1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turbinat e Siemensit në muzgun gjeopolitik

Christian Trippe
13 Korrik 2017

A lejohet Siemensi të dërgojë turbina në Krime? Natyrisht jo. A lejohet një sipërmarrje partnere ruse e Siemens-it që t'i dërgojë këto turbina?

https://p.dw.com/p/2gOkq
Siemens - Gasturbine - Krim
Fotografi: picture-alliance/U. Baumgarten

Koncerni botëror i Siemens-it e pati këto ditë shumë të vështirë që të japë shpjegime. Si mund të ndodhë që një partner rus i ndërtuesit të pajisjeve të sjellë në Krime turbina të sofistikuara të Siemens-it - pa dëgjuar gjë prodhuesi gjerman? Dhe si është puna me uzinën speciale ruse, e cila është përgjegjëse për matjen dhe vënien në punë të turbinave? Siemens-i është aksioner në këtë sipërmarrje, por thotë se u habit kur dëgjoi për planet e tij të Krimesë. Siemens-i thotë se partnerët rusë kanë bërë marifete dhe i kanë shkelur marrëveshjet. Prandaj koncerni tani e ka hedhur në gjyq një sipërmarrje partnere në Rusi. Dhe e kërcënon tjetrën me mjete juridike, po të nisë aktivitet në Krime.

Kjo quhet një goditje klasike çliruese. Sepse nëse Siemens-it do të mund t'i konfirmohej, që koncerni ka dërguar përmes rrugëve të tërthorta mallra që bien nën embargo në Krime, atëherë kjo do të ishte një shkelje e qartë kundër sanksioneve të BE. Atëherë do të ndesheshim me një koncern të përbotshëm, që ecën në rrugë të shtrembëra - për hir të fitimit të dashur. Shqetësimi, për përfshirje në një konflikt politikisht shkatërrimtar dhe juridikisht shumë të kushtueshëm, duhet të jetë shumë i madh te Siemens-i. Atëherë më mirë guximi për një proces gjyqësor në shumë aspekte të dyshimtë në Rusi: partneri hidhet në gjyq në një treg pa siguri juridike, vetëm nga ai që e ka thikën në grykë.

Probleme edhe më parë

Cektësirat në politikën tregtare rreth Krimesë Siemens-it iu desh njëherë t'i kalojë. Pak ditë pasi Rusia e pushtoi me një puç gadishullin ukrainas dhe e bëri pjesë të territorit të saj shtetëror, shefi i Siemens-it, Joe Kaeser fluturoi për në Moskë në një takim në humor të mirë me Presidentin rus Vladimir Putin. Pas kësaj, Kaeser foli në një intervistë për "turbullira që nuk do të zgjasin shumë" - dhe pati parasysh me këtë reagimin diplomatik të fortë të Perëndimit ndaj neoimperializmit të Putinit. Vëzhguesit shprehën që atëherë dyshimin se për Kaeserin dhe kapitenë të tjerë të industrisë gjermane, pagesat e bonuseve janë shumë më të rëndësishme se e drejta ndërkombëtare.

St. Petersburg Siemens-Halske-Werke Postkarte von 1911
Uzinat Siemens-Halske në Shën Petersburg, kartolinë e vitit 1911

Tri vjet më parë, Siemensit iu desh pra të mësojë se marrëdhëniet ekonomike nuk zhvillohen në një hapësirë të pastër nga politika. Ndërkohë atmosfera është shumë më e ngarkuar dhe këtë e ndien jo vetëm Siemens-i. Sipërmarrjeve gjermane dhe në përgjithësi Republikes Federale u atribuohet herë pas here një lojë e pabesë dhe e dyfishtë: Politikisht, kjo është e padiskutueshme, sanksionet ekonomike kundër Rusisë janë vendosur në radhë të parë me iniciativën gjermane dhe deri sot janë respektuar - megjithë kundërshtitë e mëdha. Por ekonomikisht, kjo është akuza kryesore, sipërmarrjet gjermane kanë bërë edhe më tej biznese të shkëlqyera - megjithë, ose pikërisht për shkak të sanksioneve.

Lojë gjeopolitike pa arbitër

Kjo kritikë dëgjohet para së gjithash në Varshavë dhe në Kiev - gjë që nuk të çudit më tej. Por ajo dëgjohet gjithnjë e më shpesh edhe në Bruksel - gjë që Berlini duhet ta vlerësonte si sinjal alarmi. Dhe që kur SHBA përpiqen që ta sabotojnë ndërtimin e një gazsjellësi gjermano-rus përmes Detit Baltik, marrëdhëniet ekonomike gjermano-ruse janë kthyer përfundimisht në një top loje të gjeopolitikës. Kjo në një kohë kur kjo lojë luhet në parim vetëm në variantin "Hardball", pra me pak rregulla dhe pa arbitër.

Në këtë lojë është vetëm një aspekt anësor, që ndërtimi i gazsjellësit, që do të kushtojë dhjetë miliardë euro, do ta bëjë humbëse të madhe para së gjithash Ukrainën. Ukraina do të humbiste çdo vit rreth dy miliardë euro të ardhura nga kalimi tranzit i gazit rus. Në këtë gjendje të ndërlikuar, Siemens-i, dhe në kuptim më të gjerë edhe qeveria gjermane do të bënin mirë, që t'i sqaronin punët në Krime - edhe më mirë: para Krimesë.