1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tre elementet e LSI : Punësimi, bujqësia, shëndetësia

26 Qershor 2009

Intervistë me Sekretarin e Përgjithshëm të LSI-së, Petrit Vasili.

https://p.dw.com/p/IbyE
Petrit Vasili, Sekretar i Përgjithshëm i LSI-së.
LSI-ja është një eksperiencë e re - Petrit Vasili, Sekretar i Përgjithshëm i LSI-së.Fotografi: DW

Deutsche Welle: Z. Vasili cilat ishin ato pika programore, që e bënë të pamundur konkurimin e LSi-së në një koalicion me Partinë Socialiste?

Petrit Vasili: Çështja e konkurimit më vete të LSI-së është e lidhur me prerogativat e kodit zgjedhor, i cili kërkon që të gjitha partitë të konkurojnë më vete. Kështu që, konkurimi ynë nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me çështje programore, por lidhet drejtpërdrejtë me këtë kërkesë të kodit. Ndaj ne konkurojmë duke qenë të pavarur dhe duke pasur koalicionin tonë. Por megjithatë, pikat themelore të programit tonë janë në radhë të parë punësimi si kryepriotet madhor, i dyti është problemi i prapambjetjes së jashtëzakonshme në bujqësi. Së treti, ka shumë rëndësi edhe nxjerra e shëndetësisë nga kriza shumë e rëndë, në të cilën ai ndodhet. Këto mund të ishin tri nga momentet thelbësore, duke mos harruar në ansjë rast edhe energjetikën si prioritet madhor.

Deutsche Welle: Këto pika programore janë të ngjashme edhe me ato të PS-së, madje edhe të partive të tjera. Pra çfarë e dallon programin e LSI-së nga ai i PDS-së dhe përse duhet të votojë elektorati LSI-në?


Petrit Vasili: Ka disa arsye themelore: Së pari: LSI-ja është një eksperiencë e re, ndërkohë që partitë e tjera në raste të tjera zgjedhore i kanë konsumuar mundësitë e tyre për të qeverisur. Një pjesë e madhe e prapambjetes që ekziston në këtë vend është, se këto qeveri: të majta apo të djathta e kanë provuar veten e tyre. Së dyti: Shqipëria kërkon një plan të qartë të daljes nga kriza, sepse ndodhet në krizë dhe LSI-ja e ka një plan, të cilin e ka bërë publik në të gjithë Shqipërinë dhe ai u është shpërndarë qindra mijëra qytetarëve, ndryshe nga partitë e tjera, të cilat nuk kanë një plan të qartë për nxjerrjen e vendit nga kriza. Së treti: është e nevojshme që në krye të këtij aksioni të madh politiko-qeveritar, të ketë edhe një lider të sprovuar.

Autor : Vilma Filaj - Ballvora

Redaktoi : Aida Cama