1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Trump-Afganistan: Të vazhdosh luftën pa strategji të re

Lufta në Afganistan është ndërkohë më e gjata në historinë amerikane. Donald Trump kërkon tani të vazhdojë luftën. Pas fjalimit të fundit nuk dihet për sa kohë dhe me çfarë synimi, mendon Sandra Petersmann.

I ri është vetëm toni që përdor Donald Trump. "Ne nuk do të synojmë më ndërtim shteti. Ne do të vrasim terroristë." Me këto fjalë, Trump shkëputet nga retorika e dy presidentëve të kaluar, që misionin në Afganistan e lidhnin me eksportimin e demokracisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut-  megjithëse të dy presidentët e mëparshëm për shkak të një mungese të strategjisë politike i jepnin prioritet forcës ushtarake. Kështu tani edhe Trump.

Vazhdimësi dhe jo strategji e re

Trump bëri të qartë, se është në interesin amerikan të angazhohet në Afganistan. Ai u shpreh se ka trashëguar "probleme të mëdha e të komplikuara", por ai është një njeri "që zgjidh problemet".  "Dhe në fund ne do të fitojmë". Trump nuk u deklarua se çfarë do të thotë kjo politikisht. "Trupat luftojnë për të fituar. Që tani do të përcaktohet qartë fitorja: të sulmohet armiku, të shuhet "Shteti Islamik", të zhduket Al-Kaida, të pengohen talibanët të marrin Afganistanin." Por për këtë presidenti amerikan duhet të ketë durim të madh. Dhe çfarë do të ndodhë, nëse në SHBA do të sillen më shumë arkivolë me trupat e ushtarëve të vrarë?

Trump nuk bëri të ditur shifra të qarta për rritjen e numrit të trupave, as nuk foli për një mision me plan të caktuar kohor. Vetëm kaq: "Strategjinë tonë do ta diktojë realiteti në terren dhe jo plane kohore pa kuptim."

Nga ana tjetër Trump bëri të ditur, se do të ndryshojë rregullat e misionit. "Mikromenaxhimi nga Uashingtoni nuk sjell fitoren e betejave", tha ai shprehimisht dhe shtoi se ushtarët e frontit duhet të reagojnë "në kohë reale". Kjo të bën të mendosh se do të fluturojnë më shumë drone, do të ketë më shumë bombardime. Më shumë luftë, më shumë vdekje. Dihet. Me Trumpin SHBA i kthehet misionit luftarak. Partnerëve të NATO-s kjo nuk do t'i pëlqejë. Ata kanë sinjalizuar mbështetje, por duan ta mënjanojnë përshtypjen se NATO po angazhohet në një luftë në Afganistan. Por ky dyzim nuk mund të vazhdojë gjatë.

Pakistan - aleati i vështirë

Të njohura ishin edhe kërcënimet në drejtim të Pakistanit. "Nuk mund të heshtim më për territoret e tërheqjes të organizatave terroriste, talibanët dhe grupimet e tjera në Pakistan", tha Trump. Por këtë e kanë thënë edhe Obama, Clinton, Cheney, Rumsfeld. Të gjithë kanë bërë fjalë për lojën e dyfishtë pakistaneze në betejën afgane. Kanë akuzuar, kanë kërcënuar, nganjëherë kanë mbyllur rubinetin e parave. Por deri këtu, më larg nuk është shkuar.

Sepse Pakistani është fuqi atomike dhe si partner i pazëvendësueshëm. Madje edhe furnizimi i trupave amerikane varet nga Pakistani. Trump kërkoi që ky vend të "demonstrojë angazhimin e tij për civilizimin, rendin dhe paqen". Por çfarë do të bëjë ai, nëse ky vend ndjek objektivat e tij? Do të vendosë sanksione? Do të dërgojë më shumë drone? Do të nisë deklarata dashurie në drejtim të Indisë? Kjo do të sillte në skenë më shumë se më parë Kinën.

Në qorrsokak

Më së voni në këtë moment bëhet e qartë se Trump nuk e ka asin në dorë, nuk ka vizion politik që përfshin të gjithë rajonin. Ky ishte gabimi themeltar, kur nisi lufta para 16 vjetësh. Beteja afgane është e tejmbushur me aktorë.

Nuk bëhet fjalë vetëm për Pakistanin. Edhe India, Irani, Rusia, Kina dhe Arabia Saudite ndjekin interesat e tyre. Të gjithë kërkojnë dhe gjejnë aleatë në Afganistan. Aleancat janë fluide, bëhet fjalë vetëm për interesat vetjake. Aktorët e shumtë destabilizojnë njëri-tjetrin, Afganistani është prej dekadash një arenë e luftërave përfaqësuese ideologjike dhe ushtarake.

Kommentarbild PROVISORISCH Sandra Petersmann

Sandra Petersmann

Aktorëve ndërkombëtarë iu vjen për shtat që Afganistani pas kaq vitesh lufte të vazhdueshme është fragmentarizuar si nga ana politike, ashtu edhe sociale dhe etnike. Ndërhyrja ushtarake perëndimore para 16 vjetësh ka kaluar në një luftë civile të pazgjidhshme. Nuk ka një qeveri uniteti në Kabul. Aleanca e presidentit Ghani dhe kryeministrit të ngarkuar në detyrë, Abdullah është e përçarë. Zëvendëspresidenti Dostum është larguar nga vendi, për t'i ikur akuzave për rrëmbim të dyshuar dhe përdhunim nga një rival politik.

Mbretër të korruptuar me gjasë stabilizatorë

Pushtetmbajtësit rajonalë si guvernatori Atta nga provinca e Balkhut sillen si mbretër absolutistë. Ata ia lejojnë vetes këtë, sepse perëndimi i mbështet dhe i financon. Mbretër të tillë lejohen të jenë të korruptuar, të mbajnë madje milicët e tyre dhe të terrorizojnë popullin. Kjo e rrit distancën mes qeverisë së Kabulit dhe qytetarëve dhe çon ujë në mullirin e talibanëve. Kultura e pandëshkueshmërisë është garanci për terrorin.

Edhe presidenti Trump duhet ta kuptojë një ditë se fitorja në Afganistan nuk arrihet me bomba. Do të vijë një moment që do të fillojnë negociata të gjata, tejet të vështira. Por kur të gjithë të jenë rraskapitur nga lufta. Megjithatë gjendja sot është: nuk ka strategji të re, por vazhdim të luftës, që nuk mund ta fitojë askush. Terrori është gjithmonë edhe një përgjigje ndaj vakuumit politik.

 

 

Ju mund të jepni mendimin Tuaj në fund të këtij artikulli. Ne ju mirëpresim!