1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Trysni diplomatike nga njohja e Palestinës

Bisedimet për një zgjidhje me dy shtete në Lindjen e Afërt nuk po ecin përpara. Megjithatë po shtohet numri i vendeve që e njohin Palestinën si shtet. Nëse kjo e dëmton apo e ndihmon procesin e paqes mbetet e polemizuar.

Numri i ambasadave dhe përfaqësive diplomatike palestineze në botë është në rritje. Në fund të tetorit Suedia e njohu Palestinën si shtet të mëvetësishëm, si vendi i parë evropianoperëndimor anëtar i BE-së. Vende si Bullgaria, Rumania, Polonia, Çekia apo Hungaria e kishin bërë këtë që përpara anëtarësimit të tyre në BE. Edhe parlamentet në Britaninë e Madhe, Irlandë dhe Spanjë janë shprehur për ndërmarrjen e këtij hapi. Por votimet e tyre nuk ishin direkt obliguese për qeveritë përkatëse. Parlamenti i BE-së do të votojë brenda dhjetorit për një njohje të mundshme.

Prej shumë vitesh Palestina përpiqet të bëhet një anëtare e pranuar e bashkësisë së shteteve. Në 1947 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pati votuar në rezolutën 181 për ndarjen e ish zonës së mandatit britanik. Plani i ndarjes i OKB-së parashikonte një shtet izraelit dhe një shtet arab. Për të shmangur zënkën për Jeruzalemin, qyteti i shenjtë për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët duhej të mbetej nën administrimin e OKB-së. Por pala arabe dhe shtetet fqinje arabe e refuzuan planin. Kjo u bë me argumentimin se plani cënon të drejtat e popullsisë së shumicës në Palestinë, maxhoranca e së cilës në atë kohë i përkiste feve johebraike. Në luftën pasuese për Palestinën, Izraeli e zgjeroi territorin e tij. Rripi i Gazës i populluar nga arabë u pushtua nga trupa egjiptiane, Jordani Perëndimor nga ushtria e Jordanisë.

Në luftën gjashtëditore të vitit 1967 Izraeli pushtoi ndër të tjera edhe Jordanin Perëndimor, Rripin e Gazës dhe lindjen e qytetit të Jeruzalemit. Pas kësaj Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi Rezolutën 242, e cila vazhdon të jetë edhe sot baza sipas të drejtës ndërkombëtare për propozime zgjidhjeje të konfliktit. Rezoluta kërkonte tërheqjen e ushtrisë izraelite nga territoret e pushtuara. Në të njëjtën kohë dokumenti i OKB-së theksonte të drejtën e të gjitha shteteve, për të jetuar brenda kufijsh të sigurt dhe të pranuar. Izraeli me aneksimin e Jeruzalemit lindor e anashkaloi rezolutën. Ndërtimi i ngulimeve hebreje në Jordanin Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor krijuan fakte të mëtejshme, të cilat vështirësojnë negociatat për statusin e ardhshëm të krahinave të pushtuara.

Në 1988 u shpall shteti i Palestinës

Organizata për Çlirimin e Palestinës (OÇP) iu kundërvu Izraelit fillimisht me rrugën e armëve. Organizata anëtare të OÇP-së kryen atentate të shumta terroriste. Nën përshtypjen e Intifadës së parë në territoret e pushtuara, Jordania në 1988 hoqi dorë nga pretendimet e saj territoriale në perëndim të lumit Jordan. Në 15 nëntor 1988 OÇP shpalli shtetin e vet nga Algjeri. Megjithëse ky ishte vetëm një akt simbolik, brenda pak javësh ky shtet u njoh nga 90 vende, ndër të tjera edhe nga RDGJ. Por udhëheqja e OÇP-së e kishte bazën e saj ende në Tunizi. Vetëm në 1994 si pasojë e bisedimeve për paqe të Oslos u krijua autoriteti palestinez i autonomisë me seli në Ramallah. Deri sot më shumë se 130 vende e kanë njohur Palestinën si shtet sovran. Në Gjermani, Palestina është e përfaqësuar me një mision diplomatik por jo me ambasadë.

Edhe në organizatat ndërkombëtare autoriteti i autonomisë ka ecur përpara. Që në 1974 OÇP ishte ftuar me statusin e vëzhguesit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Në 2011 autoriteti i autonomisë kërkoi anëtarësinë e plotë në OKB. Por kjo iniciativë nuk kishte asnjë premisë për sukses pasi SHBA kishin njoftuar vendosjen e vetos në KS të OKB. Në vend të kësaj në 29 nëntor 2012 Palestina mori statusin e vëzhguesit në OKB. Shumica për këtë në Asamblenë e Përgjithshme ishte e qartë: 138 shtete votuan pro, SHBA, Izraeli dhe shtatë shtete të tjera votuan kundër. 41 shtete, ndër to edhe Gjermania, abstenuan. Në Asamblenë e Përgjithshme SHBA nuk ka të drejtë vetoje. Në organizatat e OKB për arsimin, shkencën, kulturën (UNESCO) Palestina u bë anëtare e plotë në vitin 2011.

Popull, territor dhe pushtet shtetëror si kritere

Sipas së drejtës ndërkombëtare një shtet duhet të ketë shumë tipare. Kritere vendimtare janë një popull shteti, një zonë shteti dhe një institucion që ushtron efektivisht pushtetin shtetëror. Sa i takon Palestinës është e kontestuar nëse qeveria autonome nën Presidentin Mahmud Abaz mund ta ushtrojë në masë të mjaftueshme këtë pushtet shtetëror. Kështu qeveria palestineze nuk ka ndikim të rëndësishëm në Rripin e Gazës. Atje sundon lëvizja radikale Hamas. Veç kësaj politika izraelite e pushtimit kufizon në shumë aspekte aftësinë vepruese të qeverisë autonome.

Pasojat e avancimit të një njohjeje të Palestinës janë të kontestuara. SHBA, Izraeli, Gjermania dhe disa shtete të tjera janë të mendimit se një zgjidhje e gjithanshme paqeje për Lindjen e Afërt është një parakusht për një rritje të vlerës së autoritet të autonomisë. Një veprim i njëanshëm i palestinezëve sipas këtij vlerësimi do të sillte rezultatin e kundërt.

Anasjelltas përkrahësit e një njohjeje mendojnë se me këtë mund të vijë një dinamikë e re. "Një valë njohjesh të Palestinës nga shtetet e BE-së do të ishte një sinjal i fortë për Izraelin, për t'i marrë sërish seriozisht negociatat, për të ndaluar ndërtimin e ngulimeve dhe për të punuar me ndershmëri për një zgjidhje me dy shtete", tha ministri i Jashtëm i Luksemburgut Jean Asselborn në një intervistë me gazetën "Süddeutsche Zeitung".