesh për të zbuluar, për t'u zbavitur dhe për t'u relaksuar, sipas gustos dhe sipas mundësive financiare”.


Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 01.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PS1D
  • Data 01.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PS1D