1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Tunizi: Pse eksporton ky vend kaq shumë radikalë?

Atentatori i Berlinit, Anis Amri ishte tunizian. Ai ishte temë bisedimesh edhe në takimin e Merkelit me kryeministrin tunizian Youssef Chahed në Berlin (14.02). Po pse vijnë kaq shumë islamistë nga ky vend?

Ridha Raddaoui është avokat. Ai ka qenë ekspert pjesëmarrës në një studim, në të cilin u shqyrtuan dosjet e 1000 të dyshuarve për terrorizëm. Rezultati i parë: Ekstremistët tunizianë janë shumica të rinj, thotë Raddaoui. Rezultati i dytë: Shumica janë të mirëarsimuar. Dhe i treti: Rreth 70% e të dyshuarve për terrorizëm kanë qenë në kampe trajnimi jashtë. „Më shumë se 3 të katërtat e tyre janë më të rinj se 34 vjeç. Kjo është një gjeneratë e re, që nuk u rrit mjaft nën presionin e diktaturës. Madje krahasimisht ata janë të arsimuar, dhe 40% e tyre kanë qenë edhe në universitete."

Konkluzionet e dosjeve të shqyrtuara ofrojnë një pamje të gjerë: Veç radikalëve të arsimuar, kemi edhe nga ata që ndërpresin shkollën, por edhe të papunë. 96% janë vërtet meshkuj, por ndërkohë po rritet edhe numri i femrave të radikalizuara. Gati gjysma e tyre ka vendosur kontakt me ekstremistët përmes botimeve fetare. Të tjerë kanë ardhur nga ambiente kriminale në luftën e gjoja motivuar fetare.

Nuk ka një profil të vetëm

Ridha Raddaoui nxjerr një përfundim: Nuk ka një profil të vetëm që tregon rrugën se si bëhet dikush ekstremist. Ekspertët kanë arritur në përfundimin, se burgjet janë fole nxitëse të radikalizmit. Ata kritikojnë faktin që qeveria, ende, gjashtë vite pas revolucionit, nuk ka gjetur një recetë kundër radikalizimit. „Autoritetet duhet të përpunojnë një koncept për deradikalizimin. Kjo nuk është bërë deri më sot", kritikoi Raddaoui.

Fahndungsfotos des gesuchten Tunesiers Anis Amri (picture alliance/dpa/A. Dedert)

Në Gjermani nuk ka reshtur debati për tunizianin, Anis Amri, autori i sulmit terrorist me kamion në dhjetor në tregun e krishtlindjeve në Berlin, ku humbën jetën, 12 vetë. Ai duhej të dëbohej, por dokumentet nga Tunizia erdhën me vonesë.

Aparati tunizian i sigurisë reagon kryesisht me ndjekje penale: Në këtë vend vazhdon të jetë në fuqi gjendja e jashtëzakonshme. Policia, xhandarmëria e brigadat antiterroriste zhvillojnë kontrolle banesash në masë të gjerë dhe kryejnë arrestime me brutalitet të dukshëm. Organizata "Amnesty International” ka dokumentuar 23 raste torture. Në raportin e saj flitet edhe për arrestime arbitrare, keqtrajtim të anëtarëve të familjes apo vënie nën presion. Heba Morayef, drejtuesja e Zyrës për Afrikën të Amnesty International thekson se kjo është e rrezikshme. „Ne themi se rreziqet e sigurisë luftohen me ligj dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Do të ishte shumë e rrezikshme të përdoreshin metoda, të cilat të kujtojnë epokën e Ben Alisë."

Qeveria pa fuqi kundër ekstremizmit

Akuzat për tortura janë njëra anë. Nga ana tjetër studimi tunizian mbi radikalizimin flet edhe për depërtimin e radikalëve tek forcat e sigurisë dhe ministritë.

Ridha Raddaoui merr si shembull arrestimin dhe arratinë e Abou Ayadhut, ekstremistit më të kërkuar të Tunizisë para 4 vitesh. "U kap njeriu që kërkohej në të gjithë Tunizinë, një person mjaft i rrezikshëm. Por polici që e arrestoi atë mori udhëzimin ta lerë sërish të lirë.” Ky udhëzim erdhi asokohe nga Ministria e Punëve të Brendshme të vendit. Sot qeveria tuniziane nuk arrin dot të luftojë ekstremizmin në vend. Një strategji preventive mungon, ndërkohë që masat shtypëse nuk ndihmojnë. Kështu Ridha Raddaoui, eksperti i studimit për radikalizimin arrin në përfundimin se „të gjithë thërrasin për zgjidhje ndaj një fenomeni, të cilin ende nuk e kemi kuptuar ende.

(Kryeministri tunizian, Chahed, i cili vizitoi të martën, 14.02. Berlinin, dhe u takua me Angela Merkelin, u shpreh se vendi i tij nuk ka përgjegjësi për terroristin, Anis Amri, i cili u largua nga Tunizia, 5 vjet më parë. "Anis Amri nuk përfaqëson të gjithë Tunizinë", tha ai. Por ai nuk sqaroi, pse ky vend i dërgoi me vonesë dokumentet e kërkuara për Amrin. Merkel në takimin me kryeministrin tunizian kërkon të arrihet marrëveshje, që Tunizia të pranojë më shpejt personat azilkërkues që nuk kanë të drejtë qëndrimi në Gjermani. shën.red.)