1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trumpi dhe Evropa - ç'duhet të presin BE-ja dhe Gjermania?

21 Janar 2017

Donaldi Trumpi bëri betimin si presidenti i 45-të i SHBA-së. Si mendon Trumpi për BE-në, Gjermaninë dhe marrëdhëniet transatlantike?

https://p.dw.com/p/2VxJN
Washington Amtseinführung Trump
Fotografi: Picture-Alliance/AP Photo/M. Balce Ceneta

Bashkimi Evropian është për Gjermaninë një mjet për qëllimet e saj; NATO-ja "e vjetëruar": intervista e Donald Trumpit dhënë gazetës gjermane "Bild", shkaktoi habi dhe indinjatë.

Shumë nga deklaratat e Donald Trumpit rreth Evropës, Gjermanisë dhe NATO-s janë kontradiktore. Megjithatë që në fjalimet e tij të para të fushatës elektorale u bë e qartë se lajtmotivi që do të përcaktojë politikën e jashtme dhe ekonomike të Trumpit  është: "America First" - "Interesat e Amerikës kanë përparësi". Në dallim me politikën shumëvjeçare amerikane Trumpi e sheh BE-në si një krijim artificial pa shpirt, që madje  dëmton ekonominë amerikane.

Donald Trump Protest Berlin
Protesta kundër Trumpit në Berlin në kohën ai bënte betimin presidencial. Fotografi: Reuters/H.Hanschke

Trumpi ndan mendimin e mikut të tij britanik dhe kritikut ndaj BE-së Nigel Farage: BE-ja u shërben kryesisht interesave të ekonomisë gjermane, kështu tha Trumpi në një intervistë me gazetata "Bild" dhe "Times": "BE-ja është në thelb një instrument për Gjermaninë. Kjo është arsyeja pse e konsideroj si shumë të zgjuar vendimin e Britanisë për të dalë nga BE-ja." - tha Trumpi.

Skeptik jo vetëm ndaj BE-së

Trumpi mendon në kategorinë e shteteve kombëtare dhe është skeptik jo vetëm ndaj BE-së por edhe ndaj OKB-së apo organizatave të tjera multinacionale. Trumpi mendon se mes shteteve mund të ketë marrëveshje dypalëshe, por jo një situatë win-win për të gjithë. Ndërsa paraardhësi i tij Barack Obama e vlerësonte Bashkimin Evropian si një nga arritjet më të mëdha në historinë e Evropës, Trump është i bindur se pas Britanisë nga BE-ja do të largohen edhe vende të tjera.

Donald Trump Portest Berlin
Protestë kundër Trumpit në Berlin - 'Mr. President, walls divide, build bridges!'Fotografi: picture-alliance/dpa/M.Sohn

Heather Conley, eksperte për Evropën pranë "Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare", një think-tank i politikës së jashtme në Uashington, mendon se nën drejtimin e Trumpit do të ketë një "ringjallje të marrëdhënieve dypalëshe" midis SHBA dhe Britanisë së Madhe. "Tashmë është njoftuar se kryeministrja Theresa May së shpejti do të vijë në Uashington."- thotë Heather Conley.

Ndërsa Barack Obama i kishte paralajmëruar britanikët ndaj Brexit-it, Donald Trumpi synon një marrëveshje të shpejtë dypalëshe tregtare me Mbretërinë e Bashkuar. Pjesë e strategjisë negociuese të Trumpit  është që t'i vërë disa partnerë kundër njëri-tjetrit në mënyrë që të nxjerrë në fund për veten dhe vendin e tij më të mirën. Kjo shpjegon gjithashtu deklaratat kontradiktore të Trumpit për NATO-n.