1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Tsipras do të luftojë korrupsionin

Qeveria me drejtim të majtë në Greqi ka shpallur një sulm të përgjithshëm kundër korrupsionit në vend. Sipas opozitës, pas kësaj qëndron një manovër shmangieje para kursimeve të reja që i presin grekët.

Ishte një nga debatet më të nxehta dhe më të gjata e të vështira parlamentare të viteve të fundit, aq më tepër që askush nuk ju përmbajt as në mënyrë të përafërt kohës në dispozicion për të folur: tetë orë zgjati të martën e kaluar (29.03.) këmbimi i replikave midis Kryeministrit të majtë, Alexis Tsipras dhe opozitës për temën e luftës kundër korrupsionit. Se çfarë rëndësie i jep Tsiprasi kësaj teme, kjo u bë e qartë vetëm në ditët që pasuan: me kërkesën e tij, Parlamenti grek do të ngrejë për herë të parë një komision hetimor për parregullsi në financimin e partive. Edhe dhënia më parë e kredive sipërmarrjeve do të verifikohet nga Parlamenti. Veç kësaj, sipas të dhënave të tij, Tsipras do ta rihapë aferën e Siemensit nga e para dhe do t'i vërë pikëpyetje pajtimit të arritur në vitin 2012 me koncernin e Mynihut. Opozita konservatore përgjigjet me angazhimin e një komisioni hetimor për futjen e kontrolleve të kapitalit në vitin 2015, komision i cili megjithatë deri tani refuzohet.

Retorika e njeriut të duarve të pastra nuk është e re. Që para ardhjes në pushtet të të majtëve në Athinë, në janar 2015, udhëheqësi i atëhershëm i opozitës, Tsipras premtoi se do të vepronte kundër "trekëndshit të ndërthurrjes së pushtetit", siç e quajti ai: kundër shtetit, që gjoja ushtron presion te bankat, që ato t'u japin kredi sipërmarrjeve mediatike, të cilat nga ana e tyre falenderojnë me raportim miqësor. Për një kohë të gjatë premtime të tilla u harruan, kurse tani Tsiprasi duket se mendon se ka ardhur koha për një kryqëzatë kundër korrupsionit në Hellas.

Sipas mendimit të politologut Levteris Koussuoulis, pas kësaj megjithatë qendron një llogari politike: "Qeverinë e presin javët e ardhshme votime të vështira në Parlament për masa shtesë kursimi. Vëmendjen prej tyre synohet ta shmangi debati i madh për korrupsionin dhe luftimin e tij." Me thirrjen për luftë kundër korrupsionit, qeveriva Tsipras kërkon të fitojë kohë dhe ta bëjë për vete opinionin", mendon Koussoulis.

Griechenland Kyriakos Mitsotakis

Kyriakos Mitsotakis, kreu i opozitës konservatore greke

Kërkesa për kursime në shuma miliardëshe

Që prej së hënës (4.4.) përfaqësues të donatorëve do të verifikojnë edhe njëherë vënien në jetë të programit të reformave - dhe priten direkt, para hotelit të tyre me aksione proteste nga demonstrues të "njësisë popullore" jashtëparlamentare, opozitare të majtë. Vetëm pasi verifikimi i përpjekjeve për reforma të rezultojë i suksesshëm lejohet dhënia e kredive të reja Greqisë. Ndërkohë as nuk diskutohet se për këtë do të nevojiten masa kursimi shtesë. Vetëm pak orë pas debateve të nxehta në Parlament, zëvendësministri i Financave, Jorgos Chouliarakis konfirmoi në një komision parlamentar se grekët i presin ngritje të tjera taksash dhe kursime në shumën 5,4 miliardë euro.

Për opozitën konservatore ky është konfirmimi më i mirë, se kryqëzata e gjerë kundër korrupsionit është një manovër shmangieje. "Zoti Tsipras kërkon të debatojë për korrupsion, në mënyrë që ne të mos debatojmë për papunësi, mbitaksim ose varfërim, as për çështjen e refugjatëve, për gjendjen tragjike të sistemit shëndetësor publik ose për çmontimin e sistemit arsimor", bubulloi kryetar i opozitës, Kyriakos Mitsotakis në Parlament.

Për politologun Koussoulis, imazhi i pastër i kryeministrit i ofron atij gjithsesi një përparësi strategjike: në të kaluarën Tsiprasi ka bërë fushatë elektorale gjithmonë sipas motos "ne jemi të mirët, kundërshtarët tanë janë të këqinjtë dhe të korruptuarit" dhe ka fituar në fund të fundit kështu zgjedhje. "Nëse Tsiprasi tani pozicionohet besueshëm si njeri i duarve të pastra, nga pikëpamja e tij e vërteta bëhet e qartë - sikur ai të mos ketë më nevojë të ofrojë argumenta dhe dëshmi", sqaron Koussoulis.