1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Tre ushtarë gjermanë vriten në Afganistan

Tre ushtarë gjermanë u vranë të martën në veri të Afganistanit, në afërsi të qytetit Kundus, qendrës së Bundesverit për rindërtimin në Afganistan. Sulmin ndaj patrullës gjermane e morën përsipër talibanët.

Ushtar gjerman i Misionit ISAF në Afganistan.

Tre ushtarë gjermanë u vranë të martën në veri të Afganistanit, në afërsi të Kundusit.

Në qendrën rajonale për rindërtimin në Kunduz, flamurët janë ngritur në gjysëm shtizë. Tre ushtarë gjermanë të trupës ndërkombëtare të mbrojtjes ISAF janë vrarë këtu të martën. Sipas të dhënave të ushtrisë gjermane, ushtarët që patrullonin së bashku me forcat afgane të sigurisë, u sulmuan në orën 11.50 me armë dore dhe armë anti-tank. Ushtarët i ishin përgjigjur zjarrit dhe kishin kërkuar mbështetje nga ajri dhe nga forcat rezervë. Sulmin ndaj patrullës gjermane e morën përsipër talibanët. Zëdhënësi i talibanëve Sabiullah Muxhahid, i tha agjensisë gjermane të shtypit në Kabul, se kryengritësit kishin atakuar konvoin gjerman me raketa antitanke.

Ministri gjerman i mbrojtjes Jung, duke folur për misionin në Afganistan.

Por megjithë sulmin e fundit, ministri i mbrojtjes Jung nuk do të heqë dorë nga misioni në Afganistan.

Ministri gjerman i mbrojtjes, Franc Jozef Jung, mësoi për sulmin gjatë një ceremonie të marinës në detin Balltik. Rrugës për në Berlin të martën pasdite, ai ndaloi në aeroportin e Hamburgut, ku foli shkurt para gazetarëve. "Ata ishin në patrullim dhe u sulmuan atje nga terroristët me armë zjarri dhe armë anti-tanke, dhe në këtë betejë u vranë tre ushtarë."

Kampi gjerman ka qenë herë pas here objektiv i sulmeve të rebelëve talibanë. Rasti i fundit ishte vrasja e një ushtari gjerman, i cili ra në një pritë në fund të muajit prill. Me rastin e së martës arrin në 35 numri ushtarëve gjermanë të vrarë nga sulmet, betejat, apo aksidentet në Afganistan.

Në përgjithësi rajoni i Kundusit është më i rrezikshmi, ndër lokacionet e gjermanëve në Hindukush. Sipas ministrisë gjermane të mbrojtjes nga të 34 sulmet, që kanë ndodhur këtë vit, qoftë me mortaja, apo me mjete shpërthyese, vetëm 30 kanë ndodhur në Kundus. Atje ndryshe nga zonat e tjera, ku është i vendosur Bundesveri në Veri të Afganistanit, jetojnë edhe shumë pjesëtarë të grupit etnik të pashtunëve, prej të cilit talibanët islamistë rekrutojnë anëtarë të rinj.

Ushtria gjermane në Afganistan.

Siguria përreth Kundusit është bërë kritike. Gjendja është tensionuar.

Ministri Jung e cilëson gjendjen e sigurisë me të keqe se më parë

"Siguria përreth Kundusit është bërë më kritike. Gjendja atje është tensionuar, ajo ka ndryshuar nga pritat dhe shkëmbimet e zjarrit. Sot ka zgjatur më shumë kjo situatë e shkëmbimit të zjarrit. Dhe nqs shikoni se me çfarë armësh sulmohet këtu, jo vetëm me armë dore, por edhe me armë antitanke, atëherë e shihni se gjendja e sigurisë pikërisht në këtë zonë në Kundus, është bërë më kritike."

Por megjithë sulmin e fundit ministri i mbrojtjes Jung nuk do të heqë dorë nga misioni në Afganistan

"Por unë mendoj se ne ua kemi borxh ushtarëve të rënë, që të vazhdojmë të përmbushim misionin tonë. Që të ballafaqohemi në mënyrë efektive me terroristët në interes të sigurisë të qytetareve dhe qytetarëve tanë në Gjermani, që të kapim edhe atentatorët. Që secili në Afganistan duhet ta dijë, se kush na sulmon ne edhe luftohet prej nesh."

Në një reagim të parë shefi i fraksionit të majtë, Gregor Gysi, kërkoi sërish tërheqjen e menjëhershme nga Afganistani. "Nuk mund të justifikohet më që të vihet në lojë jeta e afganëve dhe jeta e ushtarëve", tha Gysi. Misioni në Afganistan e shton rrezikun e një sulmi terrorist në Gjermani dhe në botë.

Autor: Agjencitë / Angjelina Verbica

Redaktoi : Aida Cama




  • Data 23.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IXoW
  • Data 23.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IXoW