1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"Triton" do të shpëtojë refugjatët

Prej disa ditësh ka nisur në Mesdheun Jugor operacioni i Bashkimit Evropian Triton. Qëllimi i operacionit është të shpëtojë refugjatët, por a do të ndërhyjë Bashkimi Europian pasi misioni i Italisë të ketë përfunduar?

Pas pesë ditësh stuhie, deti midis Libisë dhe ishullit italian të Lampeduzës është i qetë. Javën e kaluar anija "Viana do Castello" ka patrulluar përreth 30 milje detare në jug të ishullit. Kapiteni Jorge Miguel Morais Chumbo dhe ekuipazhi i tij prej 40 vetësh janë duke kërkuar varka që transportojnë refugjatë dhe që mund të kenë avari. Deri tani nuk kishim se çfarë të bënim, thotë ai. "Mendoj se situata është ende e qetë pavarësisht motit të keq."

Duke përdorur një numër të madh radarësh, ai mban nën kontroll të gjitha anijet apo objektet e dyshimta. Fakti që deri tani ai nuk ka pikasur asnjë anije refugjatësh mund të jetë për shkak të motit të keq që mund të ketë shkatërruar anijet prej druri të trafikantëve të qënieve njerëzore.

Jorge Miguel Morais Chumbo

Jorge Miguel Morais Chumbo

Anija portugeze i përket agjencisë së sigurimit të Bashkimi Europian Frontex dhe ka shpëtuar deri tani qindra refugjatë nga anijet e dëmtuara. Këta refugjatë janë transportuar në portin italian dhe janë dorëzuar tek autoritetet.

Gjurmimi nga lart

Pjesa më e rëndësishme e operacionit nuk janë anijet por dy aeroplanë vëzhgues që fluturojnë nga Lampedusa dhe Malta dhe monitorojnë territorin deri në Libi. Një prej aeroplanëve i pajisur me radarë dhe kamera ka ardhur nga Finlanda. Piloti i tij, Lauri Pakkala thotë: "Normalisht anijet në këtë zonë janë plot me refugjatë", thotë ai. "Këto anije zbulohen pasi kuverta e tyre është plot me njerëz, ndryshe nga anijet e peshkimit që kanë në kuvertë vetëm pajisje peshkimi." Lauri Pakkala menjëherë raporton policinë bregdetare në Romë e cila vepron për shpëtimin e këtyre refugjatëve.

Lauri Pakkala

Lauri Pakkala

"Triton" ka qëllim vetëm të ndihmojë Italinë

Paralelisht me operacionin europian "Triton" Italia ka edhe misionin e saj të shpëtimit të quajtur "Mare Nostrum" që vepron në ujërat ndërkombëtarë. Por qeveria italiane për shkak të kostos që ka ky mision është duke pritur afatin e mbylljes së tij.

Ndërkohë, dy aeroplanët Triton, një helikopter dhe 6 anijet nuk do të jenë në gjendje të bëjnë atë që marina italaine ka bërë vitin e kaluar. Italia deri tani ka kapur thuajse 100 mijë refugjatë nga Mesdheu.

Zëdhënësja e Frotex, Izabella Cooper, duke folur për portin e Lampeduzës ka bërë të qartë që Triton është një operacion ndihmues. "Roli i Frontex nuk është për të zëvëndësuar kontrollet kufitare të Italisë apo të një shteti tjetër," thotë ajo.

Izabella Cooper

Izabella Cooper

Ne vetëm furnizojmë me pajisje teknike apo edhe punonjës shtesë, veçanërisht në vendet e prekura që të kenë mundësi të kontrollojnë më mirë kufirin e tyre, thotë Cooper. Triton do të jetë gjithmonë nën komandën italiane dhe Italia duhet të vazhdojë të organizojë operacionet e saj të shpëtimit në ujërat e saj. Ekzistojnë ligje ndërkombëtare që i detyrojnë vendet të shpëtojnë njerëzit në ujërat e tyre," thotë ajo.

Viti më i keq

Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere thotë se operacionet e shpëtimit në det të organizuara nga BE janë duke inkurajuar refugjatët që të shmangin këto udhëtime të rrezikshme për ta. Por shumë prej oficerëve të bordit të Viana do Castelo nuk mendojnë kështu. Askush nuk e di se sa refugjatë arrijnë të kalojnë përmes detit pa u vënë re nga Mare Nostrum apo Triton.

Viti 2014 ishte vit dramatik, thotë Cooper. "Nuk ka pasur kurre kaq shumë refugjatë dhe njerëz të vdekur" Kjo ka ardhur si pasojë e situatës dramatike në Siri, Eritre, Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudan. "Situata është shumë e vështirë. Një faktor shumë i qartë është situata në Libi. Shteti ka dështuar dhe aty nuk ka më policë apo ligje që të ndalojnë trafikantët dhe kontrabandistët."

Pajisjet e hedhura jashtë bordit

Pas pesë orësh në ajër, Pakkala kthehet në aeroportin e vogël të Lampeduzës. Ai thotë se përpiqet të mos fluturojë shumë pranë anijeve të refugjatëve. "Ndonjëherë refugjatët bëjnë veprime të rrezikshme që vënë në rrezik jetën e tyre," thotë ai. " Ata hedhin jashtë anijes pajisjet e lundrimit sepse kështu mendojnë se mund të shpëtojnë më shpejt." Sa herë që shohin ndonjë avion, bëjnë gjithçka për të shpëtuar.

Identifikimi i trafikantëve

Sapo refugjatët sillen në bordin "Viana do Castelo," atyre ju jepet ndihma mjekësore. Por Frontex ka edhe hetues të specializuar që marrin në pyetje ata që vijnë nga anijet e mbipopulluara. Oficerë të kontrollit në bord si Nunu Palheira kërkon të zbulojë se kë kanë paguar këta refugjatë dhe cilët janë trafikantët. Zakonisht trafikantë janë ata që drejtojnë anijen. Shpesh mund t'i identifikojme vetë, thotë Palheira. "Nuk është e thjeshtë vetëm kur ata kanë të njëjtën kombësi si refugjatët. Nëse ka një shqiptar në një anije plot me sirianë është e thjeshtë, përndryshe na duhet shumë kohë për të analizuar sjelljen në grup dhe për të zbuluar trafikantin." Në këtë mënyrë kemi arrestuar dhjetra trafikantë.

Por kjo nuk i pengon grupet që ndodhen në Libi. Ky biznes atje është shumë i mirë, thotë Cooper. " Kontrabandistët në Libi janë duke bërë biznes fitimprurës, pa asnjë rrezik. Vetëm me një anijë ata mund të fitojnë deri në 1,2 milionë euro." Për aq kohë që shteti libanez nuk ka struktura për zbulimin e kriminelëve, është shumë e vështirë të parandalohet ky fenomen, ankohet Bashkimi Europian.

Tani sapo ka filluar dimri dhe ka shumë refugjatë të dëshpëruar që janë gati të paguajnë mijëra euro duke marrë përsipër këtë udhëtim të rrezikshëm. Koha e keqe pengon gjithashtu edhe oficerët e shpëtimit për të shpëtuar refugjatët. "Ajo që ne shpresojmë është që kontrabandistët të mos i hedhin nga anija, refugjatët që nuk e përballojnë dot motin e keq" - thotë Cooper.