1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Trend në rënie i mbështetjes së perspektivës europiane të Shqipërisë nga qytetarët

Performanca politike shikohet nga analistët si shkak për zbehjen e publikut ndaj procesit të integrimit europian. Por ata nuk shikojnë ndonjë orientim tjetër të shqiptarëve veç afrimit me BE-në.

default

Edhe pak ditë, kur Brukseli pritet të jape vendimin, nëse do t'ia akordojë apo jo Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtar në BE, në opinionin publik vendas kanë tërhequr vëmendjen rezultatet e një studimi, që ka publikuar së fundmi Instituti i Studimeve Ndërkombëtare në Tiranë. Në mënyrë sistematike prej vitesh kjo organizatë joqeveritare organizon sondazhe në rang kombëtar mbi nivelin e perceptimit për perspektivën europiane të Shqipërisë.

Duke iu referuar treguesit kryesor për vitin 2014 shikon se niveli i mbështetjes së popullatës për procesin e integrimit europian është në kuotën 77 %. Sipas ekspertëve kjo mbetet një kuotë sërish e lartë, por ajo që është përcjellë me diskutime është vlerësimi krahasues për këtë tregues në vitet e mëparshme.

Nëse në vitin 2010 kemi një shifër prej 93 %, vitin e kaluar ishte 85 %. Po t'i bashkangjisim edhe 77 % e këtij viti, atëherë qartazi dallohet trendi i rënies. Duke lexuar më në brendësi tregues të tjerë të studimit, vihet re se të pyeturit në 12 qarqet e vendit si shkaktarë, se përse Shqipëria nuk arriti ta marrë statusin në dhjetorin e vitit të kaluar, janë ndarë në këtë mënyrë: 37.6% konsiderojnë si përgjegjëse qeverinë, 29.8% forcat politike shqiptare dhe 13.7% bëjnë përgjegjës qeveritë e vendeve anëtare të BE-së.

Premtime e pritshmëri të mëdha, por ndryshime minimale

Prof. Ass. Afrim Krasniqi, ekspert i shkencave politike, pasi e përshkruan si të kuptueshëm dhe të pritshëm këtë rënie të mbështetjes, jep disa arsye. Njëra, sipas tij, lidhet me keqpërdorimin nga politika të kartës së integrimit për dy dekada dhe qytetarët kanë parë pak ndryshime. Premtimi për integrimin nuk frymëzon më, thotë për DW, prof. ass Afrim Krasniqi.

Prof. Ass. Afrim Krasniqi, ekspert i shkencave politike

Prof. Ass. Afrim Krasniqi, ekspert i shkencave politike

“Plus kësaj, pritshmëria është që edhe pas një përgjigjeje pozitive nga BE politika vendore të mos ndryshojë dhe të mbetet edhe më tej faktor më shumë pengues, sesa nxitës në arritjen e standardeve të plota të anëtarësimit. Një dejavu, që u pa edhe në rastin e pranimit në NATO, premtime e pritshmëri të mëdha, ndryshime reale minimale në vend. Tjetër arsye është sipas meje se shqiptarët kanë kaluar nga faza e miteve dhe keqkuptimeve në raport me integrimin tek faza e pragmatizmit dhe debatit mbi përparësitë, sfidat dhe problemet, që shoqërojën këtë proces. Së treti gjendja sociale në vend, varfëria e korrupsioni, brishtësia e institucioneve dhe prespektiva e munguar, bën që qytetarët ta shohin veten larg projekteve të mëdha siç është projekti i anëtarësimit në BE”.

Eksperti i shkencave politike përmend dhe arsyen se karta e integrimit si ofertë në bisedimet zyrtare, apo presionin pozitiv të Brukselit, ose ndonjë vendi të BE ndaj Shqipërisë, prej një numri gjithnjë e më të madh qytetarësh, sidomos të rinjsh, shikohet si kartë politike dhe gjeopolitike, pra jo kartë standardesh të njëjta për vende të ndryshme, siç ishte premtuar dy dekada më parë.

Arritjet e procesit të integrimit më tepër si spotane

Për analistin e medias Robert Goro, lodhja prej procedurave të gjata mund të jetë një nga arsyet e zbehjes. Por ai është po me argumentin se arsyeja kryesore lidhet me zhgënjimin, që qytetarët ndjejnë prej politikës shqiptare. Perspektiva e integrimit europian ka qenë një motivim dhe stimul shumë pozitiv për segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare, por jo edhe për politikën, shpjegon Goro për DW.

“Shqipëria është një nga vendet e para postkomuniste, që artikuloi aspiratën për anëtarësim në BE, por ka rezultuar në rreshtat e fundit të këtij treni, duke mbetur mbrapa madje edhe vendeve si Serbia, apo Maqedonia, vende që në këto dy dekada kanë kaluar nëpër probleme shumë më të mëdha, që është vënë në diskutim madje edhe entiteti i tyre shtetëror. Për turpin tonë, sepse ne i kemi votuar vazhdimisht, politika shqiptare, e sendërtuar në dy partitë kryesore, mendoj se çdo arritje në procesin e integrimit e ka realizuar më tepër spotanisht, se sa me vetëdije dhe përgjegjësi. Dhe po vazhdon të funksionojë kështu edhe tani që vendi ndodhet në pragun e marrjes së statusit”.

Albanien Tirana Politik Medienanalyse

Goro: Arsyeja kryesore zhgënjimi, që qytetarët ndiejnë prej politikës shqiptare

Robert Goro nuk beson se shqiptarët përkrahin ndonjë orientim të ndryshëm nga ai europian, pasi sipas tij, shpirti praktik i popullit tonë e ka kuptuar edhe instiktivisht se Europa e Bashkuar sjell më shumë të mira. “Thjesht, shqiptarët janë disi të çuditshëm në aspiratat e tyre. Realizimin e shohin si diçka të mirëqenë, apriori dhe jo si rezultat të një pune këmbëngulëse, që kërkon edhe sakrifica. Shikoni përshembull, në ç'kalvar po kalojnë grekët këto katër vitet e fundit, që të mbajnë vendin në BE dhe në Eurozonë. Për fat të keq, druaj se ne, si shoqëri dhe si politikë, vazhdojmë të vuajmë mungesën e traditës demokratike dhe institucionale edhe pas më shumë se dy dekadave të përmbysjes së sistemit monist; dhe këtu faji nuk është vetëm i politikës. Shqipëria ka nevojë si të thuash për një revolucion moral dhe mental.”

Shqiptarët nuk kanë model tjetër përveç Europës

Analisti i medias Endri Xhafo, duke iu refreuar shifrave të studimit në vite për mbështetjen. që qytetarët shqiptarë i kanë dhënë perspektivës europiane të vendit prej 2006-s, nënvizon dy vite "jo të mirë": 80,7% në vitin 2011 dhe 77% në 2014, që janë përqindje gjithsesi nga më të lartat në Europë, por kontrastojnë në raport me shifra si 95% në 2008, apo 93,8% në 2007. Por pasi analizon vit pas viti luhatjet e nivelit, Xhafo parashikon se në rast se do t'i jepet në fund të muajit Shqipërisë statusi i vendit kandidat, me shumë gjasa mbështetja e shqiptarëve për Europën në raportin e vitit të ardhshëm do të jetë në nivele nga më të lartat. Sa i takon orientimit të shqiptarëve, ata janë të dënuar të shohin nga Europa, shprehet Endri Xhafo për DW.

“Ndoshta jo me idealizmin e viteve '90, kur Europa rrezantonte në botë fuqi ekonomike dhe ambicie politike, ashtu e kapluar siç ishte nga euforia e rënies së komunizmit, kalimi nga Komunitet në Bashkim Europian nëpërmjet traktateve dhe reformave të brendshme institucionale (Maastricht, Amsterdam, Nice e Lisbone), që u kurorëzuan me përfundimin e Tregut Unik apo monedhën e përbashkët "euro" dhe u ndoqën me zgjerime të njëpasnjëshme (1995, 2004 e 2007). Shqiptarët nuk kanë as model tjetër përveç Europës, sepse partnerët e saj kryesorë ekonomikë janë vende anëtare të BE-së, por nuk kanë as edhe ndonjë projekt konkret, që mund t'u merrte energjitë dhe fokusin, siç mund të ishte ndonjë platformë për bashkimin me Kosovën. Prandaj Europa mbetet e vetmja pikë referimi, për sot dhe për nesër.”