1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Trumpi dhe Putini arrijnë marrëveshjen e parë

Rusia do kompromise me SHBA-në edhe gjatë G20-ës. Trumpi dhe Putini ranë dakord për një armëpushim për jugperëndimin e Sirisë.

Takimi qe planifikuar vetëm për gjysmë ore, por ai zgjati më shumë se dy orë. Ky takim tërhoqi gjithë vëmendjen në Hamburg. Gjatë fushatës elektorale, Donald Trump kishte thënë në mënyrë të përsëritur se ai do të përmirësojë përsëri raportin e SHBA-së me Rusinë.

Dhe sado modest që mund të quhet takimi në kuadrin e deklaratave të bëra në prag të tij ai shënon një përparim. Gjatë vizitës së tij në Poloni në prag të samitit, Trumpi e sulmoi ashpër Putinin. Ai i bëri atij publikisht thirrje që të ndalte "ndikimin destabilizues të Rusisë në Ukrainë" dhe mbështetjen ruse për "regjimet armiqësore" si ai i Sirisë dhe Iranit.

Si përgjigje Putini kritikoi thuajse hapur përfytyrimet eTrumpit për politikën tregtare dhe kritikoi kufizimet në tregti dhe investime. Ai tha se këto nuk janë gjë tjetër sesa "proteksionizëm i maskuar".

Rusia do një kompromis me Trumpin

Në takimin e Trumpit dhe Putinit gjatë samitit të G20-ës ishin të pranishëm edhe dy ministrat e jashtëm, Rex Tillerson dhe Sergej Lavrov. Në një fjalim një javë më parë Lavrovi kishte thënë se rendi i ri botëror nën Trumpin duhet të jetë përsëri bipolar, me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara si dy pole. Perëndimi, me vlerat e tij pseudo-liberale dhe aleanca ushtarake e NATO-s janë të tepërta. "Unë besoj se presidentët i kuptojnë interesat e tyre kombëtare. Ata do ta kapërcejnë situatën aktuale jonormale dhe do të fillojnë negociata në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe." Edhe pse diapazoni i veprimit të Trumpit nuk është i madh, sepse Kongresi amerikan është duke i ashpërsuar sanksionet ekonomike kundër Rusisë, ideja ruse duhet t'i pëlqejë Trumpit.

Armëpushim për jugperëndimin e Sirisë

Presidenti amerikan dhe presidenti rus ranë dakord në parim për një armëpushim në jugperëndim të Sirisë. Rusia mbështet sundimtarin sirian Bashar Asad. Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur deri tani rebelët që luftojnë kundër qeverisë siriane. Të dyja Rusia dhe SHBA-ja kanë sulmuar nga ajri grupin terrorist "Shteti Islamik", që është përhapur edhe në Siri. Marrëveshja e armëpushimit u dakordua edhe me Izraelin dhe Jordaninë. Se si do të zbatohet armëpushimi që pritet të hyjë në fuqi nga e diela si dhe si do të monitorohet ai, nuk është plotësisht e qartë.

Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson u tha gazetarëve amerikanë pas samitit, se vendi i tij dhe Rusia kanë një "interes të përbashkët për të stabilizuar Sirinë." Në perspektivë afatgjatë SHBA-ja dhe Rusia duan t'i japin fund luftës civile në Siri. Paraardhësi i presidentit Trump, Barack Obama kishte këmbëngulur se nuk duhet të ketë një të ardhme politike për presidentin sirian Bashar al Assad. Administrata e re duket se ka hequr dorë nga ky pozicion. Megjithatë, sipas Sekretarit amerikan të Shtetit Tillerson, Rusia nuk do të këmbëngulë përgjithmonë për Asadin si president i Sirisë.