1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Trëndafilë të kuq për pavarësinë e Katalonjës

Kryeministri i Katalonjës Artur Mas planifikon një referendum për pavarësinë në 9 nëntor dhe rrezikon kështu një shkelje të hapur të kushtetutës. Dialogu me Madridin duket thuajse i pamundur.

Stendat me lule i japin sheshit Plaça de Catalunya në qendër të Barcelonës një ngjyrë të kuqe të errët. Nga këtu, nga Katalonja, nisi tradita për t'i dhuruar vetes në 23 prill trëndafilë të kuq dhe libra. Por prej kohësh trëndafilët janë kthyer edhe në dëshmi të bindjeve politike. Ato janë të mbështjellë në një letër transparente, e cila mban ngjyrat e flamurit katalan, e verdhë dhe e kuqe, dhe nganjëherë madje edhe një yll shtesë, i cili simbolizon kërkesën për pavarësi.

Në 9 nëntor katalanët mund të votojnë; nëse duan apo jo pavarësinë, shpjegon Roger Fernández në tezgën e tij të trëndafilëve në Barcelonë, trëndafilët me flamurin e pavarësisë. Por ai edhe paralajmëron: "Njerëzit kanë shpresa të mëdha, por unë nuk besoj se do të ketë ndryshime të rëndësishme. Ne e dimë se si funksionon sistemi ekonomik."

Kundër kushtetutës

Trëndafilat pa ngjyrat Katalane nuk shiten aq shumë

Trëndafilat pa ngjyrat Katalane nuk shiten aq shumë

Nëse do të votohet vërtet, nuk është aspak e sigurt. Gjykata Kushtetuese spanjolle e ka vlerësuar votimin për pavarësinë si një shkelje të kushtetutës demokratike të vendit. Ajo i garanton rajoneve mbrojtjen e të drejtave të tyre të autonomisë, por flet edhe për një Spanjë, që nuk ndahet, sovrani i së cilës janë gjithë spanjollët, dhe jo vetëm një pjesë e tyre, si p.sh. katalanët.

Parlamenti spanjoll për këtë arsye refuzoi në fillim të muajit një referendum për pavarësinë e Katalonjës. Megjithatë kryeministri i Katalonjës Artur Mas nuk heq dorë nga plani i tij. Ai do të mbajë referendumin në 9 nëntor. Nëse kjo nuk do të jetë e mundur mbi bazën e ligjeve spanjolle, do t'i kërkojë parlamentit rajonal të Katalonjës që ta legjitimojë.

"Mirë për Katalonjën dhe mirë për Spanjën"

Mas thekson se një referendum i tillë nuk ka forcë ligjore. Megjithatë ai do që të negociojë për këtë me Spanjën, nëse një shumicë e madhe shprehen për shkëputje. Edhe BE duhet të luajë një rol në këtë mes. Ai duhet të ndërmjetësojë për të gjetur një zgjidhje, e cila të jetë "e mirë për Katalonjën, e mirë për Spanjën dhe e mirë edhe për Evropën", thotë Mas.

ë

Artur Mas e quan problemin e shkëputjes jo vetëm një problem të brendshëm spanjoll

Për t'i dhënë më shumë peshë planit të tij, Mas ka ftuar përfaqësues të medieve në ditën ndërkombëtare të librit, në selinë e qeverisë në qendër të Barcelonës. Shtypi spanjoll e sheh këtë si përpjekje për ta ngritur konfliktin me Madridin në një skenë ndërkombëtare. Por pjesa më e madhe e shteteve të BE-së e konsiderojnë konfliktin më shumë si një problem të brendshëm spanjoll dhe u thonë katalanëve që të merren vesh me qeverinë spanjolle. Anëtarë të Komisionit të BE-së kanë përsëritur vazhdimisht se një Katalonjë e pavarur nuk do të jetë automatikisht anëtare e BE-së dhe për pranimin e saj do të duhej miratimi i të gjithë anëtarëve të BE-së, edhe ai i Spanjës.

Propozimi i tretë: Spanja si shtet federal

Zyrtarisht asnjë nga palët në konflikt nuk e refuzon dialogun. Megjithatë kryeministri i Spanjës Mariano Rajoy kërkon që Mas të heqë dorë nga referendumi përpara negociatave, në fund të fundit ai duhet të respektojë kushtetutën e vendit të tij. Katalani nga ana e tij pranon të negociojë me Madridin, nëse është fjala për referendumin. Për të kanë votuar 80 për qind e deputetëve në parlamentin rajonal. Kështu kërkesat e të dy palëve bëhen pengesë për bisedimet.

Në Katalonjë sidoqoftë jo të gjithë e përkrahin kursin nacionalist. Socialistët katalanas për shembull kërkojnë një ndryshim kushtetute. Shteti i Spanjës me 17 "komuna autonome", të cilat në pjesën më të madhe negociojnë në plan bilateral me qeverinë spanjolle për kompentencat dhe financimin e tyre, të kthehet në një shtet të vërtetë federal sipas modelit gjerman dhe Senati të shndërrohet në një Dhomë Rajonale. Por ky propozim tingëllon i komplikuar dhe lihet në harresë përballë përgjigjeve të thjeshta të qeverive në Madrid dhe Barcelonë.

Kujt i intereson?

Manuel Cruz flet për një egocentrizëm i shëmtuar

Manuel Cruz flet për një egocentrizëm i shëmtuar

Ndërkohë që Artur Mas bën reklamë për planet e tij secesioniste në ditën e librit në selinë e qeverisë, në çdo qoshe autorë librash bëjnë reklamë për librat e tyre në stendat e shtëpive botuese. Ndër ta është edhe profesori katalan i filozofisë Manuel Cruz. Në veprën e tij të fundit ai analizon atdheun e vet. Titulli: "Një bashkësi e mbyllur në vetvete".

Prej një kohe të gjatë në Katalonjë çdo gjë rrotullohet rreth çështjes së pavarësisë, thotë Cruz në librin e tij. "Dhe njerëzit janë të bindur se i gjithë njerëzimi interesohet për ne. Këtu shfaqet një egocentrizëm i shëmtuar." Artur Mas u ka dërguar letra të gjitha qeverive evropiane. Thuajse asnjë nuk është përgjigjur. "Por kush sheh televizionin rajonal, i krijohet përshtypja se e gjithë bota i ka sytë tek ne. Ne e shohim veten gjithnjë vetëm me vetëkënaqësi dhe jemi imunë ndaj çdo kritike", thotë filozofi.

Edhe shitësja e luleve Merche nuk e pranon vorbullën, në të cilën është shndërruar lëvizja secesioniste. Ajo as këtë vit nuk shet lule me yllin e verdhë, "pasi nuk jam për pavarësinë", thotë ajo. Edhe pse për këtë i duhet të pranojë humbje të forta: më parë në një ditë shiste të paktën 500 trëndafilë, ndërsa sot e shumta 100, thotë Merche.