1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Trashëgimi e vjetër- deficite demokratike në Lindje të BE

Në Hungari, Evropa e sheh prej kohësh të kërcënuar shtetin juridik. Tani parimet demokratike i shkeli edhe Rumania, vëren Komisioni i BE. Ku e kanë burimin deficitet demokratike në shtetet e ish-bllokut lindor?

Probleme me vendet lindore të BE. Në foto: Manuel Barroso

Probleme me vendet lindore të BE. Në foto: Manuel Barroso

Sërish një shtet anëtar i BE nga Lindja e Evropës ndodhet nën kritikat e KE. Ashtu si kritikoi para disa muajsh politikën e Viktor Urbanit në Hungari, po njësoj kritikon me fjalë të pazakonta të qarta Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso qeverinë e Victor Pontas në Rumani. Shteti juridik dhe pavarësia e drejtësisë në Rumani janë në rrezik, tha Barroso në prezantimin e të ashtuquajturit raport progresi për gjendjen në vendin e Evropës Juglindore. "Ngjarjet në Rumani e kanë tronditur besimin tonë", tha Barroso. Ngjashëm është vlerësimi që jepet edhe për Bullgarinë. Në raportin për gjendjen në këtë vend thuhet edhe se synimet për ndërtimin e një sistemi juridik modern si dhe në luftën kundër korrupsionit nuk janë arritur. Dhe pa humbur kohë, në të gjithë Evropën flitet për deficite demokratike të shteteve të Evropës Lindore dhe Juglindore, flitet për "demokraci difektoze".

Një shkak për këtë, profesor Wolfgang Höpken, profesor i historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Leipzigut sheh në mungesën e përvojës demokratike të shteteve, që deri më 1989 ishin pjesë të të ashtuquajturit "bllok i lindjes".

Wolfang Höpken

Wolfang Höpken

Që në periudhat parakomuniste këto shtete nuk kanë pasur sisteme demokratike mirëfunksionuese dhe gjatë sundimit komunist, mosbesimi përballë institucioneve shtetërore është rritur edhe më tej. Pas kthesës politike, thotë Höpken, këto vende u konfrontuan me sfidën unikale historike, për të reformuar njëkohësisht si sistemin e tyre ekonomik, ashtu edhe atë politik. "Kjo ishte një barrë shumë e madhe për këto shoqëri. Që të presësh këtu një rend demokratik pa deficite do të ishte naive", thotë Höpkeni.

Në praktikë kjo do të thotë se elitat politike do të përpiqen herë pas here që ta sigurojnë pozicionin e tyre politik, duke lëvizur vetëm formalisht brenda kuadrit kushtetutues të vendit të tyre. Por në fund të fundit, ato nuk veprojnë siç e kërkojnë kushtetutat e tyre: me truke të ndryshme dhe me dredhi ato minojnë pavarësinë e drejtësisë, reduktojnë kompetencat e gjykatës kushtetuese dhe eleminojnë kontrollin reciprok të institucioneve shtetërore.

"Pas kësaj fshihet mendimi bazë se kundështari politik është armiku im, i cili duhet të luftohet me të gjitha mjetet," thotë Franz Lothar Altmann, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Bukureshtit. "Këtu mungon kultura e diskutimit politik, një kulturë parlamentare se si trajtohet tjetri", shpjegon Altmanni. Një situatë të ngjashme si tani në Hungari dhe në Rumani kemi pasur pak vite më parë në Poloni, kur fatet e vendit i drejtonin vëllezërit Jaroslaw dhe Lech Kaczynski, thotë Altmanni. Ai është i bindur se kjo është një trashëgimi e sundimit komunist. "Atëherë ekzistonte vetëm një mendim- ai i partisë."

Franz-Lothar Altmann

Franz-Lothar Altmann

Kritikat publike bëjnë përshtypje

Ky është edhe njëri nga shkaqet, se pse Komisioni Evropian ka nisur për Bullgarinë dhe Rumaninë një procedurë monitorimi. Meqenëse pranimi i këtyre vendeve në BE në vitin 2007 ndodhi, edhe pse ato nuk i plotësonin kriteret e forta të pranimit, ato u vendosën nën vëzhgimin e ekspertëve. Që atëherë, ata kanë për detyrë të monitorojnë përparimet në ndërtimin e një drejtësie të pavarur si dhe në luftë kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar dhe t'i raportojnë për këtë rregullisht Komisionit të BE.

Matje me dy lloj masash?

Në vendet e prekura shpesh pohohet se Perëndimi në kritikat e tij është shumë i njëanshëm. "Pse ndëshkon Brukseli gjithmonë evropianolindorët?", pyeste së fundi një gazetë hungareze. Sipas kritikave më të përhapura, BE përzihet në punët e brendshme të shteteve evropianolindore në një masë, siç nuk e bën këtë në shtetet perëndimore. Dhe menjëherë permenden sulmet ndaj drejtësisë në Itali nga Berlusconi, dëbimi i romëve nga Franca në kohën e Sarkozisë ose ndikimi i populistit të djathtë Geert Wilders ndaj qeverisë në Hollandë.

Edhe historiani i kulturës dhe i shoqërisë, Wolfgan Höpken paralajmëron që të mos mbahet një qëndrim mësuesi: "Shumë dendur, edhe shtetet perëndimore bëjnë shkarje të rënda". Një dallim të rëndësishëm ai megjithatë sheh në faktin "se ekziston ndjesia, që në Rumani, për shkak të konfliktit të pushtetit midis Presidentit Basescu dhe Kryeministrit Ponta po ndryshohen strukturat demokratike." Kjo në Hollandë nuk ka ndodhur, pavarësisht sa problematike mund të vlerësohet politika e Wildersit, thotë Höpken.

Megjithatë, procesi i transformimeve në shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore ende nuk ka përfunduar. KE mund të nxisë ose drejtojë në këto vende ndryshime sociale, me anë të monitorimit, ftesave ndaj politikanëve që mbajnë përgjegjësi dhe kërcënimit me sanksione. Pas përdorimit të këtyre mjeteve, si Viktor Orbani në Rumani, ashtu edhe Victor Ponta në Rumani i tërhoqën disa prej vendimeve të tyre më të kritikuara. Edhe në Bullgari ka sinjale se lufta kundër korrupsionit merret seriozisht- një konfirmim për të gjitha ata që besojnë se këtu kemi të bëjmë me demokraci të afta për të mësuar dhe që duan të mësojnë, e që ndodhen në rrugë për t'u bërë demokraci moderne dhe të konsoliduara.