1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Totozani: Të ndalet ndryshimi i administratave sa herë ndryshojnë qeveritë

Intervistë me Avokatin e Popullit të Shqipërisë, Igli Totozani lidhur me grevën e të larguarve nga puna dhe të të përndjekurve politikë.

DW: Ka dhjetë ditë që të larguarit nga puna ndodhen në grevë. Sa dramatike është situata me të shkarkuarit në administratë? Sa është numri i të shkarkuarve?

Totozani: Institucioni i Avokatit te Popullit prej disa muajsh ka patur në vemendje të punës së vet situatën e krijuar me personat e shkarkuar nga puna në administratën publike. Në këtë kuadër dua të theksoj se për periudhën janar 2013-maj 2014 numri i ankesave të depozituara pranë Institucionit të Avokatit të Popullit është 425 ankesa, ndërkohë që në periudhën shtator 2013- maj 2014 numri i këtyre ankesave ka qenë 193. Nga këto ankesa 408 janë të trajtuara sipas Kodit të Punës dhe 16 sipas statusit të Nëpunësit Civil. Përsa i përket grevës së urisë së disa personave të larguar nga puna unë i kam vizituar në çadrat e tyre së bashku me dy nën/komisionerë të institucionit, ku kemi marrë shënim kërkesat e tyre dhe jemi duke berë verifikimet përkatëse.

DW: A keni ankesa për shkarkime për arsye politike?

Totozani: Numërohen 30 ankesa, ku në objektin e parashtruar nga ana e ish-punëmarrësve, pretendohet se largimi i tyre nga puna është bërë për arsye politike. Këto raste sipas ligjit për “Për Avokatin e Popullit” janë në proces verifikimi nga ana jonë.

DW: Qeveria thotë se i bën emërimet sipas kualifikimit. Të larguarit thonë se janë hequr për bindje, në mënyrë antiligjore. Si mund të matet kjo? A ka një instancë, që mund ta zgjidhë këtë?

Totozani: Po ka një instancë që mund ta zgjidhë këtë gjë.Vetëm gjykatat mund të vendosin në mënyrë përfundimtare, nëse largimet nga puna kanë qenë në përputhje me ligjet apo jo.

DW: A ka padi ose procese gjyqësore?

Totozani: Për periudhën shtator 2013-Janar 2014, nga një informacion i kërkuar pranë Gjykatës Administrative Tiranë, referuar përgjigjes zyrtare nga ana e tyre, rezulton se pas largimeve nga puna janë bërë objekt të shqyrtimit gjyqësor rreth 384 raste.

Aktualisht, jemi duke kërkuar informacione të përsëritura jo vetëm nga Gjykata Administrative Tiranë, por edhe nga gjykata Administrative në rrethe me qëllim krijimin e një panorame më të qartë mbi numrin e punonjësve të larguar në vend.

DW: Në këto 20 vjet vendet e punës së njerëzve në administratë varen shpesh nga ndërrimi i pushteteve. Njerëzit bëhen zgjatime të partive politike. Kur mund të kapërcehet ky fenomen. Me çfarë masash mund të evitohet ai?

Totozani: Shqipëria që nga ndryshimet demokratike ka mundur të ndërtojë me ndihmën e miqve ndërkombëtarë dhe këtu kam parasysh BE-në, SHBA-në, KiE-në, OSBE-në dhe të tjerë, një kuadër të plotë ligjor dhe institucional demokratik. Dhe kjo vlen edhe për administratën publike, e cila luan një rol thelbësor qoftë në mbarëvajtjen dhe përmirësimin e vazhdueshëm të jetës së qytetarëve tanë, ashtu dhe në procesin e integrimit europian. Pra në Shqipëri ndodhi një transformim i jashtëzakonshëm nëpërmjet së drejtës, pra nëpërmjet ligjeve të përgatitura nën asistencën ndërkombëtare. Shpresa e këtij transformimi nëpërmjet së drejtës qëndronte në faktin se njerëzit do të mund të adaptonin sjelljet e tyre dhe më pas ndërtimin e një kulture të mirëfilltë demokratike gjatë zbatimit të këtij kuadri ligjor dhe institucional demokratik.

Në fakt, duket qartë se këto dy procese nuk ndodhën me të njëjtën shpejtësi, dhe ndoshta kjo është e natyrshme. Kuadri institucional, ligjor dhe demokratik eci shumë më shpejt se zhvillimi dhe konsolidimi i një kulture demokratike dhe europiane. Edhe pse njëzet e kusur vjet duket pak si shumë për këtë. Ne duhej tashmë të kishim kuptuar se stabiliteti dhe qëndrueshmëria e administratës është një kërkesë thelbësore e këtij sistemi që po ndërtojmë. Në fakt, nuk ka ndodhur kështu në gjithë këto vite. Duhet të vijë një ditë patjetër që të ndalë ndryshimi i administratave sa herë ndryshojnë qeveritë. Ligjet në fuqi e bëjnë të mundur këtë gjë. Pra nevojitet vullnet ose dikush, i cili në një moment të thotë e të bëjë, duke sakrifikuar dukshëm nga pikëpamja elektorale (sepse ndryshimi i administratës është tashmë një realitet me të cilin janë mësuar edhe qytetarët “fitues”) se administrata nuk do të preket. Për nga rëndësia e këtij momenti, ditën që do të ndodhte do të mendoja sinqerisht se do të ishim më pranë se kurrë Europës, aq të dëshiruar nga ne.

DW: Çadrave të grevës së të larguarve nga puna i shtohet edhe greva e ish të përndjekurve. Në qeverinë e kaluar kemi parë protesta dhe grevën e urisë të të përndjekurve politikë. Kërkesat e ish të persekutuarve me sa duket nuk plotësohen lehtë nga qeveritë. A është i vështirë dhe i pamundur plotësimi i tyre, apo politika nuk i jep këtij grupi vemendjen e duhur?

Totozani: Në radhë të parë dua të theksoj se ish-të përndjekurit politikë përbëjnë një nga shtresat më të vuajtura të shoqërisë sonë dhe për ketë arsye kujdesi dhe respekti ynë duhet të jetë maksimal. Institucioni i Avokatit të Popullit prej shumë kohësh ka trajtuar problematikën e tyre në bashkëpunim dhe me shoqatat e ish-të përndjekurve dhe shoqerinë civile duke bërë rekomandimet përkatëse.

Përsa i perket dëmshpërblimit financiar mendoj se përcaktimi i afateve në ligj është i domosdoshëm dhe për këtë arsye AP ka rekomanduar një ndërhyrje të tillë. Gjithashtu dua të theksoj se prej disa javësh kemi dorëzuar në Parlament rekomandimin për domosdoshmërinë e miratimit të ligjit për Hapjen e Dosjeve.

DW: Lidershipi i PD-së akuzohet për politizimin e grevës së personave të larguar nga administrata, deputetët e PD-së, që vizitojnë vazhdimisht grevën, thonë se kanë ardhur jo për ta politizuar, por për ta mbështetur grevën. A po shfrytëzohet politikisht greva?

Totozani: Ju po më kërkoni një mendim me natyrë politike. Në fakt, institucionit tonë si një i tillë i paanshëm dhe i pavarur, nuk i lejohet të mendojë në këtë mënyrë. Këndvështrimi ynë institucional është krejtësisht tjetër. Kur disa qytetarë vendosin të protestojnë, detyra jonë është të vëzhgojmë dhe monitorojmë, nëse e drejta e tyre kushtetuese po zbatohet apo jo dhe nëse po, si. Gjithashtu, ne trajtojmë të gjitha ato ankesa apo kërkesa, të cilat hyjnë në juridiksionin dhe kompetencën tonë. Kjo është detyra dhe mandati ynë. Asnjë hap më tej.

DW: Sipas vlerësimit tuaj cila ka qenë përgjigja e qeverisë deri tani ndaj këtij shqetësimi të ngritur prej grevistëve?

Totozani: Ne po monitorojmë grevat në mënyrë të përditshme. Në mënyrë të veçantë ne po monitorojmë sjelljen e organeve shëndetësore dhe atyre të policisë. Ky është një proces në vazhdim dhe mjaft i vështirë. Për këtë do të shprehemi në momentin që të gjithë ekspertët e angazhuar të jenë në gjendje të arrijnë në konkluzione përfundimtare. Përsa i përket reagimit të qeverisë do të ishte më mirë që këtë pyetje t'ia drejtonit vetë qeverisë. Por ajo që do të theksoja është se në raste të tilla dialogu institucional është rruga më e mirë dhe më efikase sesa sakrifica sublime e atyre njerëzve. Dhe pavarësisht çdo arsyeje dhe motivi, zgjidhja përfundimtare mbetet vetëm në institucione.

DW: Këto zhvillime me greva, duke përfshirë edhe skandalin e drogës, a mund të krijojnë përshtypje jo të mirë në Bruksel, ku do të merret së shpejti vendimi për dhënien e statusit të vendit kandidat?

Totozani: Nuk jam i zoti në parashikime, sepse shpesh nuk më kanë dalë. Këtë më mirë se kudo e dinë në Bruksel dhe në kryeqytetet e vëndeve anëtare. Për sa më përket mua, sot veçanërisht para vendosjes së një prej momenteve më të rëndësishme të integrimit tonë në Europë dhe përgjithmonë do të dëshiroja që Shqipëria të ishte vendi i komunikimit, dialogut dhe bashkëpunimit. Pra një vend europian. Mendoj se sot është dita që të gjitha sakrificat dhe përpjekjet tona të shkojnë drejt dhe për Europën si destinacioni i vetëm i Shqipërisë.