1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Triumfi i linjës së ashpër

Si në Izrael si dhe në territoret palestineze po vihet re një shtim i dhunës të ekstremistëve. Kjo bën që të triumfojnë përfaqësuesit e linjës së ashpër.

Izraeli po njihet me nënshtetasin e tij të parë xhihadist. Dy muaj më parë, i mituri izraelit me origjinë palestineze u largua nga shtëpia pa lënë gjurmët. Tani ai u shfaq përsëri - në një spital turk, ku po mjekohet për djegie të rënda. Mendohet se ai duhet të jetë plagosur në Siri ose Irak, ku duhet të ketë luftuar në radhët e organizatës terroriste "Shteti Islamik".

Rasti i xhihadistit të ri po e ndez më tej shqetësimin e Izraelit për ekstremizmin fetar. A është e mundur që tani do të shtohet numri i palestinezëve që mund t'u bashkohen grupeve radikale xhihadiste si IS-i? IS-i ka njoftuar në fillim të nëntorit të këtij viti praninë e tij në Rripin e Gazës. Hamasi islamik e ka mohuar deri tani praninë e luftëtarëve të IS-it dhe nuk e ndryshoi pozicionin e tij madje edhe kur në fillim të nëntorit u sulmua Qendra Kulturore Franceze në qytetin e Gazës dhe "Shteti islamik" mori mbi vete përgjegjësinë për sulmin.

Në të njëjtën kohë, Hamasi deri tani i është shmangur dënimit në parim të IS-it dhe veprimeve të tij në Siri dhe Irak. "Ne kemi vendosur të mos flasin për IS-in", tha një oficer sigurimi i Hamasit për revistën on-line Al-Monitor. "Ne jemi të gjithë islamistë, dhe për ne është e vështirë për arsye ideologjike që t'i dënojmë ata si" terroristë ". Sepse edhe ne vetë akuzohemi nga Perëndimi dhe disa shtete arabe për terrorizëm.""

Laikët kundër islamistëve

Ideologjinë e vet islamike Hamasi po përpiqet gjithnjë e më shumë që ta eksportojë në Bregun Perëndimor të Lumit Jordan të dominuar nga Fatahu laik. Hamasi do që rezistenca e armatosur të përhapet në çdo pëllëmbë të Bregut Perëndimor. Sipas Al-Monitor në një fjalim publik në fund të nëntor të këtij viti në Gazë shefi i Hamasit Mahmoud al-Zahar e kishte deklaruar këtë gjë me zë të lartë. Autoritetet palestineze reaguan të alarmuar dhe arrestuan vetëm gjatë nëntorit mbi 200 aktivistë militantë të Hamasit.

Kjo shifër pasqyron mosmarrëveshjen për drejtimin politik që aktualisht ndan palestinezët pavarësisht qeverisë së unitetit mes Hamasit dhe Fatahut të krijuar në pranverë. Të dy palët ngrinden për politikën e duhur ndaj Izraelit dhe pajtohem vetëm në dënimin e parimeve themelore të politikës që ndjek Izraei. Kështu të dy palët e bëjnë Izraelin përgjegjës për vdekjen e politikanit Ebu Ziad Ein, i cili vdiq më 10 dhjetor të këtij viti në një demonstratë në veri të Ramallahut pas një konfrontim të dhunshëm me ushtarët izraelitë. Apo vrasjen e 19-vjeçarit Muhamed Jawabreh, i cili u qëllua prej ushtarëve izraelitë më 11 nëntor gjatë një demonstrate.

Deri në mars pritet të vazhdojë status quo-ja

Palestinezët duan që në raste të tilla apo vazhdimin e ngritjes së ngulimeve hebreje, t'i paraqesin në të ardhmen para Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ata gjithashtu ankohen për dhunën në rritje të ekstremistëve hebrenj në Izrael si dhe në territoret palestineze. Sipas gazetës palestineze "Hayat al-jadida" apo gazetës "Al Quds" që botohet në Jeruzalemin lindor Izraeli është pengesa për paqen.

Kurse izraelitët nga ana e tyre i akuzojnë palestinezët se duan të shkatërrojnë përpjekjet për paqe. Në të gjitha negociatat, ata kanë bërë të pamundurën për të minuar parimin "dy shtete për dy popuj", shkruan gazeta "Jerusalem Post". Shumë izraelitë kanë frikë nga një Intifadë e tretë

Mundësia e një kryengritjeje të re është tema dominuese e bisedimeve në të dy palët - edhe për shkak se ata muajt e fundit nuk kanë lëvizur një hap tjetër drejt afrimit. Deri në zgjedhjet parlamentare që zhvillohen më 17 mars 2015 në Izrael, pas shumë gjasash do të sundojë një status quo. Por kjo nuk është shumë e favorshme për paqen. Incidentet e dhunshme janë shtuar shumë muajt e fundit. Ka pa shenja për të supozuar se ato në periudhën e ardhshme do të pakësohen.