1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trazirat në Londër, 100 të tjerë përfundojnë pas hekurave

8 Gusht 2011

Policia metropolitane ka arrestuar 100 persona të tjerë në trazirat që kanë shpërthyer në Londër, pas vdekjes së një burri gjatë një aksion policie.

https://p.dw.com/p/12Cro
Protesta në Londër
Protesta në LondërFotografi: dapd

Dhuna ka vazhduar edhe në orët e para të së hënës në pjesën veriore të Londrës, lagjen e quajtur Tottenham, ku jetojnë emigrantë të ndryshëm. Por, mes protestuesve që kanë dalë në rrugë për vrasjen nga policia të një 29 vjeçari, janë shtuar dyshimet për aksionin që i ka dhënë jetë trazirave. Sipas protestuesve, policët nuk kanë qenë të rrezikuar në momentin që kanë qëlluar për vdekje Mark Duggan, të riun që ka humbur jetën dhe që ka shërbyer për të ndezur protestat në veriun e kryeqendrës britanike.

9 agjentë policie janë plagosur gjatë sulmeve të të rinjtë kundër dyqaneve, makinave si dhe në disa sheshe, në një kohë që trazirat janë përhapur edhe në Brixton, Enfield, Walthamstow, Islington dhe Oxford. Më shumë se 100 persona janë vënë në pranga.

Enfield, Londra veriore
Enfield, Londra verioreFotografi: dapd

Shumë shtëpi u dogjën, bashkë me dy makina të policisë si dhe një autobus turistësh, në një kohë që për startin e Lojërave Olimpike duhen më pak se 12 muaj. “Oficerët që i janë përgjigjur trazirave kanë kryer më shumë se 100 arrestime. Ata janë të shokuar nga niveli i lartë i dhunës që po drejtohet ndaj tyre,” tha në një njoftim për shtyp, Scotland Yard. Autoritetet kanë vendosur patrulla shtesë në pikat kryesore ku shpërtheu dhuna, por sërish nuk mundën të eliminojnë incidentet, ndërsa nga kjo situatë përfituan edhe shumë kriminelë të cilët grabitën mallra në dyqane dhe qendra tregtare.

Në zonën e Brixton-it, që njësoj si ajo e Tottenham, ka një histori të gjatë tensionesh me policinë, më shumë se 100 persona hynë me dhunë në një qendër tregtare disa katëshe me mallra elektronike, ndërsa disa dyqaneve iu vu flaka.

Duke parë dëmet që iu bënë mallrave, Marilyn Moseley, një menaxhere shitjesh 49 vjeçare, dënoi dhunën në Brixton. "Dëgjova helikopterët që po vinin pas një feste që kishte nisur më parë në rrugë. Ishte e paevitueshme, diçka do të ndodhte sepse njerëzit kishin gjithë atë kohë që pinin alkool. Inati nuk është ai që duhet. Kjo që po ndodh është pa kuptim” tha ajo.

Policia në vendin e ngjarjes, Totenham
Policia në vendin e ngjarjes, TotenhamFotografi: picture alliance/dpa

Trazirat që i kanë vënë flakën gjysmës së Londrës, shpërthyen në zonën e Tottenham, pas vdekjes së 29 vjeçarit Duggan. Ai u qëllua për vdekje në një shkëmbim zjarri të policisë me bandat me ngjyrë ndërsa Duggan po hipte në një taksi. Policia është duke hetuar vdekjen.

Autor: Reuters/ Aurel Boriçi

Redaktoi: Aida Cama