1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Trumpi viziton Papën - dallimet tepër të mëdha

Të mërkuren në Vatikan Papa Françsku pret Presidentin amerikan Donald Trump. Por mes tyre ekzistojnë dallime të mëdha.

Hyni! Edhe Donald Trumpi është i mirëseardhur ne Vatikan. Mes Murit të Vajit në Jerusalem dhe samitit të NATO-s në Bruskel, Presidenti amerikan këtë të mërkurë viziton Vatikanin ku pritet nga Papa Françesku. Me vete sjellë dy femra: vajzën Ivankën dhe bashkëshorten Melania.

Në vitin 2013 Trumpi ka bërë përpjekje të afrohet në forma të ndryshme me Papën. "Papa i ri është një njeri modest, ngjashëm si unë. Prandaj e dua kaq shumë", shkruante ai në një twitter me 25 dhjetor 2013.

Por përpjekja për afrim dështoi totalisht, sepse tek tema e modestisë, mes këtyre dy njerëzve ekziston një botë e tërë. Përderisa Papa Françesku e ndjen veten të lumtur me gjëra të vogla, Trumpi jeton një jetë luksoze.

"Të krishterët nuk ndërtojnë mure"

Ata të dy kanë dallime të mëdha për refugjatët. Papa u ka ofruar azil në Vatikan 12 refugjatëve menjëherë pas kthimit të tij nga ishulli Lesbos në prill të vitit 2016. Ndërsa Trumpi është angazhuar gjatë fushatës për ndalimin e futjes në SHBA të refugjatëve myslimanë. Në shkurt të vitit të kaluar ata kanë pasur një debat të ashpër mes vete. Papa Françesku  pas vizitës së tij të fundit në Meksikë tha se "një person që do të ndërtojë mure në vend të urave, nuk është i krishterë." Ndërsa Trumpi u përgjigj: "Nëse Vatikani sulmohet nga IS, Papa Françesku do të ishte i pari që do të lutej që Donald Trump të jetë President i SHBA". Ai shtoi madje se "është totalisht e parëndësishme" çfarë flet Papa.

Mes tyre ekzistojnë dallime të mëdha edhe për perceptimin e fesë. Por ka dhe disa ngjashmëri të çuditshme. Të dy ata janë futur në zgjedhje si autsaiderë dhe kanë fituar në konkurrencë me hierarkitë e institucioneve të tyre. Të dy ata luftojnë me kritikët në radhët e tyre. Trumpi nuk hezitoi të largojë nga puna shefin e CIA, gjëra të tilla nuk janë tepër të largëta as për Papën. Në janar të vitit 2015 ai ka larguar nga puna komandantin e Gardës Zvicerane, Daniel Rudolf Anrig, sikur edhe priftin polak homoseksual Krysztof Charamsa.

Dyrt e hapura

Për shkak të dallimeve të shumta, takimi i këtyre dy pleqve pas mureve të Vatikanit do të jetë një shkëmbim mendimesh dhe - asgjë më shumë. "Ka dyer të cilat nuk janë krjetësisht të mbyllura", tha Papa para takimit, njofton Radio Vatikani. Duhet të flitet për gjërat e përbashkëta dhe të afrohemi hap pas hapi. Papa tha se "nuk krijon mendim për personat para

se të flasë me ta". Entuziazmi duket më ndryshe. Papa nuk e ka ftuar Trumpin në audiencë, por Trumpi ka kërkuar takim në Vatikan.

Ndoshta Trumpi ka për qëllim vetëm të bëjë një paraqitje para mediave? Misioni i tij vështirë se mund të shpjegohet. Trumpi nuk do të paraqitet si një i penduar që do të kthehet në rrugën e vërtetë. Me pesë fëmijë nga tri martesa, ai nuk është ndonjë idol i besimit konservator apo dokeve dhe moralit katolik.

Reklamë për Trumpin?

Trumpi me siguri që nuk mund të flasë as për çarmatimin, pas marrëveshjes prej 350 miliardë dollarë për armatime, të nënshkruar këto ditë me Arabinë Saudite. Mbetet shpresa se do të ketë harmonizim qëndrimesh për dialogun politik në Lindjen e Mesme, të cilin do ta fillojë këshilltari i tij, dhëndërri Jared Kushner.

"Këshilltarët e Trumpit shpresojnë se mund të përhapin idenë e "unitetit, paqës, tolerancës dhe shpresës", në raportet mes hebrenjve dhe fesë islame. Natyrisht nën regjinë e Presidentit Trump", shkruan korrespondenti i gazetës Die Zeit nga Roma, Julius Müller-Meiningen. Por shumëkush mendon se Trumpi do të përpiqet ta shfrytëzojë këtë takim për reklamë.