1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Trupa gjermane në Afganistan do të zvogëlohet

Nga shkurti 2014 do të jenë vetëm 3.300 ushtarë të Bundeswehr-it, që kryejnë shërbim në Hindukush. Mirëpo mbrojtja ushtarake për rindërtimin nevojitet edhe për vite me radhë.

Edhe dy vjet do të zgjasë misioni ISAF i NATO-s në Afganistan. Një angazhim ushtarak, në të cilin marrin pjesë aktualisht 4.800 ushtarë gjermanë. Shërbimi i tyre në veri të Afganistanit, në Kabul dhe në nyjën e trafikut për furnizimet, Uzbekistan, mbulohet nga një mandat i Bundestag-ut Gjerman, por ai skadon në fund të janarit 2013. Deri atëherë parlamentarët duhet të kenë vendosur rishtas dhe qeveria gjermane ka krijuar bazën për këtë vendim.

Piketat e mandatit të ri, i cili planifikohet të miratohet më 28 nëntor, janë "në përputhje me gjendjen në pikëpamjen ushtarake, të bashkërenduara e të pajtueshme ndërkombëtarisht si dhe të përgjegjshme politikisht", tha Ministri i Mbrojtjes Thomas de Maiziere në Berlin. Deri në shkurt 2014 numri i ushtarëve të Bundeswehr-it në Afganistan planifikohet të ulet në maksimumi 3.300. Mandati i ri do të ketë një afat 13 mujor. Ka pasur tashmë "biseda për të zgjuar interesin dhe për të negociuar" me opozitën mbi piketat. Për këtë arsye llogaris me një miratim të gjerë në Parlamentin Gjerman, tha de Maiziere.

Prani përtej 2015-s

Dorëzimi i përgjegjësisë në Afganistan po bën përpara, tërheqja vazhdohet me aleatët ndërkombëtarë, tha Ministri i Jashtëm Guido Westerwelle. Mirëpo e qartë është gjithashtu që paqja afatgjatë realizohet "vetëm me një proces politik". Ky duhet mbrojtur dhe mbështetur ushtarakisht, shtoi Westerwelle; edhe pas tërheqjes së trupave.

Në 2015-n dhe pas saj bashkësia ndërkombëtare nuk do të largohet nga Afganistani, tha Westerwelle. Por për atë kohë nuk është planifikuar më ndonjë mision luftarak. Qeveria gjermane vë në dispozicion për ndihmën për rindërtimin 430 milionë euro çdo vit. Kësaj i shtohet një kontribut për financimin e forcave afgane të sigurisë.

Ministri MbrojtjesThomas de Maiziere dhe ministri i Jashtëm Guido Westerwelle presin që plani të miratohet në parlament

Ministri MbrojtjesThomas de Maiziere dhe ministri i Jashtëm Guido Westerwelle presin që plani të miratohet në parlament

Vlerësim realist i gjendjes

Ministri i Mbrojtjes de Maiziere, (i cili i ka vizituar javën e kaluar ushtarët gjermanë në Hindukush), e vlerëson gjendjen aktuale në Afganistan si "me prirje për luhatje, por stabile". Vendimi mbi mandatin e ri bazohet "në një besim të mbështetur, por jo të pakufishëm" mbi zhvillimet deri në fund të vitit 2014.

Është e rëndësishme, që situatës t'i qasemi me një "pritje realiste". Në rast se dikush ka menduar, se Afganistani duhet të kthehet njëherë në rajon stabil si Zvicra dhe pastaj mund të tërhiqen trupat luftarake prej andej, ka menduar qysh prej fillimit gabim dhe kjo ka qenë jorealiste", tha Westerwelle.