1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trashëgimi e rrezikshme në afërsi të Parisit

Susanne Dörhage
3 Janar 2018

Banorët e Villeparisis kërkojnë sqarime nga shteti francez, sepse kjo zonë mund të jetë e ndotur me mbetje radioaktive bërthamore.

https://p.dw.com/p/2qFkH
Frankreich Widerstand gegen Gipssteinbruch bei Paris
Fotografi: Christophe Nedelec

Rreth 20 kilometra larg Parisit gjendet kazerma Vaujours, në poligonin e së cilës ushtria franceze ka bërë në vitet 1950 të ashtuquajturat "eksperimente bërthamore miniaturë". E gjithë zona e kazermës është e ndotur prej mbetjeve radioaktive. Tani sipërmarrja Placoplatre, e cila prodhon material ndërtimi do të nxjerrë në këtë zonë gips. Para dhënies së koncesionit Agjencia Franceze e Energjisë Atomike ka kryer të ashtuquajturin "dekontaminim" të kësaj sipërfaqeje. Kjo do të thotë që nga territori i kazermës janë hequr disa shtresa toke dhe pas kësaj autoritetet e kanë shpallur terrenin si "të pastër".

Frankreich Widerstand gegen Gipssteinbruch bei Paris
Fotografi: Christophe Nedelec

Por kjo nuk është e vërtetë. dhe tani po del pak nga pak në dritë se ushtria nuk e kishte këtu gjithçka nën kontroll. Kështu punëtorët e sipërmarrjes Placoplatre gjetën në këtë zonë thasë me mbetje radioaktive. Zëdhënësi i kompanisë së materialeve të ndërtimit Placoplatre, Gilles Bouchet, thotë: "Zakonisht dheu është normal, por nëse gjejmë objekte që na duken jo normale, atëherë e kalojmë informacionin menjëherë tek një specialist dhe ai  kujdeset më pas për dekontaminimin."

Tani banorët e qytetit Villeparisis nën drejtimin e politikanit të zonës Grégory Jurado kanë filluar të ndërgjegjësohen se zona është ende e ndotur. "Ne kemi një normë anormale të lartë kanceri në zonë. Ne duhet të bëjmë diçka! Ne apelojmë tek njerëzit, që të bëhen aktivë dhe të bëjnë pyetje. Dhe mbi të gjitha ushtria duhet që më në fund të na thotë se çfarë ka bërë në poligonet ushtarake." - thotë Grégory Jurado.

Instituti bërthamor CRIRAD,  në Valencë në Francën jugore, i ka konfirmuar matjet e tyre dhe thotë se terreni është ende i rrezikshëm. Ky institut është i pavarur nga shteti francez.

Frankreich Widerstand gegen Gipssteinbruch bei Paris
Fotografi: Christophe Nedelec

Fizikanti bërthamor Bruno Chareyron tregon për shembull, se një pllakë nga njëra anë është tërësisht e padëmshme, por nga ana tjetër mund të jetë shumë e ndotur me rrezatim.

E njëjta gjë është edhe me dheun dhe tokën në poligonin ushtarak. "Problemi është se në një kantier të tillë ndërtimi duhet ta ekzaminosh gjithçka shumë saktë. Sapo të hiqet një shtresë dheu, duhet të bëhen matje të vazhdueshme të radioaktivitetit. Sepse vende të rrezatuara dhe  të parrezatuara mund të jenë pranë e pranë. Shpesh është një pjesë toke me ndotje radioaktive vetëm pak centrimetra larg një tjetre që nuk është e ndotur." - thotë Bruno Chareyron

Ndërkohë sipërmarrja CRIRAD nuk i ka ndërprerë punimet dhe punonjësit e saj vazhdojnë të kërkojnë për gips në këtë zonë. Kjo është skandal, mendon Grégory Jurado. Ai është i bindur se shteti thjesht dëshiron ta heqë qafe trashëgiminë potencialisht radioaktive. "Ekzistojnë interesa të qarta të përbashkëta midis shtetit dhe kompanisë ndërtimore. Nga njëra anë, Franca dëshiron që  çdo gjë që ka të bëjë me provat bërthamore të harrohet sa më shpejt të jetë e mundur, dhe nga ana tjetër, Placoplâtre dëshiron të gjejë shtresat e gipsit sa më shpejt të jetë e mundur." - thotë  Grégory Jurado.