1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tri ditë bisedime për Iranin - pa sukses

Jashar Erfanian/Farhad Salmanian11 Nëntor 2013

Fakti që një kompromis i parë mund të arrihet tani në kohën e presidentit Rohani, është një lloj mbështetjeje për forcat e moderuara dhe reformiste në Iran.

https://p.dw.com/p/1AEzA
Fotografi: Reuters/Jason Reed

Lajmi që ministri i Jashtëm amerikan John Kerry e pranoi të premten (08.11.2013) ftesën e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikën e jashtme, Catherine Ashton, për të marrë pjesë në Gjenevë në negociatat me homologun e tij iranian Mohammad Xhavat Sarif lidhur me programin bërthamor të Iranit, qe befasues. Përveç Kerry-t në takim erdhën dhe ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle, kolegët e tij nga Britania e Madhe dhe Franca, William Hague dhe Laurent Fabius, ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov, si dhe zëvendësministri i Jashtëm i Kinës Li Baodong. Çdo gjë dukej pra sikur në këtë raund diskutimesh do të arrihej një kompromis i parë dhe mund të nënshkruhej një marrëveshje e përbashkët provizore.

William Hague, Mohammad Xhavat Sarif dhe Guido Westerwelle
William Hague, Mohammad Xhavat Sarif dhe Guido WesterwelleFotografi: Reuters

Tri ditë bisedime, por pa sukses

Deri të dielën (10.11.) palët pjesëmarëse diskutuan për gjetjen e një kompromisi. Por në fund grupi 5 +1 dhe Irani nuk mundën të bien dakord për një marrëveshje. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ninistrin e Jashtëm të Iranit Sharif, Catherine Ashton tha se negociatat ishin një hap i madh përpara, por se nuk janë zgjidhur të gjitha dallimet. Sharif u shpreh gjithashtu i kënaqur me bisedimet. Më 20 nëntor grupi 5 + 1 dhe Irani do të takohen për një raund tjetër bisedimesh.

Franca bllokon marrëveshjen

I habitshëm qe qëndrimi i Francës në bisedime. Ministri i Jashtëm francez Laurent Fabius, tha që të shtunën (09.11.) se nuk ka "asnjë siguri" se në Gjenevë do të arrihet një marrëveshje dhe se në tekstin e projektmarrëveshjes ka një pasazh që Parisi nuk e pranon në atë formë. Fjala është për reaktorin bërthamor Arak, i cili mund të prodhojë edhe plutonim për qëllime ushtarake si dhe mund të ulet në nivelin 5% sasia e pasurimit të rezervat e uranit të pasuruar deri në masën 20%.

Laurent Fabius
Laurent FabiusFotografi: picture-alliance/dpa

Fabius tha se vetëm kur të sqarohen këto pika, Franca është e gatëshme për marrëveshje. Po ashtu ai tërhoqi vëmendjen se në bisedime duhet të merren parasysh plotesisht edhe "shqetësimet e Izraelit dhe të rajonit.

Një diplomat amerikan shprehu në një bisedë me Agjencinë franceze të Lajmeve AFP frustrimin e tij për qëndrimin e Francës: "SHBA-të, BE-ja dhe Irani kanë muaj që punojnë fort për të arritur një marrëveshje dhe rezistenca e Fabius ndaj marrëveshjes nuk është gjë tjetër, se sa një përpjekje për të vënë veten në qendër të vëmendjes."

Afrimi SHBA-Iran dhe Izraeli

"Netanjahu dhe të djathtët në politikën izraelite nuk kanë asnjë interes për zgjidhjen e konfliktit bërthamor me Iranin," thotë për DW politologu nga Këlni Siebo Janssen. "Përkrahësit e linjës së ashpër në Izrael janë ndër të tjera aq të fortë, sepse ata mund ta paraqesin Iranin si armikun e Izraelit. Një marrëveshje midis Perëndimit dhe Teheranit kërcënon pozitën politike të Netanyahut" - mendon Janssen.

Por edhe nëse Franca është e shqetësuar për Izraelin, ajo në fund të fundit nuk do të mund ta parandalojë një marrëveshje me Iranin, thotë me siguri Siebo Janssen. "Pavarësisht prej formës dhe përmbajtjes që të ketë, marrëveshja është padyshim hapi i parë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Iranit dhe Perëndimit pas tetë viteve të Ahmadinexhadit në pushtet," - thotë Janssen.

Profesor Mehrzad Boroujerdi
Mehrzad BoroujerdiFotografi: DW

Sipas politologut nga Nju-Jorku, Mehrzad Boroujerdi, Izraeli gjendet aktualisht me shpinë pas murit: "Izraeli nuk ka zgjidhje tjetër vetëm se të përpiqet për të ndikuar ndaj grupeve të tij të lobimit në Uashington. Gjithësesi mendoj se SHBA zor se do të dorëzohet prej presionit të Izraelit. Uashingtoni ka një interes të qartë për zgjidhjen e konfliktit ", tha Boroujerdi për DW.

Mbështetje për reformatorët?

Fakti që pas vitesh të tëra mosmarrëveshjesh një kompromis të parë mund të arrihet tani në kohën e qeverisjes së presidentit të moderuar Hasan Rohani, është një lloj mbështetjeje për forcat e moderuara dhe reformiste në Iran, beson Janssen. "Një lehtësim i sanksioneve kundër Teheranit, qoftë edhe shumë i kufizuar, mund të çojë në hapjen dhe liberalizimin e vendit. Një kompromis me Perëndimin e forcon kampin e Rohanit dhe është një sinjal politik ndaj kundërshtarëve të presidentit brenda vendit. Ky tregon se politika e jashtme e radikalëve konservatorë ishte e gabuar." - thekson politologu Siebo Janssen.