1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Torturat e CIA-s: Gjykata Europiane dënon Poloninë

Polonia shkeli të drejtat e njeriut duke lejuar CIA-n të ndërtojë një burg sekret në territorin e saj. Në këtë përfundim doli Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut doli në përfundimin se qeveria polake ishte bashkëpunëtore në shkeljen e të drejtave të njeriut nga agjentë të CIA-s në të ashtuquajturën ‘zona e zezë'. Ky vendim mund të hedhë dritë më tej për një rrjet burgjesh sekrete të ndërtuar nga Amerika në Europën Lindore dhe atë Qendore pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001.

Sipas Gjykatës, qeveria e Polonisë lejoi CIA-n të ndërtonte një burg sekret, ku përveç dhunimeve të tjera, dy të dyshuar ishin subjekt i torturave. Zona e zezë gjendej në një zonë ushtarake polake në fshatin e quajtur Stare Kiejkuty,180 kilometra në veri të Varshavës.

Akuza nga të burgosurit e Guantanamos

Të dyshuarit si të lidhur me al Kaedan, Abd al-Rahim al-Nashiri dhe Zayn Al-Abidin Muhammad Husayn, ngritën padinë kundër Polonisë duke akuzuar Varshavën për shkelje të të drejtave të njeriut. Për momentin ata po mbahen nga autoritetet amerikane në Guantanamo në Kuba. Pavarësisht se gjykatësit thanë se "autoritetet polake nuk mund të kenë qenë dëshmitarë të asaj që ka ndodhur brenda në ndërtesë", sërish ata i bën fajtor fakti se i kanë dhënë mundësi CIA-s të shkelë të drejtat e njeriut.

Një kullë kontrolli e aeroportit të Szymansy në Poloni, ku janë zbritur avionët e CIA-s me të burgosur nga Afganistani

Një kullë kontrolli e aeroportit të Szymansy në Poloni, ku janë zbritur avionët e CIA-s me të burgosur nga Afganistani

Sipas Crofton Black, i cili ka investiguar për burgjet e CIA-s në Europë, tha se vendimi i së enjtes i bën qesharake përpjekjet e qeverisë polake për të dalë e larë nga kjo histori. "Është hera e parë që merret një vendim gjykate ndaj zonave të zeza të CIA-s në Europë dhe konfirmon atë që ne dhe organizata të tjera kemi thënë prej vitesh, që ekzistojnë vende të tilla ku të dyshuarit janë torturuar", thotë Black, i cili punon për grupin e avokatëve Reprieve.

Përfshirja e Polonisë

Gjykata ka akuzuar Poloninë se nuk ka investiguar efektivisht përfshirjen e zyrtarëve të asaj kohe me zonën e zezë të CIA-s. Në vitin 2008 Varshava nisi hetimet, më shumë se gjashtë vite pasi al-Nashiri dhe Husayn ishin çuar për herë të parë në burgun sekret. "Fakti është se këto ngjarje kanë ndodhur më shumë se një dekadë më parë dhe ende sot Polonia nuk ka bërë një investigim efektiv", thotë për DW Amrit Singh, një nga avokatët që përfaqëson Nashirin.

Sipas Black, çështja është se nëse do të jetë ish-kreu i inteligjencës polake Zbigniew Siemiatkowski, ai që do ta pësojë. Siemiatkowski u akuza nga Polonia në vitin 2012 për përfshirje në zhvillimet në zonën e zezë. "Do të jetë e vështirë për ta të mos e ndëshkojnë dikë. Pyetja është sa larg do të shkojnë", thotë Black.

Do ta pësojë ish-kreu i inteligjencës polake Zbigniew Siemiatkowsk?i

Do ta pësojë ish-kreu i inteligjencës polake Zbigniew Siemiatkowsk?

Dëmshpërblimi

Gjykata doli gjithashtu në përfundimin se qeveria polake ishte bashkëpunëtore për privimin nga liria të dy të dyshuarve për lidhje me al Kaedan, për mungesën e një gjykimi të drejtë dhe respektit për jetën e tyre familje dhe private. Në rastin e al-Nashiri, Varshava mund të jetë bashkëpunëtore në dhunimin e së drejtës së jetës, pasi ka lejuar transferimin e tij para një komisioni ushtarak amerikan ku mund të përballet me një dënim me vdekje. Ndërsa Husayn mbahet prej 12 vitesh Guantanamo pa asnjë akuzë.

Al-Nashiri, me kombësi saudite, dyshohet se ka marrë pjesë në sulmin terrorist kundër anijes USS Cole në portin Aden të Jemenit në vitin 2000. Ndërsa Husayn, palestinez, dyshohet se ka ndihmuar në planifikimin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001.

Qeveria polake do të duhet t'i paguaje al-Nashiri 100,000 euro dëmshpërblim dhe 130,000 euro Husayn. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut i kërkoi gjithashtu Varshavës të merrte garanci diplomatike se al-Nashiri nuk do të ekzekutohet nëse dënohet për përfshirje në sulmin ndaj USS Cole.

Impakt më i gjerë

Në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut mund të hapen edhe dy çështje kundër Lituanisë dhe Rumanisë për përfshirje në zonat e zeza të CIA-s. Husayn u transferua në Lituani dhe al-Nashiri u dërgua në Rumani, përpara se të transferoheshin përfundimisht në Guantanamo. "Fakt është se ky program nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin e qeverive të tjera", thotë Singh. Sipas Black, vendimi i Gjykatës kundër Polonisë është edhe një paralajmërim për qeveritë në Vilnius dhe Bukuresht.