1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Griechenland Wende

4 Nëntor 2011

Heqja dorë prej variantit të referendumit rriti shpresat për triumf të arsyes në Athinë. Por në vend të arsyes, sundon taktika politike partiake.

https://p.dw.com/p/1353X

Kryeministrit grek, Papandreu i shkoi huq llogaria që bëri. Përmes referendumit, ai donte t'u jepte përgjegjësi edhe qytetarëve grekë, të kërkonte miratimin dhe mbështetjen e tyre aktive për paketën ndërkombëtare të shpëtimit. Por për shkak se opozita greke ndjek një kurs të ashpër antiqeveritar - dhe madje edhe deputetë të partisë qeverisëse PASOK kanë kundërshtuar masat e nevojshme të kursimit dhe ato strukturore, kryeministri grek u përpoq të nxirrte nga e keqja një të mirë: Ai evokoi prioritetin që ka politika - me kthimin e syve drejtpërdrejt tek populli.

Por Papandreu ka harruar që drejton jo vetëm një vend të zhytur në borxhe, por edhe një vend të falimentuar. Në këtë rast vlen prioriteti i ekonomisë dhe jo ai i politikës. Papandreu shkaktoi pasiguri në tregje e tek partnerët evropianë dhe pësoi fiasko në minikonferencën e shtypit me kancelaren Merkel dhe presidentin Sarkozy në Kanë. Brenda 48 orësh ai duhej të kthente rrugë dhe të linte mënjanë versionin e referendumit. Ndryshe do të ngrinin të gjitha ndihmat për Greqinë.

Greqia ka nevojë urgjente për një konsensus minimal politik mes partive të mëdha, pra PASOK-ut dhe partisë Demokracia e Re. Vetëm kështu mund të kenë efekt masat vërtet të ashpra të kursimit, por të nevojshme. Të enjten u dha një sinjal në drejtimin e duhur nga partia Demokracia e Re. Kryetari i saj, Antonis Samaras bëri të ditur se do të mbështesë në parlament vendimet e samitit të BE-së të 27 Tetorit , pra faljen e pjesshme të borxheve Greqisë, dhe se madje do të kontribuojë në një qeveri provizore.

Tregjet reaguan pozitivisht dhe kryeqytetet evropiane patën shpresa. A do të bëjë më në fund edhe djepi i demokracisë, atë që kanë bërë demokraci të tjera moderne, si anëtarët e tjerë me borxhe, Irlanda dhe Portugalia? Do të bashkëpunojnë më në fund edhe në Athinë partitë e mëdha, me qëllim që vendi të shpëtojë veten me forcat e veta?

Euforia ishte disi e parakohshme. U kuptua se Samaras me bashkëpunim nënkuptonte dorëheqjen e menjëhershme të Papandreut, krijimin e një qeverie ekspertësh dhe zgjedhje të reja brenda gjashtë javësh. Duket që Papandreu megjithë tronditjen në radhët e veta këmbëngul në mocionin e votëbesimit në parlament. Pastaj ai synon të bisedojë me Samaras për një qeveri të koalicionit. Kështu prapë qëndrojnë në parlament dy matadorët e politikës greke përballë njëri-tjetrit të papajtueshëm. Pa grimën e kompromisit. Sikur të bëhej fjalë për seanca të zakonshme parlamentare, sikur të mos bëhej fjalë për të ardhmen e vendit në eurozonë. Po shohim një tragjedi apo komedi greke? Me gjasa të dyja. Dhe aktet që sjellin të dridhurat vazhdojnë.

Autor: Spiros Moskovou

Redaktoi: Lindita Arapi