1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Topalli: Gjermania tregon interesim të vazhdueshëm për Shqipërinë

Kryeparlamentarja Topalli thekson se vizitat dhe shkëmbimet parlamentare gjatë këtyre viteve mund të konsiderohen sikur Shqipëria të ishte anëtare e Bashkimit Evropian.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli në intervistë me Deutsche Welle-n. Auf Einladung von Bundestagspräsident Prof. Dr. Norbert Lammert besuchte die Präsidentin des Parlaments der Republik Albanien, Jozefina Coba Topalli, Berlin. Wichtigstes Thema der Gespräche mit ihrem deutschen Amtskollegen am Mittwoch, 8. Februar 2012, war die Aufnahme Albaniens in die Europäische Union. Hier im DW Interview am 9.2.12. Anila Shuka

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli në intervistë me Deutsche Welle-n.

Deutsche Welle: Zonja kryetare, ju patët një vizitë treditore në Gjermani me një sërë takimesh me përfaqësues të politikës, ekonomisë dhe diplomacisë. Si do të mund ta përmblidhnit këtë përvojë?

Jozefina Topalli: Do i përgjigjesha pyetjes suaj me citimin e presidentit të Bundestagut, zotit Lammert, i cili tha që vetë fakti që bëhet kjo vizitë zyrtare nga delegacioni shqiptar sot në Bundestag është shprehje e interesit të vazhdueshëm që Gjermania ka për Shqipërinë. Vizitat dhe shkëmbimet parlamentare gjatë këtyre viteve mund të konsiderohen sikur Shqipëria të ishte anëtare e Bashkimit Evropian. Besoj se kjo flet më shumë se çdo gjë tjetër. Në fakt unë i jam shumë mirënjohëse presidentit të Bundestagut, i cili bëri të mundur këtë vizitë të dytë zyrtare për Parlamentin e Shqipërisë në një periudhë kohe shumë të shkurtër, ndërkohë që programi ishte jashtëzakonisht intensiv dhe i rëndësishëm: Janë bërë rreth 12 takime ku ka pasur mundësi për të folur për Shqipërinë për ta promovuar imazhin e saj, potencialet dhe resurset e saj natyrore e progresin e vendit tonë.

Ju patët rastin të shikonit edhe seanca të ndryshme të komisioneve parlamentare dhe plenumit. Mendoni se ka diçka që parlamenti shqiptar mund të mësonte nga Bundestagu?

Së pari, çdo deputet duhet të nderojë mandatin e tij. Mandati i përfaqësimit është një mandat që mban një peshë të madhe përgjegjësie. Është një detyrë e rëndë, një peshë e rëndësishme, të cilën të gjithë duhet ta nderojnë. Është një nder i veçantë të jesh një ndër 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Në ato karrige absolutisht mund të ishin edhe shqiptarë të tjerë, që do e bënin me përgjegjësi atë detyrë. Sigurisht që ka shumë gjëra për të mësuar, në mënyrë të veçantë nga vendet që kanë një traditë parlamentare më të gjatë se ajo e Shqipërisë.

Në të gjitha takimet tuaja u theksua perspektiva evropiane e Shqipërisë. Një shans për të bërë një hap simbolik përpara në këtë rrugë ishte statusi i kandidatit, i cili u refuzua vitin e kaluar, për shkak të krizës politike në vend. Si e parashikoni zhvillimin këtë vit?

Siç e thamë edhe në takime, bllokimi dhe bojkoti, që opozita i ka bërë parlamentit i ka bërë një dëm vendit dhe integrimit. Sot mund të them se është një klimë tjetër. Deputetët e opozitës tani i janë kthyer punës. Pas humbjeve edhe të zgjedhjeve lokale janë votuar disa ligje me tri të pestat e votave. Sot në kalendarin e punës së Kuvendit të Shqipërisë janë disa ligje të tjera: Kodi civil, Kodi Penal, Gjykata Administrative. Unë uroj dhe besoj se opozita do ta nderojë marrëveshjen e saj të nënshkruar më 14 nëntor. Unë uroj që në këtë 100 vjetor të pavarësisë, që koinçidon edhe me 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Gjermanisë dhe Shqipërisë, pozita do t'i bashkohet maxhorancës për të votuar ato ligje, të cilat nuk bëhen dot pa votën e opozitës. Ne të gjithë jemi shqiptarë, cilido grup parlamentar, në se i ikën përgjegjësisë së tij, dëmton veten, por dëmton edhe çështjen kombëtare.

Në ndjenjat kombëtare apelon edhe Aleanca Kuqezi, e cila ka filluar të shikohet paksa me shqetësim edhe në qendrat diplomatike të Evropës. A shikoni këtu ndonjë rrezik që kjo lëvizje t'i marrë PD-së një pjesë të elektoratit të djathtë?

Është një realitet fals, i ushqyer më shumë nga disa media të caktuara që tregojnë interes për të, ndoshta me shpresë se mund t'i prishë punë Sali Berishës. Në fakt ajo s'ka asgjë të përbashkët me PD-në. Sepse PD-ja është forcë perëndimore, e cila ka lindur si forcë për të integruar Shqipërinë në Bashkimin Evropian. Ndërsa kjo lëvizje është e kundërta e aspiratës dhe qëllimit kombëtar të shqiptarëve. Ndaj dhe them që është pa bazë, pa rrënjë dhe jashtë realitetit dhe e drejtuar nga një sharlatan, të cilin shqiptarët e njohin.

Zonja Topalli, së shpejti do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale. Flitet që ju jeni një nga kandidatet e mundshme për këtë post. A do të ishit e gatshme të merrnit përsipër këtë detyrë?

Në kalendarin e Kuvendit të Shqipërisë ka një axhendë krejt tjetër. Zgjedhja e presidentit do të vendoset në rend të ditës pas disa muajsh. Atëherë mund të flasim sërish për këtë çështje.