1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Tragjedi në Zvicër - Belgjika në shok

Tragjedi në Zvicër. 28 persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë me autobus, ka bërë të ditur policia zviceriane. Është ende e paqartë se cili ishtë shkaku i aksidentit.

Pamje nga fatkeqësia

Pamje nga fatkeqësia

Një autobus me fëmijë është përplasur në mënyrë frontale me betonin e një tuneli në kantonin zvicerian Wallis. Ndër të vdekurit janë edhe 22 fëmijë rreth moshës 12 vjeç, të cilët ishin duke u kthyer në Belgjikë pas një fundjave skijimi. Përplasja ka qenë aq e fortë se pjesa e përparme e autobusit është shkatërruar tërësisht duke bllokuar pasagjerët në të, tha policia. Është ende e paqartë se cili ishtë shkaku i aksidentit.

Në mesin e të vdekurve janë edhe gjashtë të rritur, duke përfshirë edhe dy shoferët e autobusit. Në vendin e aksidentit kanë shkuar menjëherë forca të shumta policie dhe ekipe shpëtimi, të cilët kanë mundur të transportojnë për në spitalet më të afërta 24 të plagosurit e tjerë. Pjesa më e madhe e fëmijëve ishin nga dy shkolla në Belgjikë, nga Lommel në verilindje dhe Heverlee në qendër.

Gjendje shoku edhe ndër politikanët belgë

Një agjenci lajmesh holandeze raporton se në autobus ishin edhe shtatë fëmijë holandezë. Aksidenti ka tronditur të gjithë vendin, ndërkohë që prindërit e fëmijëvë janë mbledhur në shkollën Sint-Lambertus School në Lommel, por ende nuk dinë se kush nga fëmijët ka humbur jetën. Pranë tyre gjenden edhe një ekip psikologësh. „Kjo është një ditë tragjike për të gjithë Belgjikën,“ deklaroi kryeministri i Belgjikës, Elio Di Rupo.

I tronditur ka qenë edhe Ministri i Transporteve të Belgjikës. “Jam pa fjalë. Tani jam duke menduar për ata prindër. Është e tmerrshme të mendosh se si ndihen ata prindër që nuk do të shohin fëmijët e tyre të kthehen nga udhëtimi,” u shpreh Melchior Wathelet për radio RTBF radio.

Autobusi bënte pjesë në flotën e autobusëve të kompanisë Toptours, me bazë Aarschot, informoi Wathelet. “Kompania kishte një reputacion të mirë dhe respektonte gjithmonë rregullat,” shtoi ai.

Autor: Agj/Topi

Redaktoi: Lindita Arapi