Turbulencat politike në Slloveni dhe roli i Kroacisë | Ballkani | DW | 19.03.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Turbulencat politike në Slloveni dhe roli i Kroacisë

Largimi i papritur i kryeministrit të Sllovenisë nuk do të ketë kurrfarë ndikimi në raportet slloveno-kroate. Dorëheqja e Miro Cerar ka shkaktuar ndryshime të mëdha në Slloveni.

Dorëheqja e kryeministrit të Sllovenisë Miro Cerar ka shkaktuar ndryshime të mëdha në Slloveni, ndonëse në aspektin teknik nuk do të sjellë ndryshime të mëdha. Kjo për faktin se dorëheqja vjen vetëm tre muaj para zgjedhjeve parlamentare, të cilat sipas të gjitha gjasave do të mbahen nga mesi i qershorit. Cerar e ka shfrytëzuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese - e cila e ka anuluar një referendum të mbajtur vitin e kaluar me iniciativën e tij, për ndërtimin e nmjë hekurudhe të dytë në hekurudhën Kopar-Divaça, për të dhënë dorëheqje.

Kryeminisri sllovn ka probleme serioze me rënien në sondazhe dhe faktin që koalicioni në pushtet kaherë po përballet me probleme të mëdha. Krerët e partive të tjera në koalicion, Karl Erjavec dhe Dejan Zhidan, kaherë po sillen sikur të ishin në opozitë. Ata kritikojnë ashpër kryeministrin Cerar dhe partinë e tij për rezultatet e dobëta, ndërsa për vete theksojnë meritat për gjërat pozitive.

Belgien Brüssel Miro Cerar (picture-alliance/AP Photo/O. Matthys)

Miro Cerar

Cerar dhe balanci politik

Borut Shuklje, një prej analistëve më të mirë në Slloveni, thotë se Miro Cerar ka sjellë në politikën sllovene një balanc politik. "Në qeveri nuk ka më incidente dhe ekstremizma. Nuk ka pasur afera. Ndërsa vendi ka shënuar zhvilim dhe rritje të standardit. Cerar ka vendosur standarde të reja në politikë sllovene", thotë Shuklje.

Analisti thotë se para disa javësh kanë mundur të parashikohen edhe rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, por dorëheqja e Cerarit ka shkaktuar ndryshime. Shumica e qytetarëve mendon se dorëheqja e tij ka qenë me vend, por mbetet të shihet si do të rezultojë ajo në skenën politike të Sllovenisë.

Raportet e Sllovenisë me Kroacinë

Kur bëhet fjalë për raportet mes Sllovenisë dhe Kroacisë, Shuklje mendon se nuk do të ketë ndryshime të mëdha. Ai kujton se Cerar i ka dërguar letër Komisionit Evropian, me të cilën ankohet se Kroacia nuk po e respekton vendimin e arbitrazhit për përcaktimin e vijës kufitare mes Sllovenisë dhe Kroacisë. Cerar ka pasur mbështetjen e parlamentit slloven për këtë hap, por edhe për padinë që do të ngrejë kundër Kroacisë para gjykatës së BE në Luksemburg.

Ngjashëm mendon edhe analisti kroat Zharko Puhovski, i cili është i bindur se dorëheqja e Cerarit nuk do të ndikojë aspak në raportet mes Sllovenisë dhe Kroacisë. Në Slloveni aktualisht ekziston një konsensus për politikën ndaj Kroacisë.

Zarko Puhovski Politiloge Kroatien (DW/G. Simonovic)

Zharko Puhovski

Sllovenia i ka dërguar Komisionit Evropian argumentet e veta në procesin kundër Kroacisë. Komisioni duhet të përgjigjet brenda tre muajsh dhe nëse nuk pranohet ankesa e Sllovenisë, ajo do t'i drejtohet Gjykatës së BE në Luksemburg. Por kjo nuk garanton se Sllovenia do ta fitojë këtë proces. Puhovski thotë se në Slloveni ka politizime të shumta të këtij procesi, në prag të zgjedhjeve parlamentare.

Një nga liderët e opozitës, kryetari i Partisë Demokratike Sllovene, Janez Jansha, ka shprehur dyshimin për fitoren e Sllovenisë para gjykatave. "Jansha mendon se me dialog të drejtpërdrejtë me Kroacinë mund të arrihet një marrëveshje më e shpejtë dhe më e mirë për Slloveninë", pohon Puhovski. Një prej zgjidhjeve ka qenë zbatimi i vendimit të gjykatës së arbitrazhit, por duket se kjo për momentin nuk i përgjigjet asnjërës palë.

Slowenien Wahl | Marjan Sarec, Präsidentschaftskandidat (Reuters/B. Zivulovic)

Marijan Sharec

Marijan Sharec - Cerari i ri?

Miro Cerar pretendon të fitojë edhe një mandat për kryeministër. Por kjo nuk është fare e sigurt. Puhovski mendon se Cerar nuk do të kujtohet në Kroaci. Ai ka një biografi shumë të mirë, por në Kroaci nuk do të mbahet mend për asgjë konkrete. Nëse pyesni kroatët se cilët politikanë sllovenë i njohin, Cerar me siguri që nuk do të ishte në mesin e tyre, mendon analisti kroat Puhovski.

Po si do të ndikojë dorëheqja e Cerarit në fushatën zgjedhore? Në sondazhe thuhet se partia e Cerarit, e cila në vitin 2014 ka fituar 35% të votave, tani do të fitonte vetëm 5%. Puhovski është i bindur se Cerari nuk do të mund të përfitojë nga dorëheqja e tij, ndonëse deri në zgjedhje kanë mbetur edhe disa muaj. Puhovski mendon se Marijan Sharec mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm në zgjedhjet e ardhshme në Slloveni.