1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Tunizia dy vjet pas arratisë së Ben Alisë

Më shumë se njëzet vjet sundoi Zine El Abidine Ben Ali me dorë të hekurt në Tunizi, përpara se të merrte arratinë nga vendi në janar 2011. Dy vjet pas revolucionit shumë pak tunizianë janë në gjendje shpirtërore feste

Rrofte populli shkruhet ne pankarte

Rrofte populli shkruhet ne pankarte

Rruga për në demokraci është më e vështirë se sa e kishin përfytyruar atë tunizianët pas arratisë së despotit më 14 janar 2011. Për liri dhe zhvillim dolën për katër javë më radhë qytetarët në fillim të vitit 2011, por shumë probleme ekzistojnë edhe dy vjet më vonë. Situata "mund të ishte më e mirë" thotë studenti Mohamed. " Ka kaq shumë probleme sociale dhe politike. Nëse qeveria dhe opozita do të bashkëpunonin ngushtë, atëherë punët do të ecnin më mirë."

Por qeveria e ka të vështirë të mbajë nën kontroll veçanërisht problemet ekonomike të vendit. Ekonomia vazhdon të vuajë nën pasojat e revolucionit. Shumë turistë i qendrojnë larg Tunizisë nga droja e trazirave, por edhe investuesit e huaj janë bërë të kujdesshëm, sepse greva dhe bllokime rrugësh vazhdojnë të bllokojnë prodhimin në fabrika. Papunësia sipas të dhënave zyrtare është në kuotën 17 përqind, duke qenë kështu në një nivel më të lartë se para revolucionit. Në disa rajone, veçanërisht në brendësi të vendit - gati gjysma e njerëzve janë pa punë dhe rreth 40 përqind e atyre që mbarojnë shkollat e larta janë gjithashtu në kërkim të punës.

Protesta kundër reformave të ngadalta

Protesta kundër reformave të ngadalta

Portofole bosh tek populli

Tunizianët i shohin pasojat e krizës çdo ditë në portofolet e tyre: ato janë gjithnjë e më bosh, sepse çmimet e ushqimeve rriten pa ndërprerje. Inflacioni kap aktualisht nivelin 6 përqind. Qumësht që prej tre muajsh nuk gjen për të blerë, patatet dhe mishi janë kaq të shtrenjta, sa shumë njerëz nuk i blejnë dot më. Situata e tensionuar i nxjerr gjithnjë e më shpesh në rrugë njerëzit.

Qeveria nën drejtimin e partisë së moderuar islamike Ennahdha bën të gjitha përpjekjet që ta bëjë të heshtë popullin, ankohet avokatja Hayat Jazar. Qeveria zhvillon për shembull procese gjyqësore kundër gazetarëve dhe blogistëve të parehatshëm. "Kështu që së shpejti ne do të kemi një regjim si i Ben Alisë", ankohet ajo.

Në tetor 2011 Tunizia zgjodhi në zgjedhjet e para të lira një Asamble Kushtetuese, e cila do t'i japë vendit një kushtetutë të re. Ajo duhej të qe hartuar brenda një viti, po deputetëve u është dashur më shumë kohë.

Por njerëzit në Tunizi e kanë të gjallë shpresën se rruga për në demokraci do të përfundojë me sukses. Për aq kohë sa qytetarët ta mbrojnë mendimin e tyre, asgjë nuk ka humbur, thonë ata.

Autor: Sarah Mersch/ Auron Dodi

Redaktoi: Mimoza Kelmendi