1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tre vendkalime të reja kufitare mes Maqedonisë dhe Serbisë

Maqedonia dhe Serbia së shpejti do të hapin tre vendkalime të reja kufitare me të cilat do ti mundësohet qytetarëve që banojnë rreth brezit kufitar qarkullim i lirë dhe i shpejtë.

Duke treguar sistemin kufitar maqedonas.

Duke treguar sistemin kufitar maqedonas. Shtohen tre pika kalimi me Serbinë

Hapja e vendkalimit kufitar mes fshatit Llojan të Likovës dhe Miratoc të Preshevës, së shpejti do të bëhet realitet. Përfaqësues të Ministrisë së punëve të jashtme të Maqedonisë dhe Serbisë kanë filluar në terren matjet për të caktuar vendin, ku do të hapet vendkalimi i përbashkët midis dy vendeve. Kjo pikë kufitare do të menaxhohet bashkarisht nga pala maqedonase dhe serbe, dhe do të funksionojë sipas modelit evropian.

Edhe pse ideja për hapjen e vendkalimit daton që moti, çështjet administrative kanë qenë shkak për mos realizimin e saj. “Ngecjet në hapjen e këtij vendkalimi kufitare, kanë patur karakter të procedurave të pazgjidhura juridiko-administrative nga ana e qeverisë serbe,” thotë Todor Nanev, nga Ministria e punëve të jashtme e Maqedonisë. Sipas tij, kufiri do të hapet shume shpejt, meqë pritet ndihmë financiare nga fondet evropiane.

Sipas marrëveshjes mes dy shteteve, në këtë vendkalim kufitar do të vendoset vetëm një barakë, në të cilën do të patrullojnë ekipe të përbashkëta policore dhe i njëjti do të ketë karakter lokal, që nënkupton kalimin e vijës kufitare vetëm nga banorët që jetojnë për rreth brezit kufitar. Përfaqësuesit e Komunës së Likovës dhe Preshevës, hapjen e këtij vendkalimi e vlerësojnë si tejet të rëndësishëm. “Me hapjen e këtij kufiri në një mënyrë do të lehtësohet edhe komunikimi, sepse njerezit nuk do të udhëtojnë më në Miratoc, përmes vendkalimit Tabanovc por, do ta bëjnë këtë rrugë drejtpërdrejt nga Llojani në Miratoc," thotë Nexhati Osmani, sekretar i Komunës së Likovës.

Hapja e këtij vendkalimi pritet me pa durim nga ana e qytetarëve nga të dyja anët e kufirit, sepse ata janë të lidhur ngushtë me lidhje familjare dhe me prona tokësore. Aktivizim i këtij kalimi kufitar do të shkurtonte shumë rrugën, do të zvogëlonte mundin e qytetarëve dhe harxhimet që imponohen. Në vend që të arrijnë tek familjet e tyre për 70 kilometra, ata do ta bëjnë një gjë të tillë me hapjen e kufirit të ri, vetëm për 3 kilometra. “Ne shpresojmë që ky vendkalim të hapet, por se a do të funskionojë nuk jemi aq optimistë,” thotë një banor i Llojanit.

Sava Stankoviç nga Ministria e Jashtme e Serbisë deklaroi, se ka pasur probleme administrative dhe materiale, që kanë shtyrë procesin e hapjes së këtij vendkalimi të ri. “Ky është një hap i përshpejtuar, që kemi ndërmarrë për të hapur sa më shpejt vendkalimin kufitar, me qëllim që banorët e këtyre zonave të kenë mundësi për të lëvizur në të dyja anët e kufirit," ka theksuar Stankoviç.

Protokolli për hapjen e këtij vendkalimi kufitar mes dy shteteve ishte nënshkruar që nga viti 2003, por për shkak për problemeve administrative punët kanë ngecur. Sipas marrëveshjes, njëkohësisht mes Serbisë dhe Maqedonisë do të hapen edhe dy vendkalime tjera kufitare Ogut -Tërgovisht dhe Cërcoli e Madhe -Golesh.

Autor : Fatos Musliu

Redaktoi : Aida Cama


  • Data 11.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I7Si
  • Data 11.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I7Si