1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Transferimi i prokurorëve përcillet me polemika në Tiranë

Ben Muka30 Janar 2008

Opozita ka reaguar ditën e mërkurë në lidhje me lëvizjet nga detyra të 14 prokurorëve në Prokurorinë e Përgjithshme, duke i konsideruar ato si të motivuara politikisht.

https://p.dw.com/p/Cztc
Parlamenti TiranëFotografi: AP Photo

Sekretari për çështjet juridike në PS, Fatmir Xhafaj i quajti transferimet e prokurorëve, si "aktin e parë të një drame që po luhet nga mazhoranca për sistemin e drejtësise dhe që nuk përputhet me kërkesat që kanë qytetarët, por dhe institucionet ndërkombëtare, të cilat presin hapa serioze dhe të qëndrueshëm në reformën në drejtësi’.

Të mërkurën PS i ka drejtuar një letër kryeprokurores së Republikës Ina Rama, ku kërkon sqarime për lëvizjet e fundit në këtë institucion, veçanërisht për prokurorin e çështjes së hetimit të rrugës Durrës – Kukës, një çështje për të cilën opozita po pretendon se është shkaktuar një dëm i jashtëzakonshem ekonomik për buxhetin e shtetit dhe xhepat e taksapaguesve shqiptarë.

Në lidhje me transferimin e prokurorit të dosjes së ndërtimit të rrugës Durrës Kukës, Xhavit Hana, prokuroria ka sqaruar se megjithese Hana eshte caktuar në prokurorinë e krimeve të renda, "ai nuk është shkëputur nga ndjekja e kësaj çështje".

Ndërsa për lëvizjet e fundit në institucion, prokuroria është shprehur se çdo lëvizje është bërë në funksion të reformimit dhe të shkurtimeve te stafit në Prokurorinë e Përgjithshme. Polemikat për transferimet në organin kryesor të akuzës bëhen në një moment kur dy kampet kryesore të politikës, mazhoranca dhe opozita, janë duke nisur procesin e reformimit ne sistemit të drejtësisë, si një nga çështjet kryesore që duhet të permbushë Shqipëria për antarësimin në NATO dhe në BE.