1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Tortura dhe procese farsë - Të burgosurit politikë në Iran

Mahmud Ahmadinexhad betohet para parlamentit në një ditë historike. Faktin që rruga deri tek shteti demokratik është e gjatë, e dëshmoi edhe qëndrimi ndaj të burgosurve politikë pas zgjedhjeve të qershorit.

default

Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad bën betimin

5 gushti është përvjetori i të ashtuquajturit revolucioni kushtetues në Iran. Më 5 gusht 1906 mbreti iranian lejoi themelimin e Asamblesë Konsultuese, i pari parlament iranian - pas luftës së gjatë politike për krijimin e një shteti demokratik. Qysh prej më shumë se 100 vjetësh iranianët ëndërrojnë për demokratizimin e vendit, për të drejtat civile dhe zgjedhjet e lira.

Por ende vazhdon të ketë procese fiktive ndaj të burgosurve politikë. Ashtu siç ndodhi edhe në fundjavë. Mbi 100 të akuzuar u konfrontuan me akuzën, se të drejtuar nga jashtë synonin rrëzimin e republikës islamike. Në sallën e gjyqit nuk pati avokatë mbrojtës, por në vend të tyre ishin instaluar kamerat e televizionit shtetëror. Pranime të rreme të fajit u transmetuan në çdo skaj të vendit. Këto deponime janë imponuar përmes torturave, është kjo akuza e opozitës. Të afërmit e të arrestuarve përshkruajnë kushtet e tmerrshme të arrestit:

Demonstrationen nach Wahlen in Iran

Dhjetëra mijëra morën pjesë në protesta

„Babait tim me aftësi të kufizuara i është dashur të qëndrojë në diell në temperaturën rreth 42 gradë. Pas këtij të nxehti atë e kanë futur në një qeli dhe i kanë hedhur akull. Nëna ime është mjeke. Herën e fundit, kur ajo u lejua ta takojë atë dhe mundi ta vizitojë, ai kishte aritmi kardiake dhe gjatë gjithë kohës qante.“

Kjo vajzë e re është e bija e Saeed Hajarian. Saeed Hajarian bën pjesë në Frontin e Kooperacionit të Iranit islamik. Në vitin 2000 ai u qëllua në Teheran duke i mbijetuar plagosjes së rëndë. Që nga ajo kohë sistemi qendror nervor i tij është i dëmtuar. Arsyeja e atentatit ndaj tij ishin zbulimet lidhur me "vrasjet në seri me porosi të qeverisë" në fund të viteve 1990. Saeed Hajarian ka nevojë tani për përkujdesje si një fëmijë. Ai nuk mund të flasë. Pas zgjedhjeve edhe atë e arrestuan. Vajza e tij është e bindur:

„Kushdo e di se në çfarë gjendje është babai im. Ata duan ta çojnë deri në fund punën e tyre dhe tani duan që ta vrasin në këtë mënyrë, pra të çojnë deri në fund atë, që nuk e arritën atëherë. “

Prozess gegen Reformer in Iran

Në sallën e gjyqit i dyti nga e djathta Mohammad-Ali Abtahi, Teheran 01.08.09

Hajarian akuzohet se ka rrezikuar sigurinë kombëtare. Një akuzë, që ngrihet edhe kundër më shumë se 2000 opozitarëve dhe demonstruesve të arrestuar. Të shtunën e kaluar(01.08 nisi procesi i parë kundër tyre: Fillimisht u nxorrën para gjyqit mbi 100 të akuzuar për komplot dhe nxitje të trazirave. Ndër ta janë edhe politikanë të njohur reformatorë, si ish-zevëndspresidenti Mohammed Ali Abtahi. Aktakuza përmban 15 faqe. Por avokati mbrojtës i tij nuk u lejua të hyjë në sallë.

"Të shtunën paradite më informuan rreth orës 11:00 që klienti im do të nxirret në gjyq. Një gjysmë ore më vonë unë isha atje, por nuk më lejuan të hyj në gjykatë. Nga ana tjetër: edhe sikur të isha i pranishëm nuk do të ndryshonte gjë. Deri tani mua nuk më është lejuar ta takoj klientin tim. Edhe aktakuza është për mua e panjohur."

Para gati një jave udhëheqësi shpirtëror i Iranit Ali Chamenei urdhëroi që të mos ketë asnjë "padrejtësi" kundër opozitarëve. Madje Ayatollah udhëzoi mbylljen e një burgu, ku ishin arrestuar edhe demonstrues opozitarë. Në deklaratën zyrtare të publikuar prej kryetarit të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Said Dschalili, thuhet: Në këtë burg nuk janë respektuar standardet e nevojshme.

Dr. Saleh Nikbakh është zëdhënësi i "Shoqatës për Mbështetjen e të Burgosurve". Ai thotë se burgu Kahrizak duhej të ishte mbyllur para dy vjetësh.

Prozess gegen Reformer in Iran

Procesi kundër opozitarëve në Iran

„Ajo, që ndodh në burgun Kahrizak, ka qenë e njohur prej kohësh për drejtësinë iraniane. Megjithatë demonstruesit e arrestuar u dërguan atje. Burgu tani është mbyllur. Por duhet të bëhet e qartë, se ç' është autoriteti i përgjegjshëm.“

Deponimet janë imponuar përmes torturave, akuzon opozita.

Nëse kjo do të arrihet, është e pasigurtë. Drejtësia në hapje të procesit fitoi ndaj kritikëve të regjimit, të akuzuarit pranuan se kanë pasur kontakt me armikun dhe kanë punuar për rrëzimin e Republikës Islamike. Të akuzuarit pranuan gjithashtu akuzat për mashtrim në lidhje me zgjedhjet presidenciale, që i patën cilësuar si "gënjeshtër" dhe shprehën keqardhjen që kanë marrë pjesë në manifestime proteste.

Kandidati për president Hussein Mussawi, i cili humbi kundrejt Ahmedinexhadit, deklaroi për këtë në internet: Deponimet për pranim faji janë imponuar përmes "metodave mesjetare të torturave". Edhe Mustafa Tajzadeh, dikur zëvendësministër i Mbrojtjes në qeverinë Chatami, ka nënshkruar deponimin për pranim të fajit. Gruaja e Tajzadeh-tit dyshon në këtë dëshmi, burri i saj e ka përgatitur atë për këtë moment:

„Unë bashkëjetoj qysh prej 30 vjetësh me të dhe nuk do t' i pranoj kurrë të tilla deponime. Mustafai gjithmonë na ka thënë: nëse përfundoj në burg dhe pas kësaj pohoj diçka, duhet ta dini se e kundërta është e vërtetë.“

Autor: Shabnam Nourian/Vilma Filaj-Ballvora

Radaktoi: Angjelina Verbica